Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Serbia rrit çmimet e energjisë për Shqipërinë

Konsumi energjetik në Shqipëri tejkalon prodhimin e vendit, duke bërë që importet të jenë të larta, sidomos në periudha të thatësirës së tejzgjatur.

Me vënien në punë të hidrocentraleve, vendi ynë arrin të gjenerojë rreth 6 teravatorë në vit, duke shfrytëzuar kapacitetet maksimale, ndërkohë që nevojat për konsum arrijë në rreth 8 teravatorë. Pjesa tjetër e energjisë sigurohet nga importi dhe duke qenë se jemi të izoluar në Ballkan nga linjat e transmetimit serbe, detyrohemi që të paguajmë çmime të kripura. Por si lind abuzimi me Shqipërinë dhe pse detyrohemi të paguajmë çmime të larta për importin e energjisë, mesatarisht 63 euro për megavator?

Sistemet e transmetimit në vëndet e ish-Jugosllavisë ndërlidhjen e energjisë e kryejnë në stacionin e Beogradit. Duke qenë se jemi një vend i varur nga kushtet klimaterike, është e vështirë që të parashikohen periudhat me mungesë gjenerimi energjetik në sistem. Në këto kushte, sa herë që kemi mungesë prodhimi, qeveria dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare detyrohen të importojnë përtej marrëveshjeve vjetore të shkëmbimit energjetik që kanë me operatorë të huaj, në mënyrë që të garantojnë furnizimin pa ndërprerje. Kjo energji që importohet blihet kryesisht nga dy vende ballkanike, që janë Rumania dhe Bullgaria, të cilat kanë edhe bursat përkatëse për këtë treg.

Çmimi mesatar i energjisë së blerë është diku te 33 euro për megavator, ndërsa kostot e transmetimit në rrjetin serb arrijnë në 4 euro mesatarisht për çdo megavator. Të paktën kështu duhet të jetë sipas tarifave të vendosura nga Enti Rregullator i Serbisë për energjinë. Por nuk ndodh kështu me vende si Shqipëria dhe Kroacia. Edhe në Serbi, tregu energjetik është i rregulluar dhe funksionon me çmime fikse, çmime që në rastin e vendit tonë dhjetëfishohen. Enti Rregullator serb përcakton se, në rast se, energjia e transmetuar tejkalon kapacitetet e linjave të tensionit të lartë, atëherë për këtë sasi energjie duhet të zhvillohet një tender dhe të merren parasysh kostot shtesë.

Dyshimet për rregullimin e këtyre tenderëve janë të mëdha, pasi mjafton të shohësh çmimin final në vendin tonë dhe faktin se gjithnjë janë dy kompani serbe të regjistruara në Zyrih të Zvicrës që fitojnë duke paraqitur çmime tepër të larta. Pa marrë parasysh këtu se, rrjetin më të mirë të transmetimit në vendet e ballkanit Jugor e kanë Serbia dhe Greqia, gjë që hedh poshtë faktin e pamundësisë së kapacitetit të transmetimit. Me anë të kësaj manovre, Serbia arrin të përfitojë 50 milionë euro shtesë në rastin më të keq, ku importet janë në vlera të ulëta dhe 150 milionë euro, kur importi i energjisë është i lartë përgjatë një viti. Këto vlera nuk përfshihen në volumin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, për shkak se kompanitë që dalin garante nuk janë të regjistruara në Serbi.

Scan TV, 11.11.2014