Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Disiplinë financiare në sektorin energjetik

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në seancën parlamentare të datës 17 nëntor 2014.

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Si Ministër i një ministrie që realisht nuk ka ndonjë buxhet të madh, do të dukej absurde që unë të mbaja një fjalim për buxhetin. Megjithatë, duke ditur për paradoksin që ekziston mes energjetikës dhe buxhetit, ja vlen të flasësh. Ja vlen të flasësh shumë pikërisht për atë situatë ku e katandisën qeveritë e kaluara energjetikën, duke e kthyer në gropën e zezë më të madhe të buxhetit.

Në fakt, ka një kontradiktë të madhe sepse energjetika duhet të ishte sektori që kontribuon më shumë për ekonominë. Kontributi në buxhet shihet tek pjesa e industrisë minerare dhe e naftës, sepse në përgjithësi janë industri që vazhdimisht po rriten, prodhimi po rritet, investimet e huaja po rriten dhe realisht mban vendin e parë përsa i përket investimeve të huaja. Kur vjen çështja tek sektori elektroenergjetik, gropa e zezë, hemorragjia në buxhet ka qenë e jashtëzakonshme duke kërcënuar të ardhmen dhe qëndrueshmërinë ekonomike të Shqipërisë.

Këtë nuk e themi ne thjesht se morëm qeverinë, këtë e kanë konstatuar në mënyrë të vazhdueshme të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë FMN-në. Mbi të gjitha e kanë kuptuar vet qytetarët shqiptarë, pasi kanë parë se si sektori energjetik vazhdimisht ka qenë një gropë thithëse për paratë, sidomos paratë publike.

Pse atëherë ka rëndësi ky moment që e mora fjalën?! Sepse jemi përpara një reforme jashtëzakonisht të thellë, të guximshme, të dhimbshme, edhe me ndonjë pasojë, por mbi të gjitha shpëtimtare për të ardhmen, për sigurinë energjetike të këtij vendi, për ekonominë e këtij vendi. Energjetika ka vuajtur për shkak të humbjeve, të keqmenaxhimit, të politikave shpeshherë relaksuese të shtetit madje duke e kthyer energjinë në mall tregtimi elektoral.

Fatkeqësisht, dalin opozitarët e sotëm dhe ish qeveritarët e djeshëm, projektuesit e superfuqisë energjetike, të cilët e katandisën energjetikën në këtë fare derexheje dhe na bëjnë thirrje të vazhdueshme për amnistira apo për thirrje që të mos paguhet më energjia, pasi populli nuk ka të paguajë. Ky është populizëm i mirëfilltë, nga parti të cilët as kanë qeverisur ndonjëherë dhe as kanë ndërmend të vijnë ndonjëherë në pushtet. Por kur e dëgjon nga goja e atyre që deri dje projektuan ‘superfuqinë’ dhe shkaktuan këtë gjendje, ky është absurditeti më i madh. Kjo është tamam të kthehesh tek vendi krimit, sheh gjakun dhe fërkon barkun për dëmin që ke bërë. Realisht, të bësh thirrje të tilla është destabilizuese.

E ka provuar ky Kuvend. Mjafton t’ju kujtoj vitin 2011, ligji për faljen e kamatave, ligji për faljen e faturave të energjisë elektrike. Cili qe rezultati?! Viti 2012 shënoi 24% më pak faturim, 24% më pak arkëtime nga energjia elektrike. Pse?! Pikërisht sepse dihet, në një atmosferë të tillë, të lëshosh thirrje ‘mos paguani më’, apo edhe shteti të bëhet pjesë e kësaj politike, realisht është që ta groposësh sektorin energjetik.

Përkundrazi, ne nuk e kemi zgjedhur këtë rrugë. Rruga e vetme për rimëkëmbjen është pikërisht kjo që po bëjmë. Mbi të gjitha, dua të sqaroj dhe publikun çfarë kemi bërë. Ne nuk e kemi bazuar gjithçka tek parimi ‘o burra do mbledhim disa fatura dhe çështja do të zgjidhet’. Përkundrazi! Kemi thënë do të luftojmë vjedhjen dhe abuzimin. Kemi nxjerrë mbi të gjitha sektorin nga një ngërç i madh juridik në të cilin ishte përfshirë, duke i kursyer shtetit humbje të konsiderueshme që e prisnin në të ardhmen. Kemi hapur rrugën për investime dhe për reformimin e sektorit energjetik.

Institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore apo edhe donatorë të tjerë janë të gatshëm të financojnë deri në vitin 2020 plot 420 milion dollar. Pse e bëjnë këtë? Si mund ta bëjnë donatorët në momentin kur shohin që sektori energjetik nuk ka perspektivë? Pikërisht e bëjnë sepse kanë parë vullnetin e kësaj qeverie për ti shkuar deri në fund këtij misioni historik, jo duke u bazuar në demagogji. Se investimet nuk garantohen me demagogji.

Mund të premtosh shumë kontrata, mund të japësh premtime të bukura nga kostumi i qeveritarit por problemi është çfarë ndodh në realitet! Sa të garantuara janë ato investime kur nuk ka disiplinim pagese? Sa të garantuara janë ato investime kur i bëhet thirrje njerëzve mos paguani se kemi zgjedhjet? Sa të garantuara janë ato, kur shteti në vend të mbajë pozicionin e arbitrit përballë konflikteve, kthehet shpeshherë kundër investitorëve dhe shpeshherë në funksion të interesave të vogla?

Përkundrazi, me qasjen që kemi, po i shkojmë deri në fund asaj që quhet qëndrueshmëri në sektorin energjetik, duke filluar edhe nga masat që janë ligjore, duke hapur sektorin energjetik, duke e liberalizuar më tutje, por mbi të gjitha duke imponuar disiplinën financiare në sektorin energjetik. Operacioni i fundit nuk është një aksion i rastit por do të jetë politika jonë e vazhdueshme që qytetarët e ndershëm të jenë të fituar. Detyra jonë është të jemi në krah të qytetarëve të ndershëm. Ata mbase në pamje të parë mund të duket se janë pakicë, se nuk bëjnë zhurmë, por përkundrazi, ata janë maxhoranca e heshtur që i mbështesim veprimet e Operatorit të Shpërndarjes. Ata i mbështesin veprimet e qeverisë, i kuptojnë shumë mirë politikat qeveritare, por kuptohet edhe rreziqet dhe kostot që ka kjo reformë.

Vetëm një rimëkëmbje e sektorit, pikërisht një disiplinim i pagesave në emër të qytetarëve të ndershëm, do të krijojë të ardhme për vet sektorin, do të krijojë mundësi për investime, por mbi të gjitha do të mbyllë gropën e madhe që ekziston në Buxhetin e Shtetit për shkak të energjisë.

Pse është katandisur energjia me 1.1 miliard dollar, kur shteti shqiptar garanton qindra e qindra milion dollar garanci financiare, dhe që do të vazhdojë ta bëjë këtë nëse ne nuk do të ndërhyjmë në mënyrë radikale. Situata ka ardhur deri këtu, pikërisht për shkak të kësaj politike, që as nuk ristrukturoi çmimin për shumë vite, mbylli sytë kur ishin vjedhjet e energjisë, bëri thirrje për mospagesa kur ishin momentet e zgjedhjeve.

Ne kemi zgjedhur një qasje tjetër, të përballemi me realitetin ashtu siç është, duke thënë të vërtetat. Cilat janë të vërtetat?! E vërteta e pare është se nuk jemi superfuqi energjetike dhe duhet ta pranojmë këtë. Përkundrazi, jemi një vend që importojmë 50% të energjisë elektrike. E dyta, që të garantojmë investimet e huaja në energji kjo nuk realizohet me demagogji, garantohen duke sjellë pagesa, duke e bërë sistemin likuid, duke liberalizuar tregun.

I kemi vënë synimin vetes, edhe me mbështetjen financiare, që deri në vitin 2018 të liberalizojmë 40% të tregut të energjisë. Do të thotë 40% të nevojave të tregtisë do të përballohen nga tregtarët private, çka ju jep shpresë edhe koncesionarëve privatë të hidrocentraleve. Ka pasur diskutime shumë konstruktive me ta, para pak ditësh kishim një takim të hapur me koncesionarët hidrocentraleve private.

Me të drejtë, ata kanë pritur nga shteti i tyre pasi ju ka premtuar kontrata të cilat nuk mund ti respektonte dot. E kanë kuptuar shumë mirë që kontratat të jenë të qëndrueshme, nuk bazohen në demagogji por bazohen në biznes, bazohen në të ardhura, bazohen në një mjedis të qëndrueshëm ekonomik, jo thjesht nga deklarata permanente politike që mund të vijnë nga qeveritë që ikin apo vijnë.

ministri damian gjiknuri kuvend parlament foltorePikërisht atë po bëjmë, po diskutojmë me ta dhe shumë shpejt do të bëjmë edhe ristrukturimin e çmimit për hidrocentralet private, njëkohësisht duke gjetur një zgjidhje financiare për situatën ku ata ndodhen. Do mundësojmë që ti vëmë ata në parametra të tregut, pra duke i vënë këta aktorë përpara një situate shumë të afërt me çmimet e tregut. Kjo do të thotë që të mos jenë më barrë për sektorin energjetik, sidomos për KESH-in. Më pyesin njerëzit pse KESH-i e ka rritur çmimin. Po, ka dy arsye pse KESH-i e ka rritur çmimin e prodhimit.

Së pari, kontrata të pareflektuar në tarifë. Së dyti, për shkak të borxheve që ka dhënë qeveria shqiptare, ka dalë garant dhe që ia ka dhënë KESH-it, për shkak të imponimit që ju bë KESH-it, për ti ulur çmimin e energjisë në favor të çekëve, ai 2.2 lekë i famshëm për shumë vite. Krijuan një situatë ideale ku mendohej se gjërat në Shqipëri duhet të jetë statike, pavarësisht se importi rritet, pavarësisht se prodhimi nga HEC-et private rritet dhe asgjë tjetër nuk duhet të ndryshojë.

Pikërisht, ne po i japim zgjidhje këtij problemi dhe shumë shpejt në qeveri do të kalojmë edhe vendimin përkatës. Jemi duke diskutuar edhe me koncesionarët privatë dhe do ti fusim ata në baza të qëndrueshme, kjo do të thotë që një sektor më likuid, më i disiplinuar nga pikëpamja e pagesave, çfarë do të sjellë? Do të bëjë që investimet private të garantohen.

Shtrohet pyetja si do i rrisë Shqipëria burimet e saj?! Kemi nevojë për burime?! Po, patjetër. Kemi nevojë për burime të reja të energjisë, kemi nevojë për investime. Kush është garanti i vetëm i investimit, nuk ka më garanci qeveritare, nuk ka më premtime. Se nuk të vjen më njeri me premtime. Atëherë e vetmja gjë është qëndrueshmëria financiare, prandaj të gjithë shqiptarët, të gjithë konsumatorët e ndershëm të tregut duhet ta dinë që investimi, pagesa e rregullt e energjisë elektrike, përfshirë edhe kamatën është zgjidhja për sektorin.

Në fund të fundit, siç kemi kamata në çdo fushë kur je me vonesë, patjetër do të marrësh edhe ndëshkimin përkatës. Kemi vënë re këto ditë biznese të tëra, çfarë e ka penguar një biznes të mos paguajë kamatën? Përkundrazi, e kanë penguar shpresat tek fushatat elektorale apo premtimet e rastit, ‘mos çajë kokë, se do vazhdojmë dhe nuk do ti paguani më’ apo të tjera si ‘jemi para zgjedhjeve, mos paguani më se këto do ti rregullojmë këtu’. Jo! Kjo politikë nuk ecën. Duhet ta kenë të qartë të gjithë qytetarët se kush është i ndershëm, kush paguan, nuk ka asnjë lloj konsekuence nga ligji.

Ne nuk kemi luftuar debitorët. Nuk ka ndëshkim penal për debitorët e energjisë, por ka ndëshkim penal për ata njerëz të cilët janë debitorë, ju ndërpritet energjia elektrike dhe shkojnë e rilidhin në mënyrë të paligjshme atë. Kështu bën çdo vend normal i botës. Në asnjë vend normal të botës nuk do të guxonte njeri të rilidhte energjinë elektrike në qoftë se nuk ka paguar për mallin që merr.

Vërtet njerëzit kanë të drejtë, duan matësa më të mirë, duan sistem më eficent nga Operatori i Shpërndarjes. Unë jam i pakënaqur vet nga Operatori i Shpërndarjes, mund të ketë shumë probleme. Është krejt normale për gjendjen në të cilën e morëm por mjafton të shikojmë këtë vit të parë në kushte të vështira, të shikojmë që ai Operator Shpërndarje ka arritur të arkëtojë mbi 65 milion dollarë më shumë, krahasuar me vitin 2013.

Shtrohet pyetja, si do të përmirësohet ky operator?! Patjetër do investime. Po kush do ti përballojë këto investime? Këto investime do të përballohen nga një disiplinë e mirë financiare, edhe nga kreditë që po marrim e për të cilat qeveria po del garant, por kjo nuk mund të mbahet vazhdimisht me kredi. Sektori energjetik ka një paradoks pasi normalisht energjia duhet të ishte një sektor si në të gjithë vendet e botës, duhet të ishte kontribuues për ekonominë.

Mund të bëhet matja edhe me kartë, ka shumë teknologji, por teknologjia do para. Që ti garantosh këto investime do disiplinë pagese. Që kjo disiplinë pagese të bëhet e mundur dhe njerëzit ta kuptojnë që nuk mund të vazhdojë më kështu, duhet ndëshkim për ata njerëz të cilët nuk e respektojnë ligjin. Se mund ta bësh ti me kartë, por kur njerëzit e papërgjegjshëm apo hajdutë shkojnë e shkëpusin dhe e lidhin në mënyrë të paligjshme, vendos çfarë të duash ti, vendos karta, teknologji çfarë të duash, mosndëshkimi sjell vazhdimisht kaos dhe inkurajon vjedhje të vazhdueshme. Ne këtë nuk duhet ta lejojmë!

Janë proceduar mbi 500 njerëz gjatë këtyre 3 javëve të operacionit. Vërtet është një masë e madhe, por duhet të kuptoni sa i thellë është fenomeni. Është e habitshme kur marrin njerëz të ndryshëm, njerëz biznesmen, që mua nuk ma merrte mendja që mund të ishin në derexhenë që të vidhnin energjinë elektrike. Thonë si t’ia bëjmë, na ka ardhur policia e na ka kapur, kemi ndërhyrë po ne nuk e dinim se kështu na thanë atëherë. Jo! Ata njerëz e dinin që do të vinte dita e ligjit. Pse ke bashkëpunuar ti? Pse nuk kanë bashkëpunuar edhe njerëz të tjerë që janë në nevojë me punonjësit e OSHEE-së për të bërë lidhje të paligjshme? Pikërisht, kjo ditë erdhi dhe kjo ditë do të vazhdojë. Ne nuk e kemi bazuar luftën tonë vetëm tek ata që e vjedhin energjinë, por edhe tek punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes.

Janë mbi 35 njerëz të cilët janë proceduar, si bashkëpunëtorë dhe do të vazhdojmë akoma më tej. Kemi ngritur edhe një njësi special operacionale pranë Task Forcës, e cila fokusin do ta ketë pikërisht tek keqadministrimi i punonjësve të OSHEE-së. Ne, këtë luftë nuk do ta ndalim sepse e kemi thënë, pa bashkëpunëtorë brenda kompanisë, vjedhja nuk mund të ndodhë. Por mesazhi është i qartë; gjithçka bëhet për qytetarët e ndershëm, të cilët paguajnë faturat dhe që kërkojnë stabilitet në këtë sektor. Pse ky sektor të mos kthehet në kontribuues të ekonomisë shqiptare?

Edhe reforma tarifore që po bëjmë, është shumë e nevojshme. Çfarë kemi vënë re këto ditë? Është hera e parë që po bëhet një kontroll i imët mbi territorin, pra mbi konsumatorët e energjisë, kontroll i mbështetur nga forcat e policisë. Ajo fasha e famshme prej 300 kilovatësh rezulton një dritare e vërtetë abuzimi. Shifra të cilat nuk kanë asnjë logjikë! Nuk ka mundësi që 76% e konsumatorëve të konsumojnë në këtë fashë. E pamundur! Nuk ka mundësi që numri i konsumatorëve që përdorin fashën 300 kilovat të jetë më i lartë se sa në vitin 2008 dhe rritet vit për vit. Pse?! Sepse rritet abuzimi çdo vit.

Normalisht, duhet të ishte më i lartë konsumi i energjisë elektrike nga shtimi i pajisjeve. Realiteti pikërisht këtë nxjerr në pah. Ne duam të bëjmë një sistem të thjeshtë, që të adresojmë njerëzit në nevojë, prandaj kemi parashikuar 16 milion dollarë për të adresuar çdo lloj impakti që ka ristrukturimi i çmimit. Edhe çmimet që shikoni janë komplet spekulative. Vërtet kompanitë po tregojnë kostot reale, ato janë kostot reale të sistemit. Duhet ta kuptojmë, mbase krijohet ideja në mënyrë të gabuar se edhe sikur gjithçka të shkojë mirë, Shqipëria i mbulon nevojat e veta me energji. Jo, nuk është e vërtetë kjo! Kur një vend importon me 50% të energjisë dhe me ato tarifa që kanë qenë, edhe sikur të arkëtojë 100%, problemi është akoma i hapur.

Ne e kemi thënë, politika jonë qeveritare ka qenë e tillë. Vjedhjen, ne nuk duam t’ia faturojmë njerëzve siç bëri Partia Demokratike kur privatizoi kompaninë e shpërndarjes. Ne e kemi thënë dhe do ti drejtohemi edhe zyrtarisht Entit Rregullator të Energjisë.

Humbja teknike është tjetër gjë, ka nevojë për investime, këto investime do ti përballojnë konsumatorët por edhe shteti që do të përballojë pjesën më të madhe. Këto duhen bërë në qoftë se duan ta kthejmë vërtet këtë sektor në stabilitet, ta fusim në shina, që ai në vitin 2018 siç i kemi vënë qëllimin vetes të kthehet në një sektor fitimprurës. Jo fitimprurës për të nxjerrë fitim shteti, por sektori të ecë me këmbët e veta dhe të sigurojë investimet afatgjata në sistemin energjetik për të cilat Shqipëria ka nevojë.

Ne nuk do të mbetemi vetëm me kaq pasi po punojmë edhe strategjinë për të diversifikuar burimet. Doja të ndalesha në këtë pjesë që fola për buxhetin, sepse kisha shumë për të folur, edhe për industrinë minerare, e cila pikërisht nga politikat e reja fiskale do të nxisë më shumë prodhimin vendas. Mjafton tu sjell këtu një fakt se para një jave kemi proceduar në Ministri edhe një aplikim tjetër për një uzinë shkrirje ferrokromi në Elbasan me një kapacitet deri në 50 mijë ton.

Këto masa qeveritare do të ndikojnë direkt në mbylljen e ciklit të prodhimit me Shqipërinë. Kjo gjë shumë mirë mund të vazhdojë me bakrin, edhe me naftën siç ka filluar. Që nga viti kaluar deri tani janë 250 mijë ton naftë, të cilat përpunohen në rafineritë vendase. Ky sektor mbase ka nevojë për mbështetje më të madhe nga ana e shtetit, ne po gjejmë politikat e duhura, por mbi të gjitha ai model i ri ekonomik drejt prodhimit vendas, bazuar në burimet natyrore po jep rezultatet e tij.

Çelësi në të gjithë këtë reformë është suksesi që do të ndodhë me reformën energjetike që a-në, b-në, c-në, alfën apo omegën ka disiplinën financiare. Pa disiplinë financiare në pagesa, çdo gjë tjetër është iluzion është si të luftosh me hijen tënde që se kap dot.

Faleminderit!

energjia.al 18.11.2014