Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Merren në pyetje 4 drejtues të Bankers

Katër zyrtarë të lartë të kompanisë kanadeze të karburanteve “Bankers Petroleum” janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e rrethit të Fierit. Lajmin u bë i ditur nga burime pranë organit të akuzës në Fier, sipas të cilave, fletëthirrje janë lëshuar edhe për tre drejtues të tjerë të huaj të kompanisë kanadeze. Këta persona mësohet se, kanë dhënë shpjegime për çfarë ka ndodhur një muaj më parë, teksa gjatë kërkimeve për naftë në Marinzë shpërtheu gazi, duke sjellë dëme të shumta në shtëpitë e banorëve dhe ndotje të madhe mjedisore.

Mësohet se seanca e marrjes në pyetje ka zgjatur disa orë, ku administratori shqiptar i kësaj kompanie, Leonidha Çobo, dhe tre kanadezë u janë përgjigjur pyetjeve të prokurorëve të çështjes. Organi i akuzës tha se nga marrja në pyetje e zyrtarëve të “Bankers”-it, është mësuar versioni i tyre për shkaqet e shpërthimit.

Raporti i grupit të punës, ngritur nga Ministria e Energjisë pak ditë pas shpërthimit, bëri përgjegjëse kompaninë “Bankers” për këtë incident që shkatërroi shtëpitë e banorëve të zonës dhe solli shumë dëme në ekonomitë e tyre familjare. Shpërthimi i fontanës së gazit në Marinzë në datën 1 prill dëmtoi mbi 120 shtëpi dhe shkaktoi ndotje të lartë mjedisore, që solli probleme shëndetësore për banorët.

Hetimi dhe akuza për shkatërrim prone dhe ndotje mjedisi është në vazhdim, ku priten raportet zyrtare të Drejtorisë së Shëndetit Publik, Inspektoratit Mjedisor dhe Institutit Gjeologjik për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Nga monitorimi i Institutit të Shëndetit Publik rezultoi se, niveli i gazit metan ishte disa herë mbi normë, ndërsa një raport i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit doli në përfundimin se ajri është ndotur në të gjithë parametrat e tij.

Nga ndotja e shkaktuar janë prekur edhe produktet blegtorale të kësaj zone. Për këtë arsye Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bëri një inspektim në këtë zonë për të kontrolluar cilësinë e këtyre produkteve. Kompanitë e përpunimit të qumështit nuk e blejnë më qumështin dhe nënproduktet e tij në fshatin Marinzë të Fierit. Sipas banorëve, toka ku ushqehen bagëtitë është kontaminuar nga gazra helmues, që shkaktohen nga punimet e kompanisë “Bankers”. Inspektorët e AKU-së morën mostra nga qumështi i bagëtive që ushqehen në Marinzë dhe do të analizojnë përmbajtjen e tyre në laboratorët përkatës. Rezultate pritet të dalin pas tre ditësh.

Një muaj pas shpërthimeve të dy puseve të naftës të “Bankres Petroluem”, në Marinzë ka ende lëndë të forta, të cilat mund të vënë në rrezik jetën e banorëve. Këta të fundit vazhdojnë manifestimet kundër kompanisë “Bankers”. Pak ditë më parë në shenjë proteste ata derdhën para zyrave të informacioni të kompanisë enët me qumësht. Blegtorët ankohen se produktet e tyre nuk pranohet nga asnjë kompani e përpunimit të qumështit, pasi rezulton i kontaminuar.Ata kërkojnë nga kompania që të trajtohen të gjithë si palë e dëmtuar, në mënyrë që t’i dëmshpërblejë për dëmet e shkaktuara ndër vite.

Shkaktarët e shpërthimit

Pas analizës së situatës, Ministria e Energjisë dhe Industrisë publikoi një raport paraprak, ku thuhej se shpërthimet u shkaktuan nga mos montimi i linjës së dytë të preventorëve, megjithëse kjo ishte parashikuar në projekt. Kjo vështirësoi manovrimet e personelit të sondës, të cilët nuk kishin të gjithë pajisjet e duhura për të vënë nën kontroll këtë fontantë. Po ashtu, edhe prezenca e gazit u vlerësua si një tjetër shkak për shpërthimin. Dëme të mëdha në mjedis u shkaktuan nga shpërthimet, por në përgjithësi edhe nga mënyra si punon kompania “Bankers Petroleum” prej shumë vitesh.

Gazeta Shekulli, 05.05.2015