Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si po përqëndrohet tregu i karburanteve

Si u ngushtua tregu në dy-tre kompani. Importi përqendrohet nga Kastrati në Portin e Durrësit dhe Everest në Portin e Vlorës. Hyrje-daljet nga tregu, falimentimet dhe transaksionet në biznesin e karburantit.

Tabela e subjekteve të falimentuara gjatë vitit 2014 përmban dhe tre kompani të hidrokarbureve Taçi Oil, Kuid dhe Fisheku, ndërkohë që shitje-blerjet e aksioneve janë bërë rutinë në industrinë e hidrokarbureve.

Vit pas viti, tregu është ngushtuar si gryka e një hinke dhe tashmë ka marrë formën e oligopolit sipas përcaktimeve të Autoritetit të Konkurrencës, organi shtetëror që pritet të dalë me një vendim pas hetimit të tregut të karburanteve.

Nga oligopoli te….

Sipas vendimit për hapjen e hetimit të thelluar të Autoritetit të Konkurrencës, “struktura e tregut të karburanteve në Shqipëri është e formës oligopolistike, ku një numër i vogël ndërmarrjesh rezultojnë që importojnë dhe tregtojnë karburant në territorin shqiptar”.

Autoriteti i Konkurrencës thotë se pjesët e tregut në import të ndërmarrjeve Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA (të dy ndërmarrjet kanë të njëjtët aksionerë) Europetrol Durrës SHA, Porto Romano Oil SHA dhe Bolv Oil SHA (të dy ndërmarrjet kanë të njëjtët aksionerë); Genklaudis SHA; Everest Oil SHA; Taçi Oil SHA-sot IT OIl dhe ARMO SHA (ndërmarrjet kanë të njëjtët aksionerë gjatë periudhës hetimore); së bashku shkojnë nga 80% deri në 100% të tregut për periudhën objekt hetimi 2010, 2011, 2013, janar 2014, përjashto vitin 2012, ku në tregun e naftës kanë zënë rreth 67% dhe në atë të benzinës 75%, për shkak të hyrjes së ndërmarrjes Taçi Oil-IT Oil në import.

Shkalla e përqendrimit të tregut sipas teorive ekonomike është një masë për të matur fuqinë financiare të ndërmarrjeve dhe për këtë arsye,është objekt i rregullimeve antitrust (antimonopol) të cilat synojnë optimizimin e burimeve dhe minimizimin e kostove në çdo treg dhe maksimizimin e eficencave dinamike në treg.

…vetëm dy importues

Operatorët e tregut pranojnë që aktualisht janë vetëm dy kompani importuese, Kastrati, me depozita në Porto Romano dhe API, që operon në depozitat e Petrolifera në Vlorë.

Në këtë mënyrë, tregu i karburanteve është shumë i përqendruar dhe i varur nga dy shoqëri kryesore duke eliminuar konkurrencën në burim të furnizimit. Konkurrentët e tjerë do të duhet ta blejnë naftën dhe benzinën me shumicë te dy importuesit e momentit dhe këtu nuk bëhet fjalë më për konkurrencë, por për çmime diskriminuese (aplikimi i çmimeve të ndryshme, për shoqëri të ndryshme, në kushtet kur produkti është neutral) duke i vendosur operatorët në vështirësi për të mbajtur çmime të shitjes me pakicë konkurruese me shoqërinë që ka burim direkt furnizimi nga importi.

Reagimi në rritje të çmimeve

Gjatë periudhës hetimore të Autoritetit, janar 2010-janar 2014 rezulton se ndërmarrjet, të cilat dominojnë tregun me shumicë të karburanteve, aplikojnë çmime të njëjta ose me diferencë shumë të vogël nga njëra-tjetra, duke ndjekur të njëjtën trajektore të ritmit të uljes dhe rritjes së çmimeve dhe duke ndjekur ngushtësisht njëra-tjetrën. Gjithashtu, ndërmarrjet nuk reflektojnë çmimet e blerjes në bursa, në rastin kur këto të fundit pësojnë rënie të ndjeshme, duke i transferuar fitimet në llogaritë e tyre, kur në kushte konkurrenciale këto ulje çmimi duhet të transferoheshin në përfitime të konsumatorëve.

Blerjet e përbashkëta

Në vendimin nr. 315, datë 13.05.2014 të Autoritetit të Konkurrencës (http://caa.gov.al/decisions/read/id/507) “Përhapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të karburanteve”, nga të dhënat e administruara nga Porti “Romano Port” SHA, si dhe nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konstatohet se ndërmarrjet kanë realizuar blerje të përbashkëta. Më konkretisht, nga evidencat e administruara gjatë hetimi paraprak rezulton se ndërmarrjet realizojnë transaksione midis tyre, të cilat mundësojnë sjellje të koordinuara ndaj çmimit në treg. Shembuj të tillë mund të përmendim:

  1. Në muajin janar 2014, ndërmarrja Europetrol ka blerë në total në zonën e lirë doganore një sasi prej 13,808,658 litrash naftë dhe benzinë nga të cilat 5,982,542 litra janë blerë nga ndërmarrja Kastrati SHA. Këto blerje zënë rreth 43% të blerjeve të ndërmarrjes Europetrol SHA në total. Gjatë gjithë vitit 2013, blerjet e ndërmarrjes Europetrol Durrës SHA nga ndërmarrja Kastrati SHA vetëm në zonën e lirë doganore, kanë qenë rreth 6-7% e blerjeve të karburantit në total.
  2. Shitje në të gjitha nivelet kanë ndodhur edhe nga Europetrol në drejtim të Kastrati SHA në periudha të ndryshme. Transaksionet, edhe në këtë drejtim, konstatohen nga faturat e shitjeve dhe blerjeve të ndërmarrjeve. Edhe ndërmarrja Genklaudis SHA, Bolv Oil SHA dhe Porto Romano Oil SHA kanë realizuar transaksione ndërmjet tyre në të gjitha nivelet e tregtimit.
  3. Transaksionet kryesisht kanë drejtimin nga ndërmarrja Kastrati SHA në drejtim të ndërmarrjeve të shitjes me shumicë, Europetrol Durrës SHA, Genklaudis SHA, Bolv Oil SHA, por edhe drejt ndërmarrjeve të shitjes me pakicë të integruara në tregun e shumicës, si Skënderi G, Kastrati sh.p.k., Gega Center GKG sh.p.k. etj.
  4. Ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA; Europetrol Durrës SHA, Porto Romano Oil SHA dhe Bolv Oil SHA; Genklaudis SHA; Everest Oil SHA kanë ruajtur gjithashtu lidhje periodike midis tyre, pra nga faturat e shitjes dhe blerjes midis ndërmarrjeve të shumicës apo pakicës në të cilat janë të integruara vertikalisht, realizohen gjatë gjithë periudhës objekt hetimi transaksione shitje–blerje.
  5. Të pesë ndërmarrjet Kastrati SHA dhe Kaspetrol SHA; Europetrol Durrës SHA, Porto Romano Oil SHA dhe Bolv Oil SHA; Genklaudis SHA; Everest Oil SHA kanë ndërvarësi midis tyre, pasi ato plotësojnë nevojat për produkt duke u kthyer në periudha të ndryshme në blerës me shumicë dhe në shitës me shumicë për njëra-tjetrën.

Shitje-blerjet e kompanive

Tregu i karburanteve ka regjistruar shitje-blerje kompanish që herë kanë të bëjnë me ndarje pronësie e herë të tjera ndryshime emrash për të transferuar në “drejtim të paditur” detyrimet që kanë ndaj buxhetit të shtetit. Me dhjetëra milionë euro janë shifrat që kanë borxh disa kompani karburantesh që janë zhdukur nga tregu ose janë maskuar në emra të tjerë, ndërkohë që një kompani mund të jetë shitur e blerë disa herë brenda vitit.

Gjatë viteve të fundit, vetëm pak raste janë njoftuar dhe autorizuar nga Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, ndërkohë që tabelat e pikave të karburantit kanë ndryshuar emra, madje disa prej tyre më shumë se një herë brenda vitit. Hyrje-daljet në këtë treg me kaq shumë kërkesa për investime dhe fuqi financiare janë bërë rutinë dhe kjo është një nga pikat e errëta të deformimit të tregut të karburanteve.

Viloil ka qenë një nga kompanitë që ka njoftuar transaksionet e saj me aksione. Nga vendimet e Autoritetit të Konkurrencës rezulton se më 19 dhjetor 2012, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin etransaksionit të realizuar në bazë të “Marrëveshjes për blerjen e aksioneve” enënshkruar midis palëve: shoqëria ‘City Investement Holding S.A’ dhe dyaksionere (të shoqërisë Viloil sh.a.). Kjo marrëveshje ka ndodhur më datë 4 shkurt 2012, me objekt përftimin e kontrollit të dy nga aksionerëve të shoqërisëViloil sh.a., nëpërmjet transferimit të 70% të aksioneve të kapitalit themeltar ngashoqëria City Investement Holding S.A tek këta aksionerë.

Gjithashtu në faqen e internetit të Autoritetit të Konkurrencës bëhet e ditur se me anë të shkresës nr. 316 prot, datë 03.09.2013, është njoftuar përqendrimi me objekt shitblerjen e pjesshme të konsorciumit AMRA Oil SHA (e cila përbëhet nga aksionet e shoqërisë Anika Enterprises S.A) shoqërisë ARMO SHA (indirekt) dhe shoqërisë Europetrol SHA (Europetrol) nga shoqëria Heaney Assets Corp.

Revista Monitor,  07.02.2015