Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ish-drejtori i Bankers u ‘vetëpagua’ si konsulent! Zbulohen transaksionet qindra mijëra dollarëshe

Ish drejtori i BANKERS, Leonidha Çobo ka përfituar qindra mijë dollarë në dëm të kompanisë naftënxjerrëse, përmes vendimmarrjeve të tij në interes të firmës së huaj, Mab Oil. Nga investigimet  kanë dalë dokumentet të cilat tregojnë shpërblimet  nga italiani Massmiliano Calabro për kontratën e Bankersit përmes “MAB Oil Ltd”.

Dosja, e cila po hetohet nga Prokuroria e Romës përmban kopje të transaksioneve mes palëve. Kompania “Mab Oil” dhe Massimiliano Calabro, drejtues i saj, kanë bërë pagesa periodike për llogari të Çobos dhe ky fakt u zbulua nga transfertat bankare në llogari të tij. Ish drejtori i Bankers përfitonte  mesatarisht 100-160 mijë USD çdo vit në formë “komisionesh”. Bashkëpunimi mes tyre funksionoi për më shumë se 10 vjet deri kur Bankers ndërpreu kontratën me këtë kompani.

Hetimet e prokurorisë italiane, ekspozojnë abuzimin e Leonidha Çobos me të ardhurat e një kompanie, si Bankers Petroleum Albania, që shfrytëzon një nga asetet më të rëndësishme publike në vend, fushën naftë-mbajtëse të Patos-Marinzës. Duke patur pozicion vendimmarrës, ai i mundësoi vetes të ardhura të majme, duke “sakrifikuar” ato që Bankers gjeneronte nga nxjerrja e naftës, duke cenuar kështu jo vetëm bilancin e kompanisë, por edhe pagesat për shtetin shqiptar.

Lidhja me nën-kontraktorin

Në vitin 2009 Massimiliano Calabro nisi të bashkëpunonte me kompaninë naftënxjerrëse Bankers Petroleum Albania në fushën e tregtimit të naftës në tregjet e huaja. Ai mundësonte dhe këshillonte gjetjen e tregjeve dhe blerësve të naftës bruto, kryesisht në Evropë.

Nga 2009 deri në 2011 Calabro paguhej në varësi të kontratave dhe shitjeve që siguronte për Bankers. Por 2 vite më pas, kompania e drejtuar nga Calabro siguroi  një kontratë shumë më të favorshme, me një pagesë mujore fikse dhe bonuse më të larta për fitimet e realizuara. Kjo i garantonte të ardhura Calabros edhe në raste kur nuk arrinte të nënshkruante kontrata shitjeje në interes të Bankers. Ky ndryshim i favorshëm në kontratë dyshohet të ketë ardhur si rrjedhojë e komisioneve që Çobo përfitonte rregullisht nga kjo kompani, citohet në dosjen hetimore.

Transaksionet

Dosja në duart e hetuesve italianë  përmban transaksione mbi pagesat që MAB Oil realizonte për llogari të ish-drejtuesit të Bankers Petroleum Albania, Leonidha Çobo.

Sipas dokumenteve, vetëm në muajin korrik 2011 , ai u pagua 32 mijë USD  me përshkrimin e pagesës “shërbime konsulence”.   Edhe pse ishte në konflikt të hapur interesi Çobo përfitoi pagesa mujore në vlera të mëdha që varionin deri në 30 mijë – 32 mijë USD nga kompania Mab Oil.

Prokuroria ka gjetur një faturë me përshkrim të hollësishëm që Leonidha Cobo i dorëzoi MAB Oil për shërbimet e tij si konsulent. Në faturë detajohet se pagesa prej 160,000 dollarësh përfshin edhe shërbimin për ndryshimin e kontratës midis Bankers dhe Mab Oil në vitin 2011, që siç tregojnë faktet u realizua në kushte shumë më të favorshme për këtë nën-kontraktor.

Kjo kompani e pagoi Çobon si konsulent në të njëjtën kohë kur ai mbante pozicionet më të larta në Bankers Petroleum Albania dhe kishte kompetencën për të miratuar dhe firmosur jo vetëm kontratat me nënkontraktorë të ndryshëm, por edhe tarifat përkatëse. Lidhja e kontratave nga ana e drejtuesit si ofertues nuk lejohet.

Pagesa per udhëtime private dhe persona të afërt

Por pagesat e Mab Oil për ish drejtorin e Bankers nuk janë kufizuar vetëm në “shërbime konsulence”. Calabro është kujdesur edhe për udhëtimet private të Çobos. Nga pasqyra bankare e Mab Oil tregohet se kjo kompani pagoi për dy netë qëndrimi të tij në Romë, Itali.

Por ish-drejtori i kompanisë përmes lidhjes fitimprurëse ka ndikuar edhe në mirëqenien e lidhjeve të tij të ngushta. Në një e-mail  në dhjetor të 2015, Calabro informonte Çobon se kishte likuiduar detyrimet tek një konsulent në Itali i kontraktuar për të realizuar dokumentacionin e nevojshëm për zhvendosjen e shtetases T.Z në Itali. Në total, MAB Oil pagoi rreth 27,000 EUR për të gjithë dokumentacionin; leje pune, kontratë, etj, dhe informoi në detaje ish-drejtorin e Bankers për pagesat dhe veprimet e kryera.

Shqiptarja.com  11.09.2020