Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ahmeti, matësit inteligjent, hap pozitiv

OK matësve inteligjentë, por vendosuni edhe matës të zakonshëm qytetarëve që nuk janë të pajisur. Ky qëndrim i Entit Rregullator të Energjisë, me synim eliminimin e faturimit aforfe, u deklarua nga kryetari i ERE-s, Petrit Ahmeti, dje në diskutimin e ligjit për energjinë, në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese. Ahmeti deklaroi se pavarësisht uljes së humbjeve në rrjetin e energjisë në 37% dhe rritjes së arkëtimeve, problemi më i madh me të cilin përballet sistemi është mungesa e pajisjes së konsumatorëve me matës. “Jemi duke dialoguar me kompaninë për të filluar marrjen e masave që lidhen me pajisjen e konsumatorëve që nuk kanë matës. Është një plagë e keqe dhe e dëmshme për sektorin, sepse nuk ka kontroll lidhur me konsumin e energjisë”, tha Ahmeti. “ERE do të mbështesë çdo projekt që modernizon rrjetin, si ai për pajisjen e konsumatorëve me matës inteligjentë”, deklaroi Ahmeti. Për demokratët, vendosja e matësve të tillë nuk e zgjidh problemin në sistem, ndërsa drejtuesi i ERE tha se projekti do të japë rezultate pozitive. Sipas deputetëve të opozitës, kjo nuk do të sjellë zgjidhjen e problemit pa zhdukur më parë informalitetin përmes plotësimit të çdo konsumatori me matës apo rasteve të matësve të dëmtuar, për të cilët konsumatorët faturohen aforfe. “Matësi inteligjent nuk është çelësi i artë, që do të na zgjidhë gjithçka. Problemi është mbushja e gropës që nuk po mbushet prej 24 vjetësh. Të pajisim të gjithë konsumatorët shqiptarë me matësit sipas standardeve që janë”, u shpreh deputeti i PD-së, Kozma Dashi. Sipas OSHEE, numri i konsumatorëve që faturohen aforfe është 50 mijë nga 1.2 milionë konsumatorë në total të energjisë. Duke dhënë mendimet e tij për projektligjin e ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, Ahmeti tha se draftimi i projektligjit ka trajtuar një sërë problematikash që ERE ka hasur në sektorin e energjisë. “E vlerësoj momentin që rishikohet ligji për sektorin e energjisë elektrike dhe të gazit, sepse i gjej të trajtuara shumë problematika që ne kemi pasur dhe kemi hasur në sektorin e energjisë, si në sektorin e energjisë elektrike, ashtu edhe në atë të gazit, pavarësisht se ky është një sektor i krijuar rishtas dhe mjaft i ri”, tha Ahmeti. Deputetët e mazhorancës dhe opozitës në komision kërkuan që parashikimet ligjore të përcaktojnë qartë rolin që ka ERE në blerjen e energjisë në raport me operatorët e shpërndarjes dhe të transmetimit të energjisë. Ndërsa, kryetari i komisionit, Eduart Shalsi theksoi se komentet e deputetëve do të merren në konsideratë pasi konsultimi mbi këtë ligj do të vijojë.

Gazeta Shqip, 17.02.2015