Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miratohet huaja për rimëkëmbjen e energjisë

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri mbajtur sot në Kuvend

Të nderuar deputetë,
I nderuar Kryetar,

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje, pas nënshkrimit që bëri Qeveria shqiptare është një nga sukseset e tjera shumë të rëndësishme për sektorin elektroenergjetik. Dikush mund të thotë çfarë rëndësie ka? Pse ky 150 milion dollarësh është kaq i rëndësishëm? Është i rëndësishëm sepse rikthen besimin tek donatorët ndërkombëtare, për një sektor energjitik aq shumë të anatemuar, famëkeq përsa i përket dështimeve, i zhytur në borxhe dhe që të gjithë kërkonin ti qëndronin larg.

Banka Botërore vjen me një paketë mbështetëse prej 150 milion dollarësh, e cila nuk është e vetmja. Janë edhe tre-katër organizata të tjera ndërkombëtare, të cilat janë të gatshme të financojnë edhe një paketë tjetër prej 100 milion dollarësh, përfshirë edhe pjesën tjetër, e cila do të vazhdojë me garancitë që do të marrë kompania nga Buxheti i Shtetit, për të kryer investimet aq të nevojshme në sektorin elektroenergjetik, kryesisht në sektorin e shpërndarjes.

Fakti që po vijmë me këtë mbështetje financiare, jo vetëm që është kthim i reputacionit, por njëkohësisht është injeksion i nevojshëm i kapitalit, në një kompani e cila për shumë vite nuk ka kryer investime. Unë po e them një gjë publikisht; sektori elektroenergjetik shqiptar, sidomos shpërndarja është në pikën e saj gati të vdekjes, përsa i përket situatës teknike. Në vitet e fundit nuk ka patur fare investime dhe kur ka probleme me kushtet atmosferike, sektori elektroenergjetik shqiptar dështon. Fakti që ka ndonjëherë ndërprerje energjie është i kuptueshëm pasi nuk ka patur investime. Ka nevojë për investime.

Sipas një vlerësimi të kryer, për të bërë një sektor nga e para, do të duheshin mbase mbi 1 miliard dollarë por kuptohet, kjo është e pamundur. Me këtë kredi çfarë synojmë?! Synojmë të adresojmë investimet të paktën tek qendrat kryesore të banuara, apo aty ku është përqendruar popullsia më shumë. Projekti targeton 50% të konsumatorëve, flas për pjesën e shpërndarjes. Pjesa tjetër e kredisë do të shkojë për fuqizimin e Operatorit të Sistemit të Transmetimit, duke bërë investimet e nevojshme në sistemet e matjes dhe të bilancit të energjisë, në mënyrë që të krijohet mundësia për liberalizimin e sektorit.

Cili është qëllimi? Që deri në fund të vitit tjetër, ne të kemi filluar me klientët e parë të lidhur në 35 kilovolt, që të dalin nga sektori i rregulluar i energjisë. Që kjo të bëhet e mundur, do një sistem matjeje dhe dispeçerimi modern. Pikërisht, kjo kredi e bënë të mundur këtë.

Nga ana tjetër, një pjesë e parave janë të dedikuara për konsulencë teknike në Ministri, në organet politik bërëse, përsa i përket vazhdimit të reformave të tjera ligjore të sektorit elektroenergjetik. Këtu përfshihet ligji për energjitë e rinovueshme dhe disa paketa të tjera ligjore, të cilat do të bëjnë të mundur rregullimin e të gjithë sektorit në tërësi, përfshirë edhe rishikimin e Strategjisë së Energjisë Elektrike. Këto janë masa shumë të nevojshme, mbi të gjitha janë investime që na duheshin, pasi në gjendjen që ishte shoqëria, e kishte të pamundur të gjente kapital për të investuar, sidomos me kredi tregtare. Këtu del edhe ajo rëndësia e asaj që shpesh opozita e anatemon si marrëveshja me CEZ. Marrëveshja me CEZ, ishte e vetmja mundësi që ne të dilnim në tregun e kapitaleve, përfshirë edhe kreditë e buta siç është rasti i kredisë së Bankës Botërore.

Për shkak të mbylljes së këtij konflikti, hapet mundësia që deri në vitin 2020 të mund të investohen mbi 400 milion dollarë në sektorin elektroenergjetik. Po të mos mbyllje ky konflikt, nuk do të jepte njeri para. Ku do ishim? Do detyroheshim të rrisnim tarifat në mënyrë ekstreme që të përballohej situata energjetike dhe të bënim investime. Gjë që ne nuk duam ta bëjmë dhe e kemi thënë se një pjesë të barrës së sistemit energjitik do ta mbajë Qeveria.

Mënyra e dytë ishte të gjendej një zgjidhje miqësore dhe të hapej rruga për të dalë në tregun e kapitalit, përfshirë edhe kreditë e buta të institucioneve financiare ndërkombëtare. Këtë bëmë dhe fakti që po hyn banka është mbështetje për të gjitha reformat e ndjekura në sektorin elektroenergjetik.

Shumë shpejt, në Kuvend do të vijë edhe ligji i energjisë, i cili funksionon në harmoni me këtë projekt. Ligji shoqërohet me një paketë financiare implementuese pasi është me rëndësi jo vetëm ligji por edhe zbatimi i tij. Do të thotë që të gjitha ato objektiva që i kemi vënë vetes për liberalizimin e tregut të energjisë deri në vitin 2018, të bëhen të mundura nëpërmjet financimit dhe investimeve të nevojshme. Realisht, jemi në një rrugë të mbarë.

damian gjiknuri parlamentNuk dua të lë pa përmendur, që shëndoshja e sektorit energjetik, nuk vjen nga fakti se po marrim disa mbështetje financiare nga institucione ndërkombëtare. Kjo, edhe më parë ka ndodhur, shumë vite më parë, janë bërë përmirësime, por kemi patur edhe gropa të mëdha. Vjen nga mirëadministrimi i vet sektorit të shpërndarjes, i gjithë sektorit elektroenergjetik dhe mbi të gjitha nga disiplinimi i pagesave. Shqipëria ka një sëmundje të vazhdueshme politike, mbi 20 vjeçare, që mospagimi energjisë ka qenë ndikuesi më i madh tek thellimi i gropës së sektorit elektroenergjetik. Prandaj, edhe këto masa të fundit që tashmë dihen, tregojnë se nuk është një operacion i rastit por është një sjellje e vazhdueshme e shtetit, e Operatorit të Shpërndarjes së bashku me Policinë e Shtetit, për të fuqizuar sektorin energjetik. Kjo ka rëndësi sepse vetëm nëpërmjet pagesave të rregullta do të mundet që sistemi elektroenergjetik shqiptar të ketë mundësi edhe të financojë veten, për ta mbajtur në këmbë dhe për ta bërë cilësinë e shërbimit shumë më të mirë. Nga ana tjetër, të hapet mundësia për investime.

Keni dëgjuar këto ditë edhe njerëz që mund të jenë prekur nga vendimi i fundit i qeverisë për HEC-et e vogla. Dua ta jap këtë sqarim për publikun sepse ne kemi miratuar një çmim që nuk rëndon konsumatorin shqiptar. Unë po e shfrytëzoj këtë mundësi që t’ju drejtohem të gjithë të interesuarve; mosmarrja e masave për përcaktimin e një çmimi sa më afër parametrave të tregut për investitorët në pjesën e hidrocentraleve private, do të bënte që fatura e qytetarëve shqiptarë vazhdimisht të shtohej. Në të gjithë vendet e botës, çdo investim i ri në energji i cili bazohet në kontrata të parablerjes së energjisë elektrike shkarkohet tek konsumatorit final. Pra, populli paguan për të, me shifrat galoponte që po rriteshin vit për vit nga dhënia e koncesioneve, shpeshherë jo shumë efiçente nga pikëpamja ekonomike, të bëra aty ku s’duhet. Pra ke porositur një ‘Mercedez’ kur s’ke nevojë për të, në një vend tjetër që mund të të bënte punë një ‘Jeep’.

Nga ana tjetër, marrim parasysh rrezikun financiar të tyre. Ku është rreziku financiar? Po marrim referencë një bursë të qëndrueshme ndërkombëtare siç është tregu rajonal i energjisë, duke i shtuar bonusin prej 10%, për ti siguruar që ata të kenë “cash floë’-n e mjaftueshëm që këto koncesione të vazhdojnë. Jemi duke vazhduar me procesin e koncesioneve, këtë nuk e ndalojmë. Përkundrazi, edhe me masat e reja, qoftë edhe me ofertë të pagarantuar për blerjen e energjisë, kërkesat janë të larta.

Me ligjin e ri për energjinë elektrike, procedurat do të thjeshtohen për gjithë investitorët e huaj. Kush kërkon të shfrytëzojë burime energjetike efiçente, procedurat do ti ketë shumë të thjeshta, në mënyrë që investimi të mos pengohet, por njëkohësisht për t’ia thënë publikut shumë pastër dhe shumë qartë se nuk ka më fatura të fshehura, nuk ka më që të mos i thuash se sa është kosto. Jo! Kosto është kjo, do ta paguajë publiku ose nuk do ta paguajë publiku riskun? Do ta marrë përsipër investitori aty ku ka mundësi? Kjo është qasja e re që ne duam të bëjmë edhe me qytetarët shqiptarë, pasi ndryshe, investimet nuk mund të bëhen të qëndrueshme nëse nuk do të jenë të bazuar në parametra tregu.

E vetmja ekonomi e rregulluar në Shqipëri, që është me planifikim qendror, i bie të jetë energjetika. Kjo nuk mund të ecë kështu sepse shteti vazhdimisht do të marrë një barrë të rëndë financiare dhe këto skema, historia ka provuar që kanë dështuar. Po, jemi dakord që ti ndihmojmë në fazën e parë, ti sigurojmë tregun e energjisë elektrike. Ndërkohë, të bëjmë investimet e nevojshme në rrjet në mënyrë që ata të tregtojnë lirshëm nesër, pasi mundësinë e kanë. Në këtë mënyrë, garantojmë investimet në terma afatgjatë, jo duke bërë thjesht premtime në letër të cilat kanë filluar të bëhen një gropë financiare.

Sot që flasim, kemi filluar pagesat e para për HEC-et private për të shlyer borxhin e akumuluar. Vetëm sot janë disbursuar mbi 4 milion dollarë dhe brenda këtij viti mendojmë që gjysmën e gropës së krijuar ndër vite prej 60 milion dollarësh ta shlyejmë. Kjo edhe për shkak të performancës më të mirë të Operatorit të Shpërndarjes të Energjisë Elektrike, por edhe të atyre mundësive të tjera financiare që kemi arritur të gjejmë.

Për të informuar dhe publikun, dua të bëj me dije se këto masa të qeverisë po japin rezultat. Jo vetëm që nuk qe ajo që u trumbetua si humnerë, se ku do ti gjejë publiku paratë për të paguar energjinë e të tjera si këto, por faktet tregojnë që njerëzit po paguajnë energjinë. Mjafton t’ju citoj disa fakte që janë shumë domethënëse; deri në datën 8 dhjetor janë bërë 7100 kontrata të reja të energjisë elektrike, ku njerëzit kanë pranuar të paguajnë me këste apo të paguajnë plotësisht duke përfituar nga zbritja e kamatëvonesës. Do të thotë që njerëzit janë ndërgjegjësuar. Kur e panë se shteti e ka marrë seriozisht këtë gjë, patjetër qytetari e kërkon shtetin, e kërkon rregullin dhe është i gatshëm. Secili konstaton se në momentin që ka drejtësi, kur paguajnë të gjithë, edhe unë do të paguaj.

Gjithashtu, ulja e humbjeve po vazhdon në mënyrë drastike. Shifrat e fundit që kanë dalë nga koorporata tregojnë se në muajin Nëntor, humbjet kanë vajtur në nivelin 32%. Në muajin nëntor të vitit 2013, humbjet ishin 47% dhe me kënaqësi konstatojmë se ka 15% më pak humbje. Ky ritëm do të na ndihmojë ta çojmë mesataren e këtij viti poshtë 38%, ndërsa nuk duhet harruar se mesatarja e humbjeve të vitit 2013 ishte 45%.

Vetëm në një vit qeverisje dhe në një administrim më të mirë të sektorit energjetik, kemi reduktuar humbjet në një vlerë prej 44 milion dollarësh dhe kemi rritur arkëtimet në një vlerë prej mbi 60 milion dollarësh, pa llogaritur të ardhurat që po grumbullohen muajin e fundit.

Këto nuk janë gjithçka. Unë jam modest, as duam të shesim superfuqi këtu, as arritje që nuk janë të hatashme, por këto janë masa të prekshme, në një situatë të vështirë. Duhet ta kuptojmë të gjithë se sistemi elektroenergjetik shqiptar është në një situatë të vështirë dhe ka nevojë për mbështetje, ka nevojë për disiplinë financiare. Kjo kredi është hapi i parë i rëndësishëm, do të pasohet me mbështetje edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. E rëndësishme është që ne të vazhdojmë progresin e nisur për ato synime që i kemi vënë vetes, që deri në vitin 2018 sektori elektroenergjetik shqiptar, të mos jetë më barrë për Buxhetin e Shtetit shqiptar, por një kontribues për të mirën publike.

Ju faleminderit!

Ndërhyrja e Ministrit Gjiknuri pas fjalës së deputetit Erjon Braçe:

Ky është një nga opsionet që jemi duke e parë si mënyrë më e mirë e menaxhimit të kompanisë. Ka një pikëpyetje, cili është menaxhimi më i mirë, privatizimi apo pasja si ndërmarrje shtetërore? Kuptohet, pas dështimit që kaloi shpërndarja është eksperiment për Shqipërinë që të kalojë menjëherë në një privatizim të dytë pa forcuar mirë sektorin energjetik dhe sidomos kompaninë e shpërndarjes. Kemi parë si opsion, nisur dhe nga eksperienca e disa vendeve të tjera, që mund të shkohet edhe me variantin e menaxhimit nëpërmjet një kompanie profesionale, për një periudhë të caktuar, duke vendosur parametra të caktuar.

Po punojmë me ekspertizë të huaj me KfW-në, për një mision i cili po përgatit të gjitha parametrat të cilat potencialisht duhet ti arrijë një shërbim kontraktor. Kjo do të jetë një opsion. Do të thotë, pasi të përfundojë ky studim që po financohet nga KfW-ja, do ta gjykojmë nëse ja vlen që të marrim elementë jo vetëm konsulentë, por edhe me fuqi menaxheriale për ta shkëputur kompaninë nga ato ndërhyrjet e përditshme, siç i ka sektori i shpërndarjes. Ndërhyrje të caktuara të cilat e bëjnë të vështirë punën në këtë sektor. Cila ka qenë idea? Të forcohet kompania, të ketë procese biznesi shumë të qarta, të ketë një administrim dhe llogaridhënie më të mirë. Kuptohet, nëpërmjet mekanizmave të kontrollit që shteti i ka si pronar i vetëm i kësaj shoqërie, ta përgatisë këtë në një të ardhme të afërt për ndonjë privatizim të pjesshëm apo për ta bërë këtë kompani sa më shumë efiçente dhe llogaridhënëse. Pra, ky është një opsion që do të shikohet, nuk është e detyrueshme.

Patjetër, ne do të shikojmë se cila është më e mira për shtetin shqiptar. Ka eksperienca të mira në botë, ka shumë eksperienca në vende të ngjashme si Shqipëria, që kompani profesionale kanë marrë përsipër dhe kanë bërë menaxhimin. Këtu asgjë nuk humbet shteti, përkundrazi është shumë i fituar sepse e izolon kompaninë nga ato ndërhyrjet e vazhdueshme politike, lokale e shumë elementë të tjerë që ne i dimë, që e bëjnë shumë të vështirë situatën kur vjen puna tek sektori elektroenergjetik.

energjia.al 11.12.2014