Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Ndëshkim abuzuesve me karburantet

Prononcimi i Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri gjatë inspektimit në terren, në kuadër të operacionit për kontrollin fiskal, cilësor dhe sasior të pikave të tregtimit me shumicë dhe pakicë të lëndëve hidrokarbure:

Përshëndetje,

Jemi në një proces të kontrollit të një prej pikave të karburanteve. Është një proces tanimë i njohur për publikun, me një intensitet të lartë në kuadër të operacionit shumë të rëndësishëm që ka ndërmarrë qeveria, për të luftuar problematikat e sektorit hidrokarbur, kryesisht evazionin fiskal, problemet e cilësisë dhe standardeve të produkteve.

Në këtë operacion janë sëbashku disa institucione. Në krahun tim ndodhet edhe drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial, pra ai që deri dje njihej si IQT. Ky inspektorat përgjegjës po ushtron të gjitha kompetencat brenda kapaciteteve ligjore, për të mbrojtur konsumatorin shqiptar dhe për të mbrojtur tregun përmes standardeve të kërkuara.

Operacioni ka një intensitet të lartë, deri më tani kanë kaluar në filtër mbi 16% e subjekteve që tregtojnë karburante. Mund të themi se kemi konstatuar një pjesë të problemeve, të cilat po adresohen si me masa ndëshkimore, ashtu edhe me masa të karakterit korrektues. Këtu përfshihen edhe ndryshimet që po bëjmë në kuadrin ligjor, për ta forcuar më shumë kontrollin e këtij tregu.

Konstatimet kryesore deri më tani kanë të bëjnë kryesisht me problematikën e evazionit fiskal, gjithashtu në disa raste edhe shmangia nga standardet. Ky proces kontrolli do të vazhdojë, duke u forcuar dhe duke u bërë edhe më i imtësishëm.

Përveç revokimeve të licencave, përmes ndryshimeve ligjore të bëra në vitin e fundit dhe aktet respektive, i është dhënë fund edhe procesit të përpunimit të naftës bruto në mënyrë të pakontrolluar. Ato impiante tanimë nuk marrin më naftë bruto dhe nuk janë të gjendje më të kontaminojnë produktet pasi duhet të respektojnë standardet.

Këto impiante nuk kanë më të drejtë të përpunojnë naftë bruto dhe me udhëzimet që kam nxjerrë si Ministër, me aktet që ka nxjerrë qeveria, kompanitë që prodhojnë naftë bruto janë të detyruara të furnizojnë vetëm rafineritë në Shqipëri. Ju e dini se sa rafineri ka, janë dy të tilla dhe ato janë të vetmet që e bëjnë përpunimin dhe eksportojnë përmes pikave të miratuara.

Ky është një element shumë i rëndësishëm sepse më parë ky proces ka qenë i pakontrolluar. Garantojmë qytetarët se procesi i kontrollit do të vazhdojë, ata do të jenë më të mbrojtur përsa i përket standardeve. Ky operacion ka gjithashtu rëndësi pasi do të sjellë më shumë të ardhura në Buxhetin e Shtetit. Nëpërmjet konstatimeve dhe masave ndaj pikave të ndryshme që kanë bërë shmangie fiskale, të cilat nuk kanë pasur kasa apo përdornin pompa mekanike duke fshehur sasitë që shisnin, arka e shtetit do të jetë më e shëndoshë.

Qeveria, vitin e kaluar ka kryer investime dhe do të vazhdojë të kryejë, në mënyrë që laboratori jonë për kontrollin e cilësisë të jetë brenda të gjitha standardeve. Duhet ta themi se disa produkte shqiptare, të cilat prodhohen këtu, kanë pasur mundësi të eksportohen dhe në vendet fqinje. Çertifikimet e laboratorit kanë qenë të njohura nga këto vende dhe kanë kaluar testin e cilësisë.

Pyetje: Z.Ministër, kemi më shumë shqetësim cilësinë apo evazionin në këtë treg?

Ministri Gjiknuri: Të gjitha janë të lidhura sepse mbrojtja e standardit është shumë e rëndësishme por kjo ndikon edhe në kontributin që kjo industri jep në Buxhetin e Shtetit. Të paktën nga konstatimet e deritanishme, aspektet fiskale janë të rëndësishme. Evazioni ka qenë i madh, edhe për shkak të manovrimeve që kanë bërë shumë pika të ndryshme karburanti në lidhje me përdorimin e pompave manuale, me pretendimin se gjoja nuk funksiononte pompa automatike. Kjo gjë nuk po ndodh më dhe të paktën nga të dhënat e fundit është shtuar shumë më tepër deklarimi dhe prerja e kuponëve tatimorë. Pikërisht për shkak të këtij operacioni, janë shtuar në një masë të madhe deklarimet e xhiros reale, që do të thotë më shumë të ardhura për Buxhetin e Shtetit.

Pyetje: Sa është shtuar?

Ministri Gjiknuri: Nga të dhënat e fundit janë 10% më shumë kuponë tatimore në këtë periudhë. Do të thotë që po luftohet një pjesë e errët që ka pasur të bëjë me shmangiet fiskale dhe që është shumë e rëndësishme, mbi të gjitha për vet qytetarin shqiptar. Pse ka rëndësi kjo? Së pari garantohet mbrojtja e qytetarit nga standardi i hidrokarbureve dhe së dyti qytetarët shohin të mbrohet paraja e tyre, pra Buxheti i Shtetit.

Së fundi, publiku e ka mundësinë të marrë informacione në ëebsitet përkatëse të institucioneve, si të Inspektoratit, si të Ministrisë në lidhje me ato subjekte që bëjnë shmangien. Kjo është shumë e rëndësishme pasi dikur ka qenë problem publikimi. Me ndryshimet ligjore, të ndodhura vitin e kaluar nuk është më sekret emri i shoqërive, emri i stacioneve të karburantit, të cilat shesin produkte jashtë standardit apo kanë probleme të tjera. Vet qytetarët shqiptarë duhet të jenë të parët që të bojkotojnë ato pika që realisht i dëmtojnë ata, dëmtojnë edhe shtetin.

Ato subjekte të cilave ju është hequr licenca nuk mund të operojnë më në treg. Ne po bëjmë edhe disa ndryshime që kanë të bëjmë me sekuestrimin e mallit, sepse kjo më parë ka qenë një problem. Është edhe problem teknik, por ju them se me masat e reja që do të miratohen në të ardhmen, shteti do ti ketë të gjitha instrumentet për të ndëshkuar çdo lloj abuzimi në këtë sektor.

Deklarata e drejtueses së Inspektoratit Shtetëror, Teknik dhe Industrial znj. Ejana Xhixha:

Desha t’iu jap disa të dhëna mbi ekzaminimet që ofrohen në laboratorin e Inspektoratit. Është një laborator i akredituar që në vitin 2012 dhe kryen një gamë e gjerë ekzaminimesh. 84 prova janë të akredituara nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit, duke garantuar kështu një ekzaminim, një siguri në lidhje me rezultatet dhe certifikimet e cilësisë që ne kryejmë për produktet që tregtohen brenda territorit të Shqipërisë.

Ashtu sikurse edhe Ministri e përmendi, ka qenë në vëmendjen e qeverisë përmirësimi i cilësisë së standardit të produkteve hidrokarbure dhe kjo përkthehet edhe në vlerën e investimeve të kryera në laboratorin tonë. Edhe për këtë vit, ne kemi marrë një vëmendje buxhetore për të shtuar teknologjinë në laborator. Ashtu sikurse dua t’ju them se ju jeni njohur edhe me publikimet tona të përmuajshme, për masat administrative të marra nga inspektimi i vazhdueshëm që ne i bëjmë pikave të tregtimit të produkteve hidrokarbure.

Në këtë kuadër të riorganizimit të veprimit si Task-Forcë, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, po arrijmë të identifikojmë dhe analizojmë plotësisht problematikat. Gjithashtu na krijohet mundësia për të parë se çfarë elementësh duhet përmirësuar në sektorin hidrokarbur, në pjesën e tregtimit të produkteve hidrokarbure dhe jo vetëm të para në pikëpamje të standardit të cilësisë. Pavarësisht nevojës për përmirësime të mëtejshme, vihet re një përmirësim i matshëm i standardit të cilësisë.

Pyetje: Tashmë që kemi një panoramë më të qartë të tregut, sa përqind e tij  mund të ketë probleme me cilësinë?

Drejtohesha Xhixha: Aktualisht, po flasim vetëm me statistikat e këtij kontrolli të përbashkët nga Task-Forca, janë kontrolluar rreth 16% e totalit të tregut. Në total me mostrat e marra, flasim gjithmonë për standardin e cilësisë, kemi vetëm 6% të produkteve që kanë tejkalim të standardit.

energjia.al  21.05.2015