Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kuvendi diskuton mbi konçesione HEC-esh

Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot nën drejtimin e Kryetarit, z. Ilir Meta në seancë plenare për të miratuar disa projektligje të rëndësishme në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë.
Kuvendi diskutoi mbi projektligjit “Për heqjen nga fondi pyjor dhe kullotësor Kombëtar të sipërfaqes dhe zvogëlimin në vëllim të fondit pyjor Kombëtar në ngastrat e ekonomive pyjore “Gojan – Shkozë”, “Gjegjan – Shkozë”, “Lumi i Zi”, “Lugina e Fanit të Madh”, “Qafëmollë”, “Fang”, “Spaç” dhe “Shkallgjanë”, të cilat preken nga ndërtimi i Hidrocentraleve në Gojan Gjegjan, Peshqesh, Ura e Fanit dhe Fang, që do të ndërtohen nga shoqëria “AYEN AS ENERGY”, sh.a”.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka duke marrë fjalën tha se janë disa koncesione të dhëna si për ndërtimin e hidrocentraleve, minierave e shumë aktivitete të tjera. “Projektligji i paraqitur parashikon heqjen e rreth 600 hektarëve nga fondi pyjor . Me miratimin e këtij projektligji do të kryhet heqja e sipërfaqes pyjore nga Fondi Pyjor dhe Kullosor Kombëtar për ndërtimin e HEC-eve mbi lumin Fan. Objektivi është përcaktimi i procedurave që do të ndiqen për heqjen e sipërfaqes pyjore, objekt i ndërtimit, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kontratës së koncesionit, të formës “BOT”, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe bashkimit të shoqërive “AYEN ENERGJI A.S” dhe “A.S. ENERGY”, sh.p.k., për ndërtimin e hidrocentraleve “Gojan”, “Gjegjan”, “Peshqesh”, “Ura e Fanit” dhe “Fang”. Me këtë projektligj bëhet i mundur përcaktimi i procedurave për verifikimin në terren të sipërfaqes pyjore që ndryshon destinacioni, si rezultat i krijimit të basenit ujëmbledhës të HEC-eve mbi lumin Fan, ndërtimin e godinave dhe zëvendësimin e fondit pyjor publik, si pasojë e tjetërsimit të kategorisë së përdorimit nga pyll në sipërfaqe ujore dhe truall”, tha z. Koka.
Deputeti Sali Berisha deklaroi se qeveria po diskuton ligje të hartuara nga opozita.
Por ky pretendim u hodh poshtë nga deputeti Eduard Shalsi.
“Ligji i energjisë nuk ka qenë i përgatitur nga ju. Është diskutuar nga ju, por është bërë nga kjo qeveri”, u shpreh z. Shalsi.
Deputeti Aldo Bumçi akuzoi mazhorancën se nuk ka bërë asnjë investim në këtë sektor, në këto dy vite qeverisje. “Keni anuluar 16 kontrata koncensionare, dhe nuk kemi bërë asnjë të re. Vetëm në Qafë Mollë janë 250 milionë euro investime. Por ju çfarë keni bërë në këto vite? Keni rritur çmimin e energjisë 30 për qind të fushës së energjisë i furnizon sipërmarrësit privatë. Qeveria e re goditi investimet me energji, duke i quajtur ato investime korruptive”, tha z. Bumçi. Ky projektligj u miratua me 95 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kuvendi diskutoi dhe për projektligjin “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995, “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve te privatizimit)” dhe dekretit nr. 1049, datë 27.3.1995, “Për disa plotësime në dekretin nr.1030, datë 23.2.1995”, të ndryshuar, i cili u miratua me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Më pas deputetët vijuan me diskutimin e projektligjit “Për caktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës koncesionare/PPP, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës së Arbrit, ndërmjet shtetit Shqiptar dhe kompanisë Kineze “CHINA STATE CONSTRUCTION COMPANY”.
Ministri i Ekonomisë dhe Turizmit, Arben Ahmetaj theksoi se përpjekjet e qeverise shqiptare janë orientuar, jo vetëm në kuadër të konektivitetit, por edhe kosto e ndërtimit të rrugës do të jetë më e ulët. “Rruga e Arbërit është rruga më fizibile, që konkurron pamundësinë e Korridorit të 8, i cili sot është kthyer në vështirësi për 1 milionë arsye gjeopolitike dhe jo financiare. U takon vendimmarrësve shqiptarë të gjejnë një damar të dytë komunikimi me trevat shqiptare, apo për të lidhur Durrësin me Shkupin apo Sofjen në aspektin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Është një alternativë e drejtpërdrejtë më e lirë e Korridorit të 8”, u shpreh z. Ahmetaj
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu akuzoi qeverinë se po fsheh huanë e marrë për realizimin e Rrugës së Arbrit. Ai theksoi se për mirëmbajtjen do të paguhen 30 milionë euro në vit. “Ne do e miratojmë projektin, merreni huanë dhe ndërtojeni brenda një viti, por do mbani përgjegjësi një ditë për kreditë e fshehura”, u shpreh z. Shehu.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, u shpreh se procesi për përzgjedhjen e kompanisë ishte transparent dhe se në diskutimin e termave final të kontratës, do vijë përsëri në Parlament për t’u diskutuar.
Z. Haxhinasto tha se në 9 vite opozita e sotme nuk financoi as 50% të rrugës. “Është fatkeqësi kur aparati i mendimit analizës dhe paraqitjes së fakteve është i bazuar mbi mashtrimin, gënjeshtrën, komplotin, dhe asnjëherë në sensin që këtu kemi një vepër kombëtare që i shërben të gjithëve. U tha që kjo rrugë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga kjo qeveri. Një gënjeshtër e pastër. Shihni sa milionë janë hedhur këto dy vjet për këtë rrugë. Thoni që po vonohet projekti. Keni filluar në 2007-n, u bën 9 vjet dhe nuk u financua as 50% e rrugës. Flisni për vonesë, ju nuk keni mbaruar akoma projektin. Të bëj unë për dy vjet atë që ti s’ke bërë për dy mandate,” u shpreh z. Haxhinasto. Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi me 89 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Një tjetër projektligj i diskutuar në seancë plenare ishte dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut, për mbrojtjen shoqërore”.
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti tha se kjo marrëveshje është në vijim të kujdesit që qeveria ka ndaj qytetarëve të saj, dhe emigrantëve të cilët janë një pjesë tejet e rëndësishme për shoqërinë tonë.
“Koordinimi i skemave te mbrojtjes shoqërore për shtetasit shqiptaret që jetojnë e punojnë jashtë vendit si dhe për punonjësit komunitarë të punësuar në Shqipëri, janë në fokus të programit të qeverisë shqiptare, në zbatim të rekomandimeve të vazhdueshme të Komisionit Evropian, të Raport Progresit e të rekomandimeve të Nën komiteteve. Të nderuar kolegë, ju ftoj që të votojmë me konsensus këtë marrëveshje të rëndësishme në fushën e sigurimeve, e cila do të pasohet edhe me shumë marrëveshje të tjera si me Italinë, Greqinë ku numri i emigrantëve tanë është edhe më i lartë. Është momenti që të lëmë interesat e vogla politike, përballë një të mire sociale për të gjithë qytetarët tanë”, theksoi znj. Gjylameti.
Deputetja e PD-së, Eleina Qirici shprehu kritika për kujdesin e qeverisë në lidhje me shtresat në nevojë.
“Kjo marrëveshje zbatohet për skemën e sigurimeve shoqërore të shprehur në terma të veçantë, por ç’ndodh me shqiptarët në vendin e tyre? Me pensionet dhe me ndihmën ekonomike? Shtresat në nevojë janë të tilla sepse nuk e sigurojnë dot minimumin jetik dhe presin ndihmën ekonomike. Por qeveria ka ulur ndjeshëm këtë fillim viti pagesat e saj për shtresat në nevojë, ndërkohë që duhet të siguronte një shpërndarje më të mirë të fondeve për këto shtresa që varfëria të mos i mbytë më shumë. Por edhe kjo ndihmë ekonomike kur ju jepet, është tepër e ulët”, tha znj. Qirici.
Projektligji u miratua me 88 vota pro vota, asnjë kundër dhe asnjë aabstenim

Revista Monitor,  17.04.2015