Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri dhe Berisha, replika në Kuvend

Seanca parlamentare nisi ditën e djeshme me diskutimin e pr.ligjit për “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe një ndryshim në ligjin “Për taksat kombëtare”.

Dy amendamentet u mbrojtën fillimisht nga kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka, i cili tha se “Paketa fiskale ka rritur taksat për 100% të qytetarëve. Të bëhet realitet ulja e TVSH-së për energjinë. Propozojmë që TVSH për energjinë të ulet nga 20 në 6 %.Ulja e TVSH s’ndikon në performancën e të ardhurave të OST, KESH, OSHEE”- diskutim ky që ka nisur që në seancat e mëparshme të Komisionit të Ekonomisë, ku maxhoranca e hodhi poshtë propozimin e opozitës.

Ndërsa deputeti socialist Ervin Koçi i cili solli në vëmendje vlerësimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për regjimin e ndjekur deri më tani nga qeveria shqiptare. “Ulja e TVSH-së për energjinë në një kohë që sistemi energjetik në vend edhe nuk është kthyer në një burim potencial të rritjes ekonomike të vendit, do të ndikonte negativisht në buxhetin e shtetit”- tha ai.

Opozita kundër maxhorancës

Sali Berisha: “2 vjet që nuk keni firmosur asnjë kontratë por vetëm keni përzënë. Ky është dështim. Ose ulni TVSH e energjisë në 6 % ose të kthejmë fashën mbrojtjëse 300 kv. Madje është jetike një aministi për të gjithë ata që kanë prapambejtje. Të bëhet një fillim i ri dhe qeveria të garantojë pagesën për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë”.

Sheferedin Shehu: “75% e shqiptarëve preken nga rritja e çmimit të energjisë. Reformat tuaja favorizojnë ata që kanë. Qytetarët e dinë se çdo të thotë heqja e fashës, të shtosh peshë mbi kurriz. Qytetarët ta dinë që vetes ua keni ulur faturat”.

Florion Mima: “Ju thoni se nuk keni para, por ky operacion nuk kushton asnjë lekë. Efekti në buxhet është neutral. Sot jemi vendi me energjinë më të shtrenjtë. Quajtët reformën më të thellë grumbullimin e të ardhurave pak më shumë se normalja. Energjia për biznesin sot është makthi i çdo investitori.”

Erion Braçe: U tha nga PD se kompensimi i energjisë elektrike është 0 lekë. Për hir të së vërtetës jemi në muajin e parë, janë 223 mijë familje të listuara për të marrë atë kompensim. Një vërejtje kam për këtë pikë, për të gjithë pensionistët kryefamiljarë nuk duhet të ketë afat për të plotësuar dokumentacionin. U tha këtu se ulja e TVSH për energjinë është pjesë e ofertës së re të PD. Të bëhemi seriozë nuk ka ofertë të re të PD. Është premtim i vitit 2005, nuk u bë në 2006 dhe madje as në 2013. Nuk keni asnjë premtim në ofertën e vjetër për uljen e TVSH. ”

Arben Ahmetaj: “Në vitin 2015 konsumi në kw/orë për kategorinë familjare është 225 milionë kw/orë. Tarifat e mbledhura 2.76 miliardë lekë. Çmimi mesatar është 11.7 lekë. Në vitin 2014, çmimi mesatar në bazë të konsumit është 11.7 lekë. Në 2013 çmimi mesatar është 11.9. në vitin 2012, kur këta kanë qenë në pushtet, çmimi mesatar ka qenë 12.4 lekë. ”

Damian Gjiknuri: “Ishit ju që nuk kishit energji në 2008 për orë të tëra. Dhe madje i çuat borxhet për KESH në 260 milionë dollarë. Kjo sepse paratë e buxhetit shkonin për sektorin energjetik. Po të mos rregullohej moti ju rrezikonit të jepnit edhe pagat. Ne ndoqëm ajo që është më e drejta. Unifikuam tarifat, duke targetuar vetëm të varfrit, dhe ata po marrin sot kompensim nga shteti. Çmimi i energjisë mesatar sot me standardin e konsumit duhet të ishte 9.78 lekë/kw për familjarin. Ka qenë një hile e luajtur për publikun, edhe faturimi 0. Janë 300 mijë klientë që nuk faturoheshin fare dhe llogariteshin tek çmimi mesatar. Çmimi që po paguajnë qytetarët është 9.5 lekë. Për ne puna nuk ishte te numrat por tek sistemi i matjes. Çelësi i suksesit këtu është pagesa e energjisë, deklaratat populiste dimë të bëjmë të gjithë.”

Revista Monitor, 09.04.2015