Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nis puna për rrugën e HEC-it të Banjës

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri dhe Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Z. Edmond Haxhinasto morën pjesë në ceremoninë e fillimit të punës për ndërtimin e rrugës zëvendësuese Banjë – Gramsh.

Kompania Devoll Hydropower është zhvilluesi i projektit dhe financuesi i ndërtimit të infrastrukturës zëvendësuese që do të përmbytet nga ky hidrocentral. Pjesë e kësaj infrastrukture është edhe rruga zëvendësuese Banjë – Gramsh dhe Ura e Trashovicës. Në ceremoni, bashkë me dy ministrat ishin edhe përfaqësues të Devoll Hydropower, Bredo Erichsen Statkraft Country Manager dhe Ola By drejtor projekti.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Gjiknuri deklaroi se ky projekt është një bashkëpunim mes qeverisë shqiptare dhe koncesionarit Statkraft, një nga koncesionarët më të mëdhenj në Shqipëri që po investon në ndërtimin e hidrocentraleve.

“Pas miratimit që i bëri parlamenti marrëveshjes, bëhet i mundur fillimi i punimeve për këtë rrugë dhe ky rreth bëhet përfundimisht me një rrugë moderne, me një rrugë brenda të gjitha standardeve e cila do të jetë një nyje lidhëse mes Gramshit dhe Elbasanit. Projekti do të vazhdojë edhe në lidhjen e rrethit të Gramshit me Korçën, pra në zonën e Moglicës dhe më tutje. Me pak investime në të ardhmen edhe nga qeveria shqiptare do të bëhet e mundur që gjithë kjo trevë të ketë një lidhje të dyfishtë, pra edhe me Elbasanin, edhe me Korçën”, u shpreh Ministri Gjiknuri.

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Z. Edmond Haxhinasto shprehu vlerësimin për  bashkëpunimin me kompaninë Devoll Hydropower, për gatishmërinë e saj për realizimin e kësaj vepre dhe për standardet e larta që do të zbatohen për realizimin e saj.

“Një zhvillim shumë i rëndësishëm në realizimin e kësaj vepre është se në projekt dhe në realizimin e saj, do të kemi një lidhje organike me të gjithë komunat dhe fshatrat përgjatë kësaj rruge, pra do të jetë një rrugë që i shërben komuniteteve. Shumë e rëndësishme është gjithashtu që në realizimin e kësaj vepre do të angazhohen rreth 600 punonjës, që do të jetë një kontribut i drejtpërdrejtë për zhvillimin e zonës dhe për aktivitetin ekonomik, për të ardhurat e familjeve të kësaj zone”, nënvizoi Haxhinasto.

Projekti parashikon një rrugë me një gjatësi prej 15.3 km, nga e cila 11.7 km është gjurmë tërësisht e re dhe 3.6 km gjatësi ndjek rrugën ekzistuese. Projekti parashikon ndërtimin e 13 urave të cilat në total kanë një gjatësi 1685 ml.

Të gjitha fshatrat që ndodhen përgjatë këtij aksi është parashikuar që të lidhen me infrastrukturën zëvendësuese përmes rrugëve të aksesit që lidhin çdo fshat me rrugën kryesore. Këto rrugë aksesi janë të parashikuara në projekt së bashku me çdo element përkatës sinjalistike. Vlera e ndërtimit të kësaj rruge është 33 milion Euro dhe parashikohet të përfundojë në Shkurt 2016.

energjia.al  18.02.2015