Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rajoni krijon qendrën e ankandeve të energjisë

Merr fund monopoli i Serbisë mbi furnizimin me energji elektrike në Shqipëri dhe në vendet e tjera të rajonit. Turqia, Kroacia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina formojnë në Podgoricë qendrën rajonale të koordinimit të ankandeve. Këtu do të bëhet alokimi i kapaciteteve të transmetimit mes shtatë shteteve dhe shitblerja në ankand ndërkombëtar. Në korrik 2014 u firmos marrëveshja me shteteve aksionere të qendrës së ankandeve dhe disa ditë më parë Shqipëria, përmes Entit Rregullator të Energjisë, ka miratuar Rregulloren e Zhvillimit të Ankandeve.

Qëllimi

Sipas rregullores së miratuar nga ERE, procesi i ankandit ka qëllim të ofrojë një metodë transparente me bazë tregtare të menaxhimit të kongjestionit, për të lehtësuar tregun në rajon. Operatorët e Sistemeve të Transmetimit (OST) pjesëmarrës Zyrën e Koordinimit do t’i alokojnë kapacitetet ndërkufitare nëpërmjet procesit të ankandit në formën e të Drejtave të Transmetimit Fizik në baza vjetore, mujore dhe ditore. Zyra do të kryejë të gjitha proceset e ankandeve, por në emër dhe për llogari të OST-ve pjesëmarrëse.

Nën mbikëqyrjen e BE-së

Në përputhje me kërkesat e Rregullores së Parlamentit Europian dhe të Këshillit mbi kushtet për hyrjen në rrjet për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë elektrike, kjo rregullore ankandi përcakton termat dhe kushtet që rregullojnë shpërndarjen e kapacitetit ndërkufitar në të dyja drejtimet në interkonjeksionet ndërmjet OST-ve pjesëmarrëse. Për të shmangur problemet në lidhje me abuzimin e mundshëm nga pozita dominuese e ndonjë lojtari tregu, Komisioni Europian dhe autoritetet rregullatore të konkurrencës, mund të vendosin, me vendim të përbashkët, kufizime në përgjithësi ose në një kompani individuale për shkak të dominimit të tregut. Në bazë të rregullores, ERE dhe Autoriteti i Konkurrencës në Shqipëri (ashtu si autoritetet e gjashtë vendeve të tjera) janë kompetente për të ndërhyrë në treg.

“Vjena”, kundër lojës me kompanitë serbe

Numri dy i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Dirk Buschle, në një deklaratë për TCH vlerëson kapacitetet e Shqipërisë në sektorin energjetik, si një vend që ka potencialin për t’u shndërruar në aset të rëndësishëm të tregut rajonal. “Ka një numër të limituar kompanish në rajon e shumë prej tyre rezultojnë të jenë serbe. Nuk dua të drejtoj gishtin tek askush, por kemi pasur shqetësime lidhur me mungesën e transparencës në këtë sektor. Nuk bëhet fjalë vetëm për shitësit e energjisë, por edhe për blerësit, kompani lokale që kanë interes të mbajnë situatën siç është. Ky është një shembull ku Enti Rregullator i Energjisë apo Autoriteti i Konkurrencës duhet të ndërhyjë për të parë nëse kjo pjesë e tregut ku Shqipëria është shumë vulnerabël,

është organizuar në mënyrë transparente, jo që individë të caktuar të nxjerrin përfitime, por që të realizohet një marrëveshje më e mirë në interes të konsumatorit”, theksoi Buschle. Ai nënvizon forcimin e rolit të rregullatorit, që nën efektet e ligjit të ri nuk duhet vetëm të ndjekë zhvillimet e tregut, por të garantojë transparencë maksimale. Në këtë pikë, Buschle u ndal edhe tek organizimi i tregut. “Importi i energjisë nuk bëhet në mënyrë transparente e deri te shitësit me pakicë”, tha Buschle.

Autoriteti i Konkurrencës

Për këtë çështje Autoriteti i Konkurrencës (AK), në fund të vitit 2014 ka konstatuar se, “Të dhënat e pasqyruara nga ERE mbi sasinë e humbjeve të energjisë elektrike në rrjetin e shpërndarjes, kanë ndryshime të konsiderueshme, nga ato të INSTAT”. Sipas AK kanë ndryshime shumë të mëdha me vlerë prej miliarda lekësh. Mosndarja reale financiare e furnizuesit me shpërndarësin, sipas AK, është burim abuzimi dhe shpërdorimi.

Rekomandimet e AK

Për rritjen e transparencës dhe uljen e mundësive të abuzimeve, ERE të bëjë publikimin mujor të sasisë dhe çmimit mesatar të energjisë elektrike të importuar. Të përputhet rregullorja e blerjes së energjisë me ligjin e prokurimeve.

Gazeta Shqip, 02.02.2015