Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

DIA u krijua për të vjedhur CEZ-in

Kompania DIA e cila do të mblidhte borxhet e CEZ u krijua në Shqipëri në 2010 me qëllimin e vetëm për të vjedhur këto para e jo për të kryer ndonjë punë fiktive. Është ky konkluzioni i prokurorëve të task forcës që 2 ditë më parë kanë mbyllur hetimet për administratorin e DIA-s Kastriot Ismailaj duke i komunikuar atij dy akuzat.

Ismailaj që ndodhet tashmë në masën e sigurisë “arrest me burg” do të përgjigjet për “mashtrimin e kryer në bashkëpunim me pasoja të rënda” dhe “pastrim parash”.

Plot 512 milion lekë Ismailaj ka arritur të vjedhë me anë të mashtrimit nga ish kompania ceke CEZ, kjo pasi ka bashkëpunaur me Josef Hejsek duke paraqitur dokumentacion e fatura fiktive, thotë Prokuroria.

Për herë të parë prokuroria hedh dritë dhe mbi pozitën e kreu i bordit drejtues të CEZ-Shpërbndarja në vitin 2012, Josef Hejsek,  për të cilin sqaron se edhe ai është person nën hetim në këtë procedim penal. Por DIA nuk është dosja e vetme ndaj Ismailajt i cili pak ditë më parë humbi dhe të drejtën për të fituar 130 milion dëmshpërblim nga shteti shqiptar.

Skemat fiktive dhe pastrimin e parave Ismailaj e ka nisur një dekadë më parë në Shqipëri.

Në 2005 ai do të krijonte kompaninë, ADC Adriatic development Corporation me anë të së cilës do të arrinte të pastronte me transaksione plot 10 milion dollar.

ADC duhet të ishte një kompani me aktivitet në fushën e mineraleve dhe energjitikës por ajo ka qenë pa asnjë punë apo veprimtari reale thotë prokuroria dhe është përdorur për pastrim parash.

Nga hetimet është zbardhur se prej 9 vitesh përfshi periudhën 2006-2015 Ismailaj ka kryer transferta në vlerën e 1.3 milion dollarë i pa shqetësuar nga askush dhe pse nuk ka disponuar asnjë dokuemnt për të justifikuar këto lëvizje në banka.

Pas nisjes së hetimeve ndaj Ismilajt prokuroria ka mundur të sekuestroj në llogaritë e tij 4.2 milion euro, para për të cilat po zhvillohet një proces gjyqësorë pasi kërkohet konfiskimi për llogari të shtetit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Tiranës për mbylljen e hetimeve

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka marrë të pandehur shtetasin Kastriot Ismailaj, i cili akuzohet për veprat penale të ”Mashtrimit”, të kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, si edhe ”Pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryer më shumë se njëherë. Gjatë hetimit, për të cilin gjendet nën masën e sigurisë ”arrest në burg” i pandehuri Kastriot Ismailaj, Prokuroria ka evidentuar dy episode të ndryshme, të lidhura me personin e akuzuar.

Adriatic Development Corporation Ltd (ADC)I pandehuri Kastriot Ismailaj ka krijuar kompaninë ”ADC” në vitin 2005, me objekt “Këshillimi, dhe financim për promovimin e zbulimit, zhvillimit, përpunimit  dhe prodhimin e mineraleve, si dhe infrastrukturën e projekteve energjetike”. Nga hetimet e Prokurorisë Tiranë ka rezultuar se kjo shoqëri ёshtё  fiktive  sepse nuk ka zhvilluar aktivitet  ekonomik, por nё llogaritё e kёsaj shoqёrie janё kryer transakione financiare qё shkojnё nё disa milionë euro. Vlera e transaksioneve të kryera nëpërmjet shoqërise “ADC” ёshtё nё hyrje në vlerën 9.8 milionë dollarë dhe 800,000 euro. Ndёrsa transferat dalëse për transaksionet jashtë vendit janё nё shumёn dalje  4.1 milionë dollarë dhe 11 mijë euro. Për të gjithë transaksionet hyrëse dhe dalëse nuk ka asnjë dokument justifikues. Me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur sekuestrimi i të gjitha parave të ndodhura  në llogaritë e shoqërisë “Adriatic Development Corporation Ltd”, si dhe të llogarive të shtetasit Kastriot Ismailaj. Shuma e gjetur dhe e sekuestruar nё llogaritё e kёsaj shoqёrie në total është 4.2 milionë dollarë dhe 455.000 euro si dhe 12.5 milionë lekë, pranë dy bankave të ndryshme të nivelit të dytë në Shqipëri. Transfertat hyrёse shoqëria “Adriatic Development Corporation” shpk, i ka përfituar kryesisht nga shoqëria “Hassans Client”, me qendёr në Gjibraltar, dhe një pjesë tjetër nga disa shoqëri me qendёr nё  Zvicër.

Më pas, paratё e pёrfituara, janё transferuar nё shoqёri dhe individë tё ndryshëm me vendodhje në Zvicër, në Francë, në Angli, në Kongo, në SHBA, si edhe në Afrikёn e Jugut etj. Gjatë periudhës 2006-2015, për transfertat hyrëse dhe dalëse, pёrgjithësisht nuk ka dokumenta mbështetëse që të justifikojnë vlerat e arkëtuara/paguara. Ka rezultuar se shtetasi nën hetim, Kastriot Ismailaj, ka tërhequr nga llogaria e shoqërisë shumat 930.000 dollarë, 80,500 euro, si edhe ka bërë pagesa për kartën e tij të kreditit në shumat 11,725 USD dhe 15,652 euro.

Për faktet e mësipërme, Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj shtetasit Ismailaj akuzën e  “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, ndërkohë që po vijon hetimi për transaksionet, që vlerësohen dukshëm të dyshimta.

DEBT Internacional Advisory” (DIA)Shoqëria “DIA” është regjistruar në vitin korrik 2010 në British Virgin Island nga një shtetase shqiptare, e cila ka emëruar si përfaqësues ligjor të kësaj kompanie në Shqipëri shtetasin Kastriot Ismailaj, të emërtuar ”DIA-Dega Shqipëri”. Në regjistrin tregtar shqiptar, kjo kompani është regjistruar me aktivitet“Investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fusha të ndryshme, në burimet natyrore, energjitike, infrastrukturën energjitike, transport ndërkombëtar në rrugë ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, shit-blerje aksionesh, tregëtimi, import-eksport i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve”. Me datën 01.09.2010 subjektet “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A. kanë lidhur një marëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Objekti i marëveshjes ka qënë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme.

Kjo marëveshje është firmosur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj, me cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Tiranë dhe shtetasi Josef Hejsek, aktualisht person në hetimin, me detyrë Kryetar i Bordit Drejtues të “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A. Marёveshja e parё nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqёrisё ”CEZ Shpёrndarja” dhe pёr kёtё arsye, mё datё 01.02.2011, midis kёtyre palёve ёshtё nёnshkruar njё marёveshje e dytё me tё njёjtin objekt dhe pёr një afat dy vjeçar. Kjo marrёveshje ёshtё zgjidhur nё muajin Tetor tё vitit 2011.

Nga tёrёrёsia e tё dhёnave tё administruara gjatё hetimit tё kёtij proçedimi penal arrihet nё konkluzionin se qёllimi i shtetasit Kastriot Ismailaj nuk ka qёnё mbledhja e borxhit tё shoqёrisë dhe as kryerja e ndonjё pune reale, por vjedhja e parave tё shoqёrisё “CEZ Shpёrndarja”.

Pёr realizimin e qёllimit tё tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka pasur si bashkёpunёtor personin nën hetim  Josef Hejsek, me detyrë Kryetar i Bordit Drejtues  tё kёsaj shoqёrie. I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke pёrdorur tё dhёna tё rreme dhe dokumenta fiktive nё bashkёpunim me shtetasin Josef Hejsek,  ka  pёrfituar nё mёnyrё tё kundraligjshme shumёn  512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja tё rёnda pёr shoqёrinё “CEZ Shpёrndarja”, si rrjedhojё edhe pёr shtetin shqiptar, i cili ka zorёruar 26% tё  aksioneve tё kёsaj shoqёrie. Paratё e pёrfituara nёpёrmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka pёrdorur me  qёllim realizmin e  kontratёs,  por i ka rinvestuar, i ka transferuar  jashtё vendit apo i ka pёrdorur  pёr qёllime personale.

Nё kёtё mёnyrё  ky shtetas  ka kryer veprёn penale tё “ Mashtrimit me pasoja tё rёnda, tё kryer nё bashkёpunim” tё parashikuar nga neni 143/2 tё  Kodit Penal, si dhe veprёn penale tё “ pastrimit tё produkteve tё veprёs penale”  tё parashikuar nga neni 287 tё Kodit penal.

Shqiptarja.com  21.12.2015