Ringrihet pas COVID-it, Bankers Petroleum rifillon prodhimin e naftës…95% e puseve në Patos-Marinzë në punë!
Pas gati një muaji të pezulluar për shkak të pandemisë COVID-19, kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, Bankers Petroleum Albania, po i rikthehet aktivitetit normal të biznesit duke rifilluar dita-ditës prodhimin e naftës së papërpunuar pasi u ndikua negativisht nga fillimi i pandemisë Covid-19.
Aktualisht pothuajse 95% e puseve në fushën Patos-Marinza janë rivënë në punë dhe kanë rifilluar operacionet e prodhimit të naftës papërpunuar.
“Ne planifikojmë të shënojmë një nivel të përgjithshëm të prodhimit prej rreth 60 mijë ton naftë bruto brenda këtij muaji, e gjithë kjo falë rezultateve pozitive që ne kemi shënuar si pasojë e mirë-menaxhimit të fushës Patos-Marinzës”, thotë zv.Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë, z.Luntao Chen.
E gjithë kjo sasi nafte do të shitet në eksport dhe tregun e brendshëm, tek rafineritë lokale.
Gjatë muajit qershor, kompania do të realizojë dy ngarkesa eksporti, me një sasi totale prej rreth 40,000 ton.
Ndërkohë në tregun e brendshëm, Bankers i ka shitur rafinerisë së Fierit rreth 9 mijë ton në muajin maj, dhe planifikon që në muajin qershor të shesë një total prej 10 mijë ton për këtë rafineri, proces që po vijon aktualisht.
Drejtuesit e Bankers synojnë të jenë më agresiv në muajin korrik, kur planifikohet që prodhimi i naftës të tejkalojë 63,000 ton, me qëllimin për ta shitur sa më shumë të jetë e mundur në rafineritë.
Shqiptarja.com 24.06.2020