Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et, të investosh apo të mos investosh

Investimet në HEC-e, të paktën në vendin tonë, janë mes dy zjarresh, mesnismës botërore për të siguruar energji të rinovueshme, edhe pse me çmim më të lartë se burimet e tjera të energjisë, nevojës për pavarësi energjetike dhe kostove shumë të larta, gati të papërballueshme për një sektor energji të rënduar nga borxhet dhe një rrjet i amortizuar transmetimi. Çfarë mendojnë ekspertët? Vërtet gabuam kur i shpallën HEC-et prioritet, apo janë një investim që ia vlen për ekonominë e vendit e rrjedhimisht duhet mbështetur.

Rreth pesë vite më parë, kur miniera e artë e ndërtimit në Shqipëri, nuk po shndrinte, sipërmarrësit më të mëdhenj të këtij sektori iu gëzuan nismës së qeverisë për të mbështetur ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Të gatshëm për të marrë kredi, për të bashkëpunuar me investitorë të huaj, ata qenë të bindur atëherë se një fushë e re investimi do të ishte ndërtimi i HEC-eve. Entuziazmin e dhanë edhe dy vendime qeverie, që me energjinë prioritet, hoqën TVSH për importin e makinerive, si dhe për çimenton e hekurin. Një vendim që solli uljen e të ardhurave po atë vit, ndërsa disa kantiere filluan punë. Por çfarë mendojnë sot po ata sipërmarrës?! Një pyetje që në fakt as nuk ka nevojë të ngrihet, pas paketës së vendimeve të qeverisë për të ndryshuar rregullat në tavolinë. Flitet për një situatë, krejtësisht të ndryshme krahasuar me fillimin e aktivitetit të HEC-eve, kur atyre iu dha “letër e bardhë” me firmën e Kuvendit. Me uljen e tarifës së çmimit për blerjen e energjisë, mungesën e garancive për blerjen e energjisë që po prodhojnë, e mbi të gjitha së fundi, me heqjen e titullit ekzekutiv për faturat që ata lëshojnë (më saktë, me heqjen e detyrimit të KESH për t’i paguar ata) gjendja jo vetëm është përkeqësuar, por është kritike.

Por, me gjithë mbështetjen që mund t’i jepet një sektori që shpallet prioritet, pretendimet e kompanive për të qenë të sigurta në shitjet e tyre, apo pretendimi për shitjen e energjisë me çmim, sa apo dhe pak më të lartë se ai i importit, duken të tepruara, për një ekonomi tregu të lirë, e aq më tepër për një ekonomi ku energjia, po bëhet një thes gjithnjë e më i rëndë në kurriz të buxhetit të shtetit. Në këtë pikë lind një pyetje tjetër: a mos vallë Shqipëria gaboi në shpalljen prioritet të këtij sektori e nxiti investimet, tashmë të mbetura në baltën e lumenjve shqiptarë? Apo vallë investimet në një burim të shtershëm, janë gjithnjë me vlerë, me çdo kosto?! Kjo pyetje po që ka nevojë për përgjigje. E për të shkuar te përgjigjja, duket të kujtojmë rrënjët e çështjes, përse u shpall prioritet. Ekonomistët na kujtojnë se energjia e rinovueshme, edhe pse me kosto më të shtrenjtë se burimet e tjera të energjisë, po nxitet në shumë vende të botës, e veçanërisht në Bashkimin Europian. Në këmbim të uljes së emetimit të gazit në ajër, BE ka zgjedhur ta paguajë më shtrenjtë energjinë e për këtë arsye, po e subvencionon. Ekonomisti Selami Xhepa thekson se BE ka vënë objektiva të qarta për të arritur kuota të konsiderueshme prodhimi, brenda pesë viteve të ardhshme. Ndoshta këtë e kishte harruar qeveria aktuale, shumë e zënë me reformën në energji. (nuk duam të mendojmë që po ushtrohet presion mbi investitorët e HEC-eve, për të mundësuar largimin dhe zëvendësimin me investitorë të rinj, siç dyshojnë disa ekspertë të ekonomisë), por një tjetër faktor në favor të HEC-eve, është fakti se Shqipëria vazhdon të importojë jashtë, madje një pjesë të mirë të energjisë. E në këto kushte, edhe pse 10% më shumë, blerja brenda vendit do të thotë që paratë mbeten brenda vendit, qarkullojnë këtu, në mos si investime, si shpenzime për konsum.

Pavarësia energjetike ka një çmim

Flet SELAMI XHEPA, ekonomist

Çështja e zhvillimit në burime energjetike është një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit, veçanërisht burimet energjetike të qëndrueshme. Janë objektiv thelbësor i politikave ekonomike në veçanti në Bashkimin Europian. Duke qenë se burimet nga energjia e rinovueshme kanë kosto më të lartë se burimet e tjera, por që nuk krijojnë ndotje, vetë Bashkimi Europian dhe qeveritë e BE-së po subvencionojnë në mënyrë të ndjeshme zhvillimin e këtyre politikave. Subvencionet janë për të arritur objektivin e një kuote të caktuar prodhimi deri në vitin 2020. Këtyre nismave globale u është bashkuar qeveria shqiptare. Është ndjekur përvoja e BE-së që gjithë prodhuesve të rinj të energjisë elektrike t’u jepet mundësia të nënshkruajnë një kontratë afatgjatë me KESH. Prodhuesit e mëdhenj mund ta eksportojnë edhe jashtë, por të vegjlit duhej të siguroheshin të kenë një blerës të garantuar.

Çështja e dytë është çmimi i blerjes. Me çfarë çmimi Enti Rregullator i Energjisë e detyron KESH-in të blejë me një çmim të caktuar. Çmimi është i barabartë me çmimin mesatar të importit, çka do të thotë që ky mall, edhe nëse nuk blihet brenda, duhet blerë jashtë vendit. Ndërkohë, është parashikuar çmim plus 10%. Çfarë është 10%? Është një lloj incentive për të nxitur investimin, pasi këto janë investime të mëdha komplekse, që kanë devijime edhe nga prodhimi, pas rrjedhat mund të mos jenë të qëndrueshme, për shkak të kushteve klimatike. E dyta, kompanitë që ndërtojnë HEC-e janë të detyruara të bëjnë investime deri në lidhje me tensionin e mesëm. Të gjitha këto investime që nuk lidhen drejtpërdrejt me prodhimin, duheshin bërë nga KESH, por meqë kjo mund të shoqërohej me probleme dhe vonesa, u është ngarkuar HEC-eve në këmbim të një incentive. Përveç kësaj, një vend që synon të sigurojë pavarësi energjetike, sigurisht që do të paguajë një çmim. Nuk ka asnjë vend të botës që zhvillon sektorin energjetik, pa e subvencionuar prodhimin e energjisë. Të gjitha vendet që kanë pranuar detyrimet e protokollit të Kiotos, janë të detyruara të sigurojnë burime të reja energjetike, për të reduktuar ndotjen e për të siguruar pavarësi energjetike.

Në këto kushte, masat e marra së fundi nga qeveria mund të dëmtojnë investimet jo vetëm në sektorin e energjisë, por të gjithë sektorët.

hec hidrocentrali komanOk ndryshimit të rregullave për HEC-et, por pa i dëmtuar

Zef Preçi, ekonomist

Problemi i HEC-eve të vogla do të vijë duke u bërë më kritik në vitet që vijnë, qoftë për shkak të implikimeve mjedisore, problematikës së krijuar në lidhje me kontratat e tyre e mungesës së transparencës së mjaftueshme. Sa u takon investimeve të kryera, pavarësisht kësaj, duke menduar që tregu i energjisë do të vijë duke u liberalizuar, tarifat e transmetimit do të përshtaten më shumë me tregjet rajonale, duke marrë parasysh faktin se metodologjia e përcaktimit të çmimit me shumicë, do të përputhet më shumë me trendet që kanë sot bursat apo tregjet ndërkombëtare. Detyrimisht, mendoj se investimet në këtë sektor duhen ruajtur. Pra, mbetet një sektor i rëndësishëm. Fakti që prodhimi i energjisë në total, vitin e kaluar ka rënë dhe në HEC-e është rritur, ka një domethënie të rëndësishme. Por, duhet harmonizuar me këto elemente: mjedis, kosto, hapje tregu. Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që investimet e bëra deri më sot të rivlerësohen. Kam parasysh investime të mëdha, që detyrojnë blerësin me shumicë apo OST të subvencionojnë, ta nxjerrin jashtë kushteve të tregut. Reformat liberalizuese të shoqëruara me përmirësimin e metodologjisë së përllogaritjes së çmimit me shumicë, si dhe rishikimi i kushteve të kontraktimit (pasi nëse dikush ka bërë një plan biznesi dhe marrëveshja mbi bazën e së cilës është 25 vjet dhe çmimi ndryshon, ndryshimi në ulje), qeveria nuk duhet të harrojë interesin e investitorit, të shohë mundësinë e zgjatjes së afatit të shfrytëzimit të koncesionit, apo mënyrës së transferimit. Gjithsesi, mendoj se është një investim që nuk duhet hequr dorë dhe mendoj se duhen shmangur zërat që qarkullojnë, se tregtarë të huaj kinezë apo të tjerë, janë me shpresën se do të falimentojnë dhe do të blihen lehtësisht. Në këtë kontekst është shumë e rëndësishme të respektohen të drejtat e qeverisë, por në përshtatje me zhvillimet në treg.

Pasiguria e HEC-eve, rrezik investimet e huaja

Besard Kadia, ekonomist

HEC-et private në total kanë filluar të kontribuojnë dukshëm në prodhim. Qartësisht, politika e inkurajimit të HEC-eve private ka dhënë kontributin e saj. Vlerësohet se investimi total i kompanive private në këtë industri është 500 milionë dollarë. Çdo politikë që i dekurajon, përveç ngërçit dhe falimentimit të këtyre firmave më pas, frenon edhe kreditimin në sistemin bankar. Për këtë arsye, kjo politikë duhet të jetë sa më e qartë. Kompanitë janë shprehur se kanë prodhuar energji elektrike, kjo pasiguri në këtë industri, ka pasoja negative për sektorin, por edhe për ekonominë shqiptare në tërësi.

2014, energjia e HEC-eve, 23% e totalit

Energjia e prodhuar nga HEC-et private dhe me koncesion ka vijuar ritmet e rritjes edhe gjatë vitit 2014. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, prodhimi nga HEC-et u rrit rreth 14% krahasuar me vitin 2013. Në të njëjtën kohë, prodhimi i hidrocentraleve publike shënoi një rënie me rreth 40%. Në total, kontributi nga hidrocentralet publike përfaqësoi gjatë vitit që shkoi 72,1% të prodhimit neto vendas, ndërsa prodhimi i energjisë nga prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë (për të dy arsyet: rritje e prodhimit privat, e ulje e atij publik, arriti të zërë 27,9% të totalit të prodhimit. Në vitin 2013, kontributi i HEC-eve të vogla në totalin e peshës së prodhimit të energjisë ishte 11%.

Prodhimi total i energjisë për vitin e kaluar shënoi rënie me 32%, por kjo nuk preku rentabilitetin e prodhuesve privatë, për shkak se në treg u shtuan edhe shumë operatorë të rinj.

Rritja në këto nivele e prodhimit të energjisë nga privatët vunë në vështirësi Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare KESH, e cila duhej ta blinte energjinë me çmimin mesatar 9 lekë për kilovatorë. Prodhimi i HEC-ve të vogla e kaloi programimin që kishte bërë KESH, çka bëri që ajo të akumulojë një borxh ndaj prodhuesve të vegjël në rreth 60 milionë euro vetëm për vitin 2014. Gjysma e kësaj shume është bërë e ditur se është paguar nga qeveria, ndërsa dyshohet kur mund të paguhet gjysma tjetër, kur KESH nuk gjendet më përballë faturave detyruese të HEC-eve

Për të ulur kostot e kompanisë KESH, qeveria miratoi vendimin për të ulur me 25% çmimin me të cilin HEC duhet të shesin energjinë këtë vit. Ky është një nga efektet e masave shtrënguese që qeveria po ndërmerr për të ulur borxhin prej 1 miliard dollarësh të krijuara në sistemin e energjisë.

Shoqata e Prodhuesve të Energjisë nga burimet e rinovueshme që përfaqëson edhe HEC-et koncesionare i ka kërkuar qeverisë që të zbatojë ligjin për energjinë e rinovueshme, në të kundërt industria private e prodhimit të energjisë do të duhet të përballet me falimentin.

Prodhimi i energjisë 2013 2014

Prodhimi neto vendas 6.959.326 4.726.246

Termocentrale 0 0

Hidrocentrale 6.959.326 4.726.246

Publike 5.811.762 3.408.5561

Private 1.147.564 1.317.690

Burimi: INSTAT

Revista Monitor,  11.04.2015