Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rama dhe Gjiknuri inspektojnë minierën e kromit

Kryeministrit Rama ishte sot në Burrel dhe në Bulqizë, në qarkun e Dibrës, ku inspektoi disa projekte infrastrukturore dhe projekte në zbatim në sektorin minerar.

Në Burrel, Kryeministri Rama u ndal në Uzinën e Ferrokromit, e hapur në shtator të këtij viti, në të cilën u takua me drejtues të saj dhe metalurgë.

Ashtu siç informuan drejtuesit e saj, Ferrokromi shqiptar zë vendin e parë në botë për nga cilësia dhe kjo është falë cilësive që ka lënda e parë, kromi në këtë rast. “Pas 7 vitesh ndalese, e vumë në gjendje funksionale. Furra u vu në gjendje pune në 4 shtator dhe pati një rezultat më të mirë nga ç‘pritej. Cilësia e ferrokromit ishte nga më të lartat e prodhuara këto vitet e fundit. Kemi miratuar dhe buxhetin për vënien në punë edhe të dy furrave të tjera. Investimi në total, me të tre furrat, shkon në 15 milionë dollarë. Dhe me vënien në punë të të 3 furrave, trefishohet edhe numri i punonjësve” – u shpreh ai.

Ndërsa, Kryeministri Rama theksoi se pas një periudhe të gjatë keqtrajtimi të burimeve natyrore, ka ardhur koha të kalohet në një fazë normale të përpunimit të lëndës së parë. “Të rrisim vlerën e shtuar në vend, të rrisim vlerën e shtuar në ekonomi dhe patjetër të rrisim më shumë mirëqenien, duke përfituar më shumë nga e gjithë kjo pasuri dhe jo duke e lënë këtë pasuri si mall pa Zot, siç ishte deri dje, që ‘o burra’ kush të merrte krom e kush ta nxirrte jashtë për një copë bukë. Kështu që, është e qartë, ky është një investim i rëndësishëm dhe strategjik edhe për të hapur rrugën e përpunimit të plotë të gjithë kësaj pasurie brenda vendit, jo vetëm këtu, por në gjithë territorin e vendit” – theksoi Kryeministri.

***************************

Kryeministri Rama i shoqëruar nga Ministri Damian Gjiknuri vijoi inspektimet në minierën e kromit në Bulqizë, e cila së fundmi po i nënshtrohet zbatimit të një sërë projekteve të rëndësishme, investime me vlerë 25 milion dollarë nga kompania “Albkrom”.

Në takimin me drejtues të minierës, Kryeministri u njoh nga afër me projektet konkrete, të cilat janë në investim e sipër dhe që sipas drejtuesve do të hapin një perspektivë të re dhe premtuese për këtë minierë.

Ndërhyrja më e rëndësishme është hapja e pusit 600 metrash të thellë, që do të rivitalizojë jo më pak sesa 2.5 milionë ton rezerva, vetëm në thellësi. Krahas tij, është e Qafa e Buallit me një sasi rezervash prej 1.6 milionë tonë. Aktualisht prodhimi vjetor mesatar i kromit është 65 mijë ton dhe me përfundimin e këtyre projekteve pritet të shkojë në jo më pak se 100-120 mijë ton në vit.

rama inspekton minieren e kromitMinistri Gjiknuri tha se investimet që po konkretizohen dita-ditës janë të prekshme. “Ky ka qenë një partneritet i mirë me koncesionarin, sidomos dhe një kërkesë llogarie nga ana e shtetit, për detyrime të cilat me vite nuk ishin realizuar. Jemi të lumtur që tashmë kemi gjetur gjuhën. Investimet po bëhen konkrete dhe njerëzit po e ndjejnë. Aq më tepër për industrinë përpunuese, e cila është një vlerë e shtuar dhe mbi të gjitha ofron pagesa të mira për të gjithë punonjësit që punojnë në këtë industri” – nënvizoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Bulqizës Myrfit Duriçi vlerësoi maksimalisht angazhimin e Qeverisë për të bërë realitet premtimet e saj elektorale, për këtë zonë dhe për minatorët, që në vitin e parë të qeverisjes. “Doja ta falënderoja Kryeministrin Rama së bashku me ministrat e tij për mbajtjen e të gjitha premtimeve të bëra në fushatën elektorale; Për uljen e moshës së pensionit; hapjen e thellësisë së pusit dhe premtimin më kryesor, ndërtimi i Rrugës së Arbrit. Kështu që, Kryeministrit, aktualisht, nuk kemi se çfarë i kërkojmë, përderisa të gjitha premtimet e bëra në fushatë i ka mbajtur në një kohë rekord, në një viti e gjysmë në qeverisje”. Investimet që po realizohen janë të rëndësishme për të ardhmen e industrisë së kromit në tërësi.

energjia.al 23.12.2014