Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Është tejkaluar norma e BE për biodizelin

Në ligjin aktual për biokarburantet është vënë si kusht objektivi që makinat e transportit të përdorin 10% biokarburant, ndërsa Shqipëria e kapërcen këtë vlerë, madje eksporton biokarburante. Kjo ka dalë nga diskutimet e bëra para disa ditësh për projektligjin me deputetët e Komisionit për Ekonominë. Komisioni është informuar për arsyet e heqjes së lehtësive për biodizelin nga Gjergj Simaku, drejtor në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. “Nisemi nga direktiva e BE-së lidhur me energjitë e rinovueshme, ku futen edhe biokarburantet. Çdo vend anëtar, ashtu sikurse Shqipëria, përcakton një target, që quhet targeti kombëtar dhe ky realizohet nëpërmjet një plani kombëtar veprimi, i cili kalon me vendim të Këshillit të Ministrave. Shqipëria, në dijeninë tuaj, ka një target kombëtar zyrtar, që është 38% energji e rinovueshme në analizën e plotë ose në bilancin e plotë energjetik në terma konsumi”, ka shpjeguar Simaku. Sipas tij, 38% do të thotë se ne jemi shumë më përpara vendeve të BE-së, por duhet thënë edhe tjetra, se ku jemi me energjitë e rinovueshme sot. Cila është pjesa e energjive të rinovueshme në konsumin final? Sipas bilancit energjetik të vitit 2013, ne jemi në 34%. Pra, kemi edhe 4% deri në vitin 2020 për të realizuar energjitë e rinovueshme në Shqipëri dhe me këtë rast plotësojmë targetet kombëtare”, tha Simaku. Direktiva e BE-së, sipas Simakut, thotë se ne duhet të fusim 10% të targetit të energjive të rinovueshme te karburantet. Pra, secila makinë në transport duhet të shpenzojë 10% biokarburant. “Duke marrë parasysh konsumin e karburanteve në vendin tonë, që shkon për sistemin e transportit, që është rreth 700 000 tonë hidrokarbure dhe duke qenë se në pjesën e targetit kombëtar të 38%, 10% duhet të jenë biokarburante, i bie që rreth 4% të të gjithë targetit duhet ta zërë biodiezeli që shkon për transportin. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, le të marrim 700 000 tonë dhe 4% e 700 000 tonëshit, kemi një vlerë rreth 28 000 tonë biokarburante, që duhet të futen në sektorin e transportit, deri në vitin 2020”, llogariti Simaku. “Sot, vazhdoi Simaku, kemi një prodhim 100 000 tonë në vit nga një fabrikë biokarburante, është edhe një fabrikë e dytë që përsëri prodhon dhe ne nuk na duhet më shumë se 28 000 tonë në vit biokarburant”, ka deklaruar Simaku. Nga diskutimet doli se vendi ynë nuk ka lëndë të parë për biokarburantet, por e importon dhe pas përpunimit e eksporton një pjesë të biodizelit.

Braçe: Jo akcizë për prodhimin vendas

Propozimi i Erjon Braçes para disa ditësh ka qenë që të mbetet në fuqi rimbursimi i akcizës për biodizelin. “Nëse shifrat e prodhimit dhe të konsumit brenda vendit kanë këtë parametër, që konsumi është shumë më i vogël se prodhimi, apo kapacitetet prodhuese që kanë dy fabrika në Shqipëri, natyrisht duhet të kihet parasysh edhe eksporti. Unë nuk besoj se ai biokarburant që është prodhuar në vend ka mbetur këtu, jo ka dalë edhe në eksport. Natyrisht, ne duhet që ta fuqizojmë këtë krah. Pikërisht, për këtë arsye, unë propozoj që për prodhimin vendas ajo masë fiskale të mbetet edhe për një periudhë kohore”, ka propozuar Braçe.

Gazeta Shqip, 21.10.2014