Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

13 HEC-e bëhen pjesë e rrjetit të furnizimit

Gjatë vitit që lamë pas, 13 hidrocentrale të vogla dhe të mesme private u bënë pjesë e rrjetit shqiptar të furnizmit. Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë, energjia e gjeneruar nga hidrocentralet private gjatë vitit 2014 ka arritur vlerën e 20% të energjisë totale të prodhuar në vend.

Ndërsa portali “Balkaninsight” vlerëson se, tregu privat i prodhimit të energjisë në Shqipëri arrin një vlerë prej 58 milionë euro në vit, me një kapacitet të instaluar prej 294 megavat. Gjithashtu, portali vlerëson se, pjesën më të madhe të energjisë private të prodhuar në vend e ka hidrocentrali i Ashtës me një kapacitet të instaluar prej 50 megavat, ndërsa gjenerimi vjetor për vitin që lamë pas arriti në 200 gigavatorë.

Pritshmëritë e qeverisë shqiptare janë që, i gjithë konsumi i energjisë të mbulohet nga prodhimi vendas brenda vitit 2020, duke marrë në konsideratë edhe përfundimin brenda vitit 2018 të tre hidrocentraleve në lumin e Devollit. Energjia e gjeneruar nga këto hidrocentrale, me kapacitet të instaluar prej 800 megavat pritet të arrijë në diçka më shumë se një teravator në vit, një shifër e konsiderueshme kjo duke ditur se konsumi total arrin në 6 teravatorë.

Gjithashtu, qeveria shqiptare dhe ministria e Energjisë janë duke parë mundësinë e dhënies me koncesion të hidrocentraleve të Skavicës dhe Kalivaçit ndaj kompanive private të interesuara pasi të kenë zgjidhur çështjet e pronësisë që pengojnë ndërtimin e tyre që nga viti 1997. Realizimi i këtyre veprave dhe vënia në funksionim jo vetëm që do të mbulonte nevojat e vendit për konsum, por do të rriste edhe kapacitetet eksportuese të energjisë shqiptare.

Scan TV, 07.05.2015