Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Masat e marra, për likuiditetin në energjitikë

Në përgjigje të deklarimeve të Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme, Ministria e Energjisë dhe Industrisë sqaron opinionin publik se vendimi i qeverisë për disa ndryshime në V.K.M-në Nr.27, datë 19.01.2007 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve”, synon rregullimin dhe balancimin e drejtë të interesave të palëve në marrëdhënien kontraktore ndërmjet prodhuesve të vegjël të energjisë elektrike dhe operatorit të energjisë, të ngarkuar me detyrimin për të blerë energjinë e prodhuar prej tyre.

Vendimi ndryshon metodologjinë mbi bazën e së cilës, më pas, do të jetë Enti Rregullator i Energjisë ai që do të përllogarisë çmimin e energjisë që prodhuesit do ti shesin operatorit përkatës të ngarkuar me një detyrim të tillë.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë siguron se vendimmarrjet e saja në kuadër të reformës në sektorin energjitik janë konsultuar dhe vazhdojnë të konsultohen me grupet e interesit. Tryezat në funksion të këtyre konsultimeve kanë qenë publike. Vendimmarrjet synojnë rritjen e likuiditetit në sektor, çka që do të bënte të mundur edhe shlyerjen e borxheve të prapambetura ndaj prodhuesve private. Qeveria është angazhuar seriozisht për të nisur menjëherë shlyerjen e këtyre borxheve të prapambetura dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.

Ministria e Energjisë sqaron se tarifat aktuale të energjisë elektrike të miratuara prej Entit Rregullator të Energjisë marrin parasysh vetëm deri 280 mijë megavat energji të prodhuar nga HEC-et e vogla.

Në total, janë firmosur nga qeveria e mëparshme 164 kontrata koncesionare për ndërtimin e 435 hidrocentraleve. Aktualisht, prodhimi i HEC-eve të vogla ka arritur në 748 mijë megavat për 2014 dhe pritet rritja e mëtejshme në 920 mijë megavat në 2015. Në mungesë të ndërhyrjes së qeverisë, barra në kurriz të KESH-it, që indirekt është barrë për Buxhetin e Shtetit dhe taksapaguesit, do të shtohej në mënyrë të konsiderueshme duke imponuar rritjen e çmimit fundor të energjisë për qytetarët shqiptarë.

Nga viti 2012 në vitin 2013, si rezultat i sasisë së energjisë së blerë nga HEC-et aktualisht në funksion, kosto totale e KESH, e pareflektuar në çmimin e rregulluar të shitjes prej 2.2 lekësh për kw/h, kap shifrën e 32.6 milion eurove. Ndërsa për vitin 2014, kjo kosto llogaritet të kapë shifrën 39.7 milion euro me tendencë rritëse vit pas viti.

Kjo kosto e re e pareflektuar dhe borxhet e akumuluara ndër vite janë arsyet se përse Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare ka aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të tarifës së shitjes së energjisë nga 2.2 lekë/kilovat në 3.4 lekë/kilovat.

Duke qenë e vendosur për të mos rënduar konsumatorin shqiptar me kosto të tepërta dhe për të mbajtur çmime të qëndrueshme të energjisë, qeveria ka vendosur të ndryshojë formulën e llogaritjes së çmimit të blerjes së energjisë prej prodhuesve të vegjël duke e përafruar atë me çmimet reale të tregut.

Rishikimi i kësaj metodologjie do të sjellë efekte pozitive në kostot e blerjës së energjisë për KESH sh.a, në vlerën rreth 2.3 miliardë lekë (për vitin 2015), gjë e cila do të reflektohet në çmimet e shitjes me pakicë për qytetarët shqiptare, duke mos shkaktuar kështu një deformim të tregut të brendshëm të energjisë elektrikë.

Çmojmë se ndryshimi i metodologjisë së përllogaritjes së cmimit, do të nxisë edhe prodhuesit e vegjël që tashmë të mos qëndrojnë të lidhur me këto kontrata shumëvjecare të nënshkruara me cmime të rregulluara, por të dalin në treg të hapur, ku mund të negociojnë lirisht cmimet e tyre, sipas marrëveshjeve dy apo shumëpalëshe që mund të bëjnë me operatorë të tjerë të tregut, apo konsumatorët e energjisë elektrike. Kjo përkon edhe me vendimin e qeverisë për të hapur tregun e energjisë elektrike deri në masën 40% brenda vitit 2018.

Referuar metodologjisë së deritanishme, baza e përcaktimit të çmimit referohet tek çmimi mesatar i importit (plus 10%) të realizuar në vitin paraardhës nga operatorët e ngarkuar me detyrimin për blerjen e energjisë sikurse është furnizuesi publik me shumicë apo operatori i sistemit të shpërndarjes, shoqëri të kontrolluara nga shteti.

Çmimi i kontraktuar i energjisë elektrike që furnizohet nga importi shpesh herë nuk pasqyron realitetin për shkak se përfshin pikërisht edhe normën e minimizimit të rriskut për mos pagesën në kohë të detyrimeve. Gjithashtu, referimi në çmimin e energjisë së importuar nuk është konsistent për shkak se sasia e energjisë që blihet nga importi në Shqipëri i përket përgjithësisht energjisë që blihet nga OSHEE dhe nga KESH dhe shpesh kjo sasi nuk është e njëjtë por ndryshon në varësi të nivelit të humbjeve apo kushteve hidrike të vendit.

Çmimi i importit nuk është konsistent dhe përfaqësues pasi dihet se sa më pak sasi të kontraktohet aq më i lartë është cmimi dhe anasjelltas. Nisur nga vlerësimi i ulët financiar që i bëhet Shqipërisë, vetëm një numër i kufizuar tregtarësh kanë vullnet të operojnë në tregun shqiptar. Ndërkaq, vështirësia financiare në të cilën ndodhen kompanitë publike që bëjnë importin ndikon që çmimi i importit të jetë më i lartë.

Pra për të patur konsistencë dhe gjithnjë çmim referent, duhet të përdoret një burim i përhershëm, siç janë bursat e shkëmbimit të energjisë elektrike. Bursa e Hungarisë konsiderohet si bursa më përfaqësuese dhe likuide që i shërben gjithë rajonit të Europës Juglindore. Çmimi përcaktohet mbi baza faktike të kërkesë-ofertës së energjisë së kontraktuar nga një numër i konsiderueshëm operatorësh, çmim i cili është mjaft përfaqësues për tregun e energjisë në rajon.

Në çmimin e importit të energjisë së kontraktuar nga FPSH dhe OSHEE, përfshihen kostot e kapaciteteve përkatëse deri në kufirin shqiptar, kosto të cilat e rrisin çmimin final të shitjes së energjisë elektrike me të paktën 3-4 Euro për MWH. Ndërkohë që energjia e furnizuar nga prodhuesit e vegjël nuk mbart kosto të kapaciteteve ndërkufitare për shkak se këta të fundit janë të lidhur direkt në sistemin e transmetimit apo në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

energjia.al 01.12.2014