Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis proçedura për dekomisionimin e ‘Kosova A’

Zyra e Bashkimit Evropian ka hapur tender për konsulencë për dekomisionimin e termocentralit “Kosova A”.

Kompania që do të përzgjidhet nga Zyra e BE-së pritet të ofrojë këshilla për Qeverinë e Kosovës dhe KEK-un për dekomisionimin e këtij termocentrali, si dhe duhet t’i përgatisë të gjitha studimet e nevojshme për këtë proces, në bazë të praktikave të BE-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Hapja e tenderit nga Zyra e BE-së është bërë në kohën kur në Qeverinë e Kosovës është projektpropozim për rindërtimin e termocentralit “Kosova A”. Po ashtu, edhe zyrtarisht Qeveria e Kosovës po synon që këtë termocentral të mos e mbyllë deri në fillimin e prodhimit të energjisë nga termocentrali “Kosova e Re”.

“Projekti do ta mbështesë Qeverinë dhe grupet e punës, të caktuara për dekomisionim të ‘Kosovës A’, gjatë procesit të dekomisionimit të objekteve të planifikuara për dekomisionim”, thuhet në tenderin e hapur nga Zyra e BE-së. Për këtë tender janë ndarë një shumë prej rreth 2 milionë eurosh, ndërsa ka zotime se do të ndahen rreth 60 milionë euro për dekomisionimin e këtij termocentrali deri në janar të vitit 2018.

Telegrafi, 19.05.2015