Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

10 miliarderët e 2013, dominon nafta dhe energjia

Viti 2013 nuk tregon ndryshime të theksuara në listën e miliarderëve të vitit 2013. Duke iu referuar xhiros, kompanitë e naftës dhe ato të energjisë kanë patur qarkullimin më të madh, të ndjekura më pas nga bankat

Kriza dhe ndryshimi i modelit ekonomik kanë nxjerrë në krye të listës së miliarderëve shqiptarë kompanitë që merren me prodhimin dhe tregtimin e naftës, ato të prodhimit të energjisë, bankat dhe telekomunikacionin. E përjavshmja ekonomike “Monitor” ka renditur kompanitë më të mëdha në vend për 2013-ën, duke iu referuar xhiros vjetore.

Si ndryshuan miliarderët

Katër kompanitë që kryesuan listën e dhjetë më të mëdhenjve për vitin 2013 kanë qenë në këtë pozicion edhe më 2012-ën. Bankers Petrolium, që merret me nxjerrjen e naftës, “Kastrati”, e përqendruar në importin dhe tregtimin e naftës, CEZ-Shpërndarje tani OSHE, që është e vetmja në shpërndarjen e energjisë elektrike dhe me pronësi shtetërore, dhe Banka Kombëtare Tregtare zënë vendet e para në renditjen e dy viteve të fundit. Edhe pse në një vit të vështirë për shkak të klimës së krijuar nga zgjedhjet e përgjithshme, kompanitë kanë zgjeruar dukshëm xhiron vjetore. Bankers Petrolium e ka rritur qarkullimin vjetor me 15 miliardë lekë vitin që shkoi ose me rreth 20 për qind. Rritje edhe më të madhe të xhiros kanë pësuar kompanitë që merren me tregtimin e naftës. Kompania e dytë më e madhe në vend, “Kastrati” ka patur një xhiro vjetore prej 64 miliardë lekësh më 2013-ën, me një rritje 35 për qind krahasuar me vitin 2012. Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, nga bilancet e 100 kompanive më të mëdha rezulton se xhiroja e tyre në total është rritur me rreth 7%, e udhëhequr nga gjigantët e naftës. Ritmet e rritjes së 100 VIP-ave janë ngadalësuar në raport me vitet e mëparshme, duke qenë më të ulëtat që nga viti 2008.

kompanite me te medha 2013

Ndryshimet dhe perspektiva

Ka kompani që nuk i kanë rezistuar presionit të tregut, krizës e konkurrencës, duke parë rënien e të ardhurave e daljen nga lista e më të mëdhenjve. Të tjera janë zgjeruar me ritme dyshifrore, duke fituar një pozicion tek 100 VIP. Në një vit, kur u ndërruan pushtetet pas dy mandatesh të qeverisura nga të djathtët, nuk kanë munguar as surprizat me daljet nga tregu apo rënien e thellë të disa sipërmarrjeve që kishin lulëzuar gjatë kësaj periudhe. Gjashtë vite më parë, top-lista kryesohej nga kompanitë celulare të telefonisë dhe ato të ndërtimit, pasi tregu ishte në kulmin e zhvillimit në këta sektorë dhe gjeneronte një xhiro të lartë dhe për rrjedhojë fitime të bollshme. Por tashmë tregu është liberalizuar, ka 4 operatorë celularë dhe çmimet janë ulur ndjeshëm, duke bërë që edhe xhiroja vjetore e tyre të jetë me ulje. Më vonë gjatë vitit 2010, listën e më të mëdhenjve e kryesonin kompanitë e ndërtimit, për shkak se qeveria ishte në kulmin e investimeve në rrugë, ndërsa këtë vit situata ka ndryshuar. E ardhmja po sheh nga energjia, dhe këtë po e sinjalizojnë fitimet e larta që po gjeneron sektori i energjisë dhe i naftës. Ekspertët po i këshillojnë bizneset që të investojnë në sektorin e energjisë, pasi këtë dekadë pritet që ky sektor të kryesojë.

Mapo, 16.09.2014