Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ish-drejtori i Bankers shpenzoi rreth 80 mijë € për koleksionin privat me verëra

Skemat që ish Drejtori i Bankers Petroleum, Leonidha Çobo ngriti, sipas akuzës për përfitime personale, i zhvilluan atij edhe pasione luksi. Një ndër to, ishte koleksionimi i verërave të shtrenjta franceze që kushtonin mijëra euro. Hetimet zbuluan që gjatë bashkëpunimit me drejtuesit e “Elbu 2009”, kompani që ofronte në Bankers shërbime në kontrollin teknik të pajisjeve nën presion, pajisjeve të zjarrit, Çobo shfrytëzoi mundësinë për të “konvertuar” disa ‘komisione’ të tij me verëra të markave VIP.

Urdhrat e blerjes së pijes në tregjet evropiane u mbuluan nga kompania “Elbu 2009”, që garantoi nga pagesa te transporti në shtëpi.

Brenda një kohe të shkurtër, Çobo vlerësohet të ketë shpenzuar rreth 80 mijë euro për koleksionin e tij privat me verë. Për verëra të ndryshme franceze si Chateau, Chablis, Burgundy, Bordeaux, Mouton Rothschild,Margaux ish-drejtori ka shpenzuar në vlera që arrijnë deri në 13.500 euro për një arkë.

Blerja e kompanisë

Dokumentet që po hetohen tregojnë se në verën e vitit 2014, Leonidha Çobo planifikoi të krijojë një kompani të re për ta “shndërruar” në nënkontraktorin e Bankers. Por procedurat e akreditimit dhe licencimit shkonin deri në 6 muaj dhe palët vendosën të blinin një kompani operuese dhe aktive në treg. U vendos që në korrik të 2014 të blinin kompaninë “Elbu 2009” që ofronte shërbime në kontrollin teknik të pajisjeve nën presion, pajisjeve të zjarrit, etj. Kjo mundësoi fillimin e bashkëpunimit të këtij nënkontraktori me Bankers Petroleum Albania dhe rrjedhimisht (sipas dyshimeve) edhe përfitimin personal nga Leonidha Cobo.

Për vetëm tre vjet nga 2015- ta deri në 2017-n kohë kur kompania ndryshoi emrin e saj në Swiss Approval Albania, ish-menaxheri i përgjithshëm i Bankers sipas akuzës ka përfituar rreth 24 milion lekë për “favorizimin” e kësaj kontrate.

Përfitime të planifikuara

Krijimi i kësaj kompanie, sipas dyshimeve të mbështetura në disa dokumente, tregojnë përfitimet e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të kompanisë më të madhe të naftës në vend, Bankers Petroleum Albania. Leonidha Çobo planifikoi dhe mbështeti kontraktimin e një kompanie të re, së cilës i garantoi një kontratë qindra milionëshe me Bankers. Skema do t’i siguronte ish-drejtorit Çobo të ardhura të larta të përsëritura. Faktet e mbledhura konfirmojnë se kompania “Elbu 2009”, sot “Swiss Approval Albania” ka lëshuar fatura për Bankers rreth 200 milionë lekë në tre vjet, nga të cilat më shumë se 10% dyshohet se shkonin në “xhepat” e ish-drejtorit.

Shqiptarja.com  17.09.2020