Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Për familjet, gaz me çmim të rregulluar

Nga 1 qershori 2016 do të krijohet dhe do të hyjë në funksionim Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit, ndërkohë Enti Rregullator i Energjisë merr kompetenca për vendosjen e tarifave dhe kontrollin për mbrojtjen e konsumatorëve. Ministria e Energjisë dhe Industrisë, nën asistencën edhe të ekspertëve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, ka formuluar dhe paraqitur në qeveri projektligjin “Për Sektorin e Gazit Natyror”. Miratimi i këtij projektligji, i cili amendon ligjin e vitit 2008, “Për sektorin e gazit natyror”, synon plotësimin e detyrimeve bazë të Paketës së Tretë të Energjisë të BE.

Licencat aktuale

Aktualisht ERE vazhdon të japë licenca për transmetimin e gazit natyror, por ndryshimi i ligjit i kufizon në kohë. Licenca për transmetimin e gazit natyror, e dhënë para miratimit të këtij ligji që lejon shoqërinë e gazit natyror të kryejë dhe të përmbushë detyrat që lidhen me transmetimin e gazit natyror konsiderohet si licencë e përkohshme, që autorizon ushtrimin e veprimtarisë së transmetimit, por në çdo rast nuk mund të zgjasë më vonë se 1 qershori 2016.

Sistemi i Shpërndarjes

Ky projektligj synon t’i paraprijë projektit të gazifikimit të Shqipërisë që pritet të zbatohet para përfundimit të gazsjellësit TAP, i cili do të bëjë edhe furnizimin e vendit tonë. Shoqëria e gazit natyror, e cila ka në pronësi sistemin e transmetimit, do të veprojë si OST. Kjo shoqëri pajiset nga ERE me licencë për transmetimin e gazit natyror. Për të siguruar pavarësinë e OST, personat që drejtojnë shoqërinë nuk duhet të kenë konflikt interesi në sektorin e gazit dhe të energjisë. ERE njofton Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë për fillimin e procedurave për certifikimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe merr vendim brenda dy muajve nga data e njoftimit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, duke marrë në konsideratë rekomandimet e tij. OST do të sigurojë akses të pakufizuar në sistemin e transmetimit në përputhje me kushtet e përcaktuara në Kodin e Rrjetit të Transmetimit. Operatori i Sistemit të Transmetimit brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, paraqet në ERE një plan 10-vjeçar zhvillimi të rrjetit të transmetimit në bazë të kërkesës dhe ofertës, i cili rishikohet deri më 31 tetor të çdo viti. Në hartimin e planit 10-vjeçar të zhvillimit të rrjetit, OST bën supozime në lidhje me zhvillimin e prodhimit, furnizimit, konsumit dhe shkëmbimit të gazit natyror me vendet e tjera, duke marrë parasysh planet e investimeve për rrjetet përreth. Shpërndarja e gazit natyror kryhet nga operatorë të sistemit të shpërndarjes, të cilët licencohen nga ERE. Edhe për gazin e lëngshëm, ashtu si operatorët e shpërndarjes dhe depozitimit të gazit natyror, licenca do të jepet nga ERE.

Tregu i gazit natyror

natural-gas-plant central gaziTë gjithë furnizuesit, përfshirë edhe ata që kanë sipas licencës, detyrimin e ofrimit të shërbimit publik, blejnë gaz natyror për furnizimin e klientëve fundorë sipas kontratave bilaterale, tregjeve të organizuara, ose nëpërmjet importeve, me çmime jo të rregulluara. Furnizuesit që janë ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik me çmime të rregulluara, kanë të drejtë të shesin gaz natyror në kushtet e tregut dhe me çmime jo të rregulluara dhe pa kufizim territorial. Pra, tregu i gazit është i hapur, ku të gjithë klientët kanë të drejtë të zgjedhin lirisht furnizuesin e tyre. Një klient ka të drejtë të furnizohet nga një operator që ushtron veprimtarinë në sistemin e një vendi anëtar të BE ose palë kontraktuese të Komunitetit të Energjisë, me kusht që të mos krijohen disbalanca në sistem si rezultat i furnizimit. Veprimtaritë e transmetimit, shpërndarjes dhe të furnizimit me gaz natyror të klientëve të vegjël, përfshirë klientët familjarë, realizohen si shërbime publike. Pagesat për mbulim financiar, format e tjera të rimbursimit dhe të drejtat ekskluzive të bëra për shoqëritë e gazit për ofrimin e detyrimeve të shërbimit publik, sipas projektligjit, bëhen në një mënyrë jodiskriminuese dhe transparente. Kostot e realizuara nga çdo i licencuar për ofrimin e detyrimeve të shërbimit publik pranohen si të justifikueshme, kur tarifat për shërbimet e ofruara janë miratuar nga ERE në përputhje me kostot. ERE do të vendosë për shpërndarjen e kostove të detyrimeve të shërbimit publik. Kompensimi për këto kosto nuk duhet të kalojë shumën e shpenzuar për kryerjen e detyrimeve të shërbimit publik të zbritura nga të ardhurat e fituara për ofrimin e shërbimit. Pagesa për mbulim mund të përfshijë një fitim të arsyeshëm. Çdo pagesë për mbulim për të licencuarin për detyrimin e shërbimit publik duhet të jetë subjekt i vlerësimit nga Autoriteti i Konkurrencës, sipas rregullave të Komunitetit të Energjisë për ndihmën shtetërore. Këshilli i Ministrave me propozimin e ministrit miraton kushtet dhe procedurat për caktimin e furnizuesit të mundësisë së fundit. Furnizuesi i mundësisë së fundit, i ofron furnizim me gaz natyror klientit fundor, nëse furnizuesi i tij ka dalë nga tregu i gazit natyror, për shkak të rrethanave, të cilat janë jashtë kontrollit të tij ose për shkak të ndonjë shkelje të kryer nga ana e tij.

Furnizimi i familjarëve me gaz

Klientët familjarë dhe klientët e vegjël jo familjarë kanë të drejtë të furnizohen me gaz natyror nga furnizuesi, i cili është ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik. Në rast se objektivat e shërbimit publik për klientët familjarë dhe klientët e vegjël nuk mund të arrihen ndryshe nën kushtet e tregut, ERE mund të rregullojë çmimet e përdoruesve fundorë.

Siguria

Depozitat e gazit natyror dhe të lëngshëm do të jenë nëntokësore

Projektligji sjell si risi elementet e mbrojtjes së konsumatorit dhe kritere të reja për sigurimin teknik të objekteve të gazit. Në këtë drejtim, e reja është vendosja e kushtit për depozitimin nëntokësor të gazit dhe gazit natyror të lëngëzuar (underground storage). Në ndryshim nga ligji ekzistues ka gjetur një trajtim më të plotë çështja e sigurisë së furnizimit të gazit natyror, si dhe masat mbrojtëse për sigurinë e furnizimit duke përshtatur në këtë mënyrë edhe parashikimet e Direktivës së BE-së të vitit 2004. Një element i ri dhe i rëndësishëm i aplikuar për herë të parë në këtë ligj, sipas kërkesave të legjislacionit europian, është edhe kreu “Programi dhe Zyrtari i pajtueshmërisë” ku përcaktohen rregullat për të garantuar transparencën e transaksioneve, pavarësinë e operatorëve si dhe për të respektuar rregullat dhe parimet e etikës së biznesit. Gjithashtu, kreu i cili rregullon çështjet e inspektimit, mbikëqyrjes dhe kundërvajtjeve administrative është rikonceptuar i gjithi, duke zgjeruar mbikëqyrjen dhe inspektimin nga Ministria, ndërkohë që detyrat konkrete në emër të këtij organi do t’i zbatojë Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial.

Institucionet

ERE merr kompetenca për tarifat dhe inspektimin

Projektligji sjell shtimin e kompetencave të ERE, duke i akorduar të drejtat e caktimit të tarifave dhe përjashtimit të operatorëve nga taksat dhe tarifat vendore mbi asetet, rrjetet dhe instalimet përkatëse të operatorëve. Gjithashtu, ky draft i akordon një rang më të gjerë përgjegjësish dhe kompetencash ERE-s, kryesisht në lidhje me monitorimin e tregut, konkurrencën dhe mbrojtjen e konsumatorit. ERE në këtë projektligj është projektuar në një dimension të ri duke bashkëpunuar ngushtësisht edhe me Ministrinë e Energjisë në lidhje me monitorimin e tregut, por gjithmonë pa ndërhyrë në kompetencat e institucionit tjetër. Po ashtu, janë shtuar të drejtat e Ministrisë përgjegjëse për Energjinë si institucioni më i lartë për formulimin e politikave të zhvillimit të sektorit të gazit natyror ku ndër detyrat kryesore në këtë drejtim përmendim caktimin e politikave dhe planeve për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit të gazit natyror. Drafti edhe ne fushën e gazit, si në atë të energjisë elektrike, fut konceptin e matësve inteligjentë. Për të garantuar një treg të liberalizuar, drafti forcon rolin e autoritetit të Konkurrencës për mbikëqyrjen e këtij sektori të ri që do të krijohet pas vitit 2016.

Gazeta Shqip,  25.08.2015