Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Buxheti, mbështetje energjisë deri në 2017

Megjithë reformat që po ndërmerren në sektorin e energjisë, të cilat janë përqendruar në mbledhjen me forcë të detyrimeve dhe liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, buxheti i shtetit do të mbështesë sektorin nëpërmjet financimeve të drejtpërdrejta dhe letër garancive edhe për tre vitet në vijim. Ministria e Financave parashikon që shuma e garancive për të mbështetur sektorin e energjisë deri në fund të vitit 2017 të jetë 33.3 miliardë lekë. Nga kjo shumë 15.5 miliardë lekë janë llogaritur të jepen gjatë këtij viti. 3 miliardë lekë janë financim i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit për importet e energjisë dhe pjesa tjetër janë letër garanci që qeveria do të lëshojë ndaj bankave për financimin e kompanive të energjetikës. Për vitin 2016 mbështetja buxhetore pritet të jetë 9.5 miliardë leke dhe në vitin 2017, do të jetë 8.4 miliardë lekë. “Ne presim që hendeku në sektorin energjisë të vazhdojë të reduktohet dhe të bëhet zero në fund të 2019” thuhet në parashikimin e Ministrisë së Financave. Gjatë viteve të fundit, sektori i energjisë ka përjetuar probleme të shumta. Për të trajtuar çështjet e saj emergjente, Qeveria ka ndërmarrë disa masa me qëllim përmirësimin e gjendjen e vështirë financiare të tre operatorëve sektorit me pronësi publike.

Reforma në këtë sektor strategjik kërkon kohë dhe burime të konsiderueshme financiare, si dhe një mbështetje të vazhdueshme institucionale. Duke filluar nga 2015, sektori i energjisë do të shkojë nën një reformim të plotë, me qëllim për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e saj. Qeveria ka marrë angazhimin për hequr dorë nga lëshimi i garancive për energjinë në vitin 2020. Por ndërkohe deri më atëherë, qytetarët do të mbajnë një kosto shtesë për energjinë krahas faturave individuale. Shumat nga buxheti që do të shkojnë në mbështetje të kompanive të energjisë do të mund të përdoreshin për investime apo për përmirësimin e shërbimeve publike.

Revista Monitor,  11.02.2015