Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Armo në borxhe, ikin azerët

Azerët e  Heaney Assets Corporation po heqin dorë nga pronësia në uzinën e përpunimit të thellë të naftës, ARMO, pavarësisht se, aktiviteti me ardhjen e tyre ishte trefishuar.

Por siç pohojnë burimet e tregut azerët nuk kanë mundur të përmirësojnë situatën e trashëguar të borxheve në kompani, ndaj të ndodhur nën sekuestron e organeve tatimore dhe kompanive të tjera ata mësohet se janë në negociata për shitjen e aksioneve tek një konsorcium shqiptaro-zvicerran.

Shitjes së aksioneve i kanë paraprirë edhe ndryshimet në ekstraktin e QKR ku Administratori, Ervin Gjokutaj është zëvendësuar nga Cristophe François Bernard Darbord dhe Nazim Mustafajev nga këshilli i mbikëqyrjes është zëvendësuar me Jeton Ibrajn.

Burimet nga tregu pohojnë se blerësit e ri të ARMO-s trashëgojnë një mal me borxhe, të cilat i kalojnë të 60 milionë dollarët, pjesa më e madhe e të cilave janë ndaj doganave dhe tatimeve dhe një pjesë më e vogël ndaj furnitorëve të tregut. Borxhet tatimore, konfirmohen edhe nga burimet zyrtare të tatimeve, ku nw janar të këtij viti ARMO është përfshirë në listën e tatimpaguesve të këqinj ndaj të cilit do të nisë mbledhja e detyrimeve me forcë nëpërmjet sekuestrove.

Tatimorët gjatë vitit 2014 hoqën masat shtrënguesve për mbledhjen e detyrimeve me forcë të ARMO-s, duke i lënë vend një marrëveshje tatimore për të paguar detyrimet me këste. Por siç është para këtë vit azerët kanë dështuar të paguajnë dhe sekuestrot tatimorë tashmë janë në fuqi.

Gjatë këtij viti ARMO ka qenë në presionin e sekuestrove edhe nga përmbaruesit privat.

Zyra përmbarimore Tirane ku është urdhëruar:”Qendra Kombëtare e Regjistrimit te vendose masën e sekuestros konservative mbi kapitalin e subjektit juridik te debitorit A.R.M.O.

Shoqëria Përmbaruese Private “E.P.S.A.” sh.p.k., ka urdhëruar Qendrën Kombëtare të Regjistrimit Tiranë të kryejë veprimet për bllokimin e kuotave/ aksioneve dhe e të drejtave që rrjedhin nga zotërimi i kuotave për debitorin shoqëria “ARMO” sh.a. deri në një urdhër të dytë nga përmbaruesi gjyqësor.

Sipas të dhënave nga Ministria e Energjetikës, nga 60 mijë tonë që kishte përpunuar ARMO në vitin 2013, kjo sasi më 2014 arriti në 260 mijë tonë, ndërsa këtë vit pritet që nafta e përpunuar të arrijë në 600 mijë tonë.

Të dhënat e bilancit të dorëzuar nga kompania për vitin 2013 flasin për të ardhura minimale dhe humbje tepër të mëdha, që janë dyfishuar, si rrjedhojë e zhvlerësimit të aseteve të kompanisë. Sipas të dhënave të raportuara në bilanc, të ardhurat e ARMO-s për vitin 2013 ishin 3.34 miliardë lekë (rreth 24 milionë euro), me një rënie prej 43% me bazë vjetore. Humbjet e kompanisë ishin tepër të mëdha, duke arritur në total 48 miliardë lekë (apo 344 milionë euro), nga 12 miliardë lekë që kishin qenë në vitin 2012.

Humbjet operative u dyfishuan nga 11 miliardë lekë në 23 miliardë lekë në 2013-n, si rrjedhojë e rënies në vlerë të aktiveve financiare, shpenzimeve për provigjione dhe të tjera. Goditjen përfundimtare kompania e mori nga rivlerësimi i pronës, që i shkaktoi një humbje prej 24 miliardë lekësh, duke e dyfishuar humbjen në total.

Edhe gjatë vitit 2014, mbi ARMO-n janë lëshuar përmbaruesit dhe tatimorët për arkëtimin me forcë të detyrimeve.

Aktualisht një pjesë të aktivitetit të ARMO po e ushtron përmes leasing TPD-Trading Petrol & Drilling sh.a., kompania që pak kohë më parë fitoi tenderin për të blerë 100 mijë tonë naftë bruto nga Albpetrol në një ankand të hapur.

Revista Monitor,  17.06.2015