Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri investitorëve italianë: Koha të vini në Shqipëri

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në aktivitetin me sipërmarrësit italianë “Building Together”

Faleminderit për ftesën dhe për mundësinë që më jepni për të ju drejtuar këtij forumi të rëndësishëm. Gjej rastin të shpreh falenderim edhe për ambasadorin Gaiani për këmbënguljen e tij për organizimin e këtij aktiviteti. Një kontribut i tij i vazhdueshëm në drejtim të rritjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, sidomos në aspektet ekonomike.Sidomos në sektorin energjetik, ambasadori personalisht ka patur një vëmendje të veçantë dhe sëbashku kemi punuar edhe për projekte me karakter publik, me ndihmën e koperacionit italian. Patjetër, edhe fondet italiane shtetërore janë të mirëpritura pasi kontribuojnë direkt tek investimet dhe ndikojnë edhe tek siguria e investimeve italiane në sektorin energjetik.

Investitorët italianë janë shumë prezent në sektorin energjetik, sidomos në pjesën e prodhimit të energjisë elektrike, në burimet e rinovueshme, kryesisht në hidrocentrale.

Megjithë vështirësitë që sektori energjitik ka patur në këto vite, këta investitorë luajnë një rol të rëndësishëm dhe unë kam patur me ta një bashkëpunim të vazhdueshëm. Përmes një dialogu dhe reformave të thella e të forta strukturore në sektorin energjitik, ne ja kemi dalë që të kthejmë besimin në këtë sektor të rëndësishëm i cili do të vazhdojë të mbetet lideri përsa i përket kontributit në Prodhimin e Përgjithshëm të Shqipërisë dhe lider në investimet e huaja. Patjetër, kompanitë italiane do ta kenë zërin e tyre këtu.

Le të flasim për disa gjëra konkrete, për të cilat mund të dëgjoni edhe nga investitorët që veprojnë aktualisht në Shqipëri por është mirë ti qartësojmë për ti kuptuar më mirë. Sektori elektroenergjetik ka qenë i famshëm për humbjet dhe abuzimet me energjinë. Pikërisht, për shkak të reformave të ndërmarra në dy vitet e fundit, kemi një reduktim të madh të humbjeve jo komerciale në rrjetin energjetik, si dhe një likuiditet të shtuar përsa i përket pagesave. Mjafton të ju them se pagesat tashmë janë mbi 40% më shumë se sa ato të viteve të shkuara. Kjo do të thotë se ka garanci financiare në pagesat e energjisë elektrike, do të thotë garanci financiare edhe për pagesat e prodhuesve në një treg që sa vjen e liberalizohet.

Më shumë se sa fjalët e bukura, njerëzit duhet të besojnë tek shifrat dhe shifrat janë shumë konkrete. Mund tua thonë investitorët që janë këtu në sallë apo edhe të tjerë që kanë lidhje me sektorin energjitik në Shqipëri. Kemi patur një deficit financiar me prodhuesit privat të energjisë që shkonte në mbi 65 milion dollar. Për shkak të reformave, rritjes së likuditetit dhe përmirësimit financiar të sektorit, ky defiçit është zvogëluar në më pak se 20 milion dollar. Pra, për shkak të pagesave të rregullta të energjisë dhe për shkak të përmirësimit në menaxhimin e sektorit energjetik. Këtyre prodhuesve u është garantuar tanimë pagesa e faturave korente për vitin 2015. Kjo është garancia më e mirë për investimet private dhe besoj se do të vazhdojmë në këtë ritëm me reformën e nisur.

Vetëm pak ditë më parë kemi miratuar edhe Ligjin e ri për Energjinë Elektrike, i cili hedh shtratin e nevojshëm për liberalizimin e sektorit të energjisë elektrike, liberalizimin e prodhimit, fillimin e liberalizimit të shpërndarjes dhe kuptohet, hapjen e mundësive më të mëdha për investime në këtë drejtim. Shqipëria ka potenciale të mëdha përsa i përket burimeve. E tha Kryeministri, po e përsëris dhe unë dhe dua të jem më konkret pasi Shqipëria ka potenciale. Sot kemi 1400 megavat të instaluar kapacitet të prodhimit të energjisë, nga të cilat mbi 300 janë private dhe një pjesë janë në ndërtim e sipër. Shpresojmë se deri në vitin 2020, ne të kemi fuqi të instaluar rreth 2000 megavat sepse Shqipëria ka potenciale dhe për mbi 1000 të tjera, potenciale të mundshme në investime hidroenergjetike. Këto janë mundësi konkrete dhe për shkak të një disipline financiare dhe likuiditeti të shtuar në sektor, edhe këto investime bëhen të qëndrueshme. Pse bëhen të qëndrueshme?! Sepse thashë, mundësojnë pagesën, por është edhe një element tjetër që unë dua ta theksoj: ne si qeveri por edhe në bashkëpunim me institucionet financiare po investojmë përsa i përket infrastrukturës energjetike.

Në fund të fundit, çdo investim privat, sidomos në një prodhim të shtuar mbi nevojat e importit të energjisë shqiptare, të cilat janë akoma tek 35-40%, do të dojë intekonjeksione më të mira. Pra, interkonektivitet me vendet fqinje dhe në një të ardhme të afërt pse jo me Italinë, një projekt shumë i rëndësishëm, që fatkeqësisht ka mbetur mbrapa por për të cilin ne po punojmë. Po investojmë në lidhjen e Shqipërisë me Kosovën, kemi një lidhje me Malin e Zi, shpresojmë që edhe lidhja e Malit të Zi me Italinë të zhvillohet e të ndërtohet, pasi do të jetë një mundësi e mirë për tregtimin e energjisë së prodhuar në Shqipëri. Pavarësisht se ai projekt në vetvete mund të duket konkurues me lidhjen e Shqipërisë me Italinë, në fund të fundit, ne jemi të interesuar që ky projekt të zhvillohet pasi lidhja është shumë e nevojshme mes Ballkanit dhe Italisë.

Vitin tjetër fillojmë projektin e lidhjes me Maqedoninë, i cili do të vijë në Fier, pra një qytet shumë afër bregdetit. Lidhja përmes kësaj linje edhe me rrjetin bullgar do të hapë mundësi konkrete edhe për investime për rrjetin me Italinë. Këto janë zhvillime të cilat shkojnë në këtë drejtim, kuptohet do të duan vite, por ne po punojmë për këtë dhe kemi siguruar financimin për të gjitha këto lidhje interkonjeksioni. Patjetër, kjo do të krijojë një zinxhir, një mundësi më të madhe për prodhimet e tepërta të energjisë, të cilat janë jashtë konsumit të tregut shqiptar. Energji e cila mund të tregtohet në vendet fqinje, mundësisht nesër edhe në Evropë nëse ajo do të fillojë me rritjen e saj ekonomike dhe të kërkojë më shumë energji. E gjitha është energji e pastër dhe kjo duhet theksuar.

Kosova gjithashtu do të ketë nevojë për energji. Pra, unë po jap disa indikacione se si e shikojmë perspektivën e tregut, sepse në fund të fundit, çdo biznes do të niset nga fizibiliteti dhe perspektiva e tregut. Kosova është në një gjendje shumë të vështirë dhe do të jetë një importues i vazhdueshëm i energjisë elektrike, për shkak të kapaciteteve të limituara që ata kanë. Garantohet prodhimi dhe shitja edhe jashtë tregut të rregulluar, sidomos me ato investime në hidroenergji të cilat garantojnë kapacitete të mjaftueshme dhe mundësojnë rezervuar apo mundësi prodhimi të parashikueshëm. Realisht këto mundësi ofrohen.

Me ligjin e ri të energjisë elektrike ka lehtësira përsa i përket investimeve në këtë drejtim, gjithmonë procedura transparente. Jemi duke punuar dhe besoj brenda këtij viti, do ti japim fund ndryshimeve në ligjin e energjive të rinovueshme, gjithashtu edhe planit kombëtar të energjive të rinovueshme. Shpresojmë që për herë të parë të fusim edhe disa burime të reja siç janë fotovoltaikët, pra për një pjesë të vëmë një kapacitet të caktuar fotovoltaik, ashtu siç edhe biomasa. Synohet që Shqipëria, përtej elektroenergjisë të ketë dhe dy-tre burime të tjera të energjisë së gjelbër.

Një element tjetër i rëndësishëm që u përmend pak më pare është gazsjellësi Trans Adriatic. Nuk është i rëndësishëm vetëm në aspektin e infrastrukturës evropiane, por krijon mundësi edhe për përdorimin e gazit në Shqipëri. Shqipëria po punon në këtë drejtim dhe ne jemi duke përgatitur me konsulentë dhe me investime të Bashkimit Evropian, masterplanin e gazit të Shqipërisë. Kryesisht, synojmë që një pjesë e gazit të shkojë për prodhimin e energjisë elektrike, duke përbërë një burim bazë, që i kombinuar me rezervuarët e mëdha hidro që ne i kemi, të garantojë një siguri më të madhe energjetike, sidomos për kërkesën bazë por nganjëherë edhe për pikun.

Ky projekt krijon një mundësi të re për përdorimin e gazit në sektorë të ndryshëm të industrisë, pse jo edhe tek konsumatorët familjarë. Pas masterplanit, do të bëjmë studimet e detajuara për shpërndarjen e gazit në Shqipëri. Janë siguruar mbështetjet financiare dhe kjo është e rëndësishme, pra nuk po flasim për dëshira, po flasim për një projekt konkret i cili do të materializohet në vitet në vijim. Është duke u materializuar tashmë, pra po punohet në lidhje me të dhe do të jetë konkret kur gazi të jetë i vlefshëm në Shqipëri, flas për vitet 2019-2020. Kjo, patjetër do të hapë një perspektivë tjetër nga pikëpamja e investimeve dhe unë ftoj çdo kompani konsulte italiane, por nesër edhe investitorë që kanë eksperiencë në fushën e gazit. Italia ka një rrjet të zhvilluar të shpërndarjes së gazit dhe investitorët mund të jetë prezent edhe në këtë drejtim, përtej mundësive që ofrohen nëpërmjet kontraktimeve të ndërtimit të gazsjellësit TAP, ku vetëm në Shqipëri mendohet të investohet mbi 1 miliard dollar. Kjo është një mundësi e mirë dhe unë kam dijeni që një pjesë e mirë e kompanive italiane janë të kualifikuara si kontraktorët kryesorë për shkak të kapaciteteve të tyre teknike dhe aftësive që kanë demonstruar në këtë fushë.

Këto janë zhvillime të mirëpritura në sektorin energjetik, pasi jo vetëm forcojnë sigurinë energjetike të këtij vendi, gjë që është e rëndësishme për ne si qeveri dhe për mua si Ministër, por nga ana tjetër hapin mundësi të mëdha për investime në fushën e energjisë elektrike dhe në fushën e elementëve të tjerë të energjisë si gazi por edhe në hidrokarbure.

Kemi bërë gati paketën dhe në ditët në vijim do të shpallim 3 zona të reja të kërkimit në naftë. Shpresojmë që kompanitë ndërkombëtare, qoftë edhe ato italiane të mirënjohura siç është ENI, një nga kompanitë kryesore botërore, të jetë pjesë e zhvillimeve hidrokarbure në Shqipëri. Shqipëria ka burime hidrokarbure, mendohet që ka burime të mira, qoftë edhe në gaz. Të paktën perspektiva është e tillë dhe prodhimi i shtuar i hidrokarbureve në vend, jo vetëm do të rrisë prodhimin energjetik, sigurinë energjetike, por mbi të gjitha do të krijojë edhe një ekonomi shkalle shumë më të madhe, do të krijojë një zinxhir për shumë industri të tjera siç është ajo petrokimike.

Shqipëria ka pasur një industri petrokimike bazuar tek gazi dhe tek nafta. Ky shtim i prodhimit në këto dy komponentë është e pa diskutueshme që do të krijojë mundësinë edhe për industrinë petrokimike dhe kjo do të jetë një perspektivë tjetër e investimeve, pse jo edhe italiane. Kompanitë italiane kanë patjetër eksperiencë dhe njohuri shumë të mira në këtë drejtim.

Në aspektin e eficencës së energjisë dua të them dy fjalë. Shumë shpejt do të miratojmë ligjin për eficencën energjetike dhe njëkohësisht po zbatojmë disa projekte me ndihmën e donatorëve, sepse në fillim do të jetë shteti ai që do ti promovojë këto projekte. Edhe në aspektin e eficencës energjetike ka mundësi të mëdha për të kursyer. Pse?! Nëpërmjet reformave tarifore dhe nëpërmjet luftës së informalitetit në sektorin e energjisë elektrike po kuptohet se energjia elektrike nuk është më një mall i lirë që gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë por një mall që kushton. Kjo i çon konsumatorët që të marrin masa për uljen e konsumit dhe të investojnë në elementë që vërtet ta kthejnë investimin mbrapsht nëpërmjet kursimit të energjisë elektrike.

Në fushën e eficencës, jemi duke zhvilluar disa projekte me godinat publike. Po investojmë disa miliona euro vetëm këtë vit për përmirësimin e disa infrastrukturave publike, gjithnjë përsa i përket eficencës në energji. Po bisedojmë edhe me institucione të tjera financiare për të krijuar një fond të eficencës energjetike dhe mendoj se kompanitë italiane i kanë të gjitha mundësitë që të hyjnë edhe në këtë sektor. Jam i bindur sepse unë kam patur kontakte me shumë kompani dhe në Itali ka shumë zhvillime në këtë drejtim, në sektorin e eficencës së energjisë elektrike. Për mendimin tim është një treg jashtëzakonisht i madh nëse do dihet të përdoret në mënyrën e duhur. Disiplina përsa i përket masave financiare në sektorin energjetik do të qëndrojë ashtu siç është tani dhe nevoja do të jetë aty.

Kjo është një panoramë e përgjithshme për sa i takon zhvillimeve në sektor. Ne si qeveri po investojmë në rrjete dhe në infrastructure, për të lehtësuar kapitalin dhe për të siguruar tregun e nevojshëm në pikëpamjen e pasjes së një infrastrukture të nevojshme për ta zhvilluar. Nga ana tjetër, i takon investitorëve privat si në sektorin e prodhimit, nesër edhe në shpërndarje, në një treg të liberalizuar, të marrin rolin e tyre nëpërmjet investimeve. Qeveria shqiptare, përfshirë edhe ato paketa që u përmendën nga Ministri Ekonomisë për lehtësira të ndryshme të investitorëve strategjikë garanton një një treg të qëndrueshëm, një treg me zhvillime rajonale. Kompanitë italiane do të vazhdojnë të jenë lider në këtë sektor dhe unë si ministër, Ministria e Energjisë dhe Qeveria shqiptare garanton një transparencë të plotë dhe komunikim të vazhdueshëm, siç kemi pasur deri tani. Do të ftojmë sa më shumë investitorë për të investuar në këtë sektor i cili mbetet një nga sektorët lider në këtë drejtim. Kompanitë tuaja, siç kanë qenë deri tani të shumta në numër, do të sjellin edhe të tjera për të investuar në këtë sektor me shumë potenciale.

Është momenti i duhur për të ardhur në Shqipëri, pasi kjo qeveri ka demonstruar, dhe nuk e them këtë për propagandë politike, por ka demonstruar me masa konkrete që ka kryer reforma strukturore që mund të kenë pasur edhe kosto politike, por që janë shumë të nevojshme për perspektivën e zhvillimit, për qëndrueshmërinë e investimeve dhe për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.

Ju faleminderit dhe ju uroj sukses në këtë aktivitet!

energjia.al 15.05.2015