Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqëria civile ndjek filmin mbi energjinë

Qendra “Grupimi Ekolëvizja” organizoi sot shfaqjen e filmit dokumentar “Energjia është flori, kurse korrupsioni i madh”, realizuar në kuadër të projektit SEE SEP, të financuar nga BE. Ishin prezent në premierën e filmit anëtarë të shoqatave mjedisore si dhe ekspertë të mjedisit. Z. Xhemal Mato, drejtori i Ekolëvizjes, prezantoi të pranishmit me projektin e arsyet e prodhimit të këtij filmi.

Shfaqja e dokumentarit u pasua me një debat mbi problemin e korrupsionit në energji e mjedis si dhe si shoqatat mund të kontribuojnë në pakësimin e këtij fenomeni. Dokumentari tregoi një historik të shkurtër të rasteve më të mëdha të dyshuara të korrupsionit të publikuara në media, si dhe një rast konkret nga HEC-et e ndërtuara në Parkun Shebenik-Jabllanicë. Në film dokumentohet se si një hidrocentral mbi lumin Rrapun, i cili duhet të lejonte një % të ujit si rrjedhje të lirë, e përvetëson plotësisht atë duke e lënë shtratin e lumit të tharë. Sipas kryetarit të shoqatës “Egnatia”, Z. Agim Blloshmi, marrëveshja mes HEC-it e banorëve ishte që i gjithë uji i lumit të lejohej në rrjedhje të lirë gjatë 5 muajve të verës, por në fakt HEC-i të gjithë ujin e kalon në tubacione, siç tregohet dhe në dokumentar.

Gjatë debatit eksperti i energjisë Agim Nashi u shpreh se ndërtimi i kaq shumë HEC-eve është katastrofik. Uji kapet, futet në tuba me presion dhe i hiqet “sfungjerit” tokë i cili ja kalon bimëve. Ndërkohë në rrjetin e shpërndarjes 40% e energjisë së prodhuar vidhet, nivel humbjeje ky nga më të lartët në botë. Energjia sot trajtohet nga konsumatorët si mall pa zot sipas tij.

Sipas ekspertit të energjisë Aheron Himzo, një pjesë e ligjeve nuk zbatohen por një pjesë tjetër janë të pazbatueshëm. Kjo sepse institucionet ndërhyjnë në kompetencat e njëra-tjetrës ose nuk ka institucione që të mbikëqyrin zbatimin e ligjit, si psh. në rastin e legjislacionit mbi etiketimin e kursimit të energjisë nga pajisjet elektrike. Si pikë tjetër e dobët e proçesit të vendimmarrjes mbi HEC-et u konsiderua nga pjesëmarrësit dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis. Sipas Z. Agim Nashi, ndër VNM-të e sotshme gjen të tilla që janë pa vlerë, ndërkohë që më përpara një proçes lejeje zgjaste me vite. Sipas tij ekspertët e VNM-ve duhet të jenë ekspertë të mirëfilltë.

Znj. Emirjeta Dhamo, nga shoqata INCA, kritikoi faktin që në VNM-të mungon analiza financiare kosto-përfitim. Një analizë e tillë kryhet zakonisht në vendet e huaja.

Z. Lavdosh Ferruni sugjeroi që shoqatat të jenë më të bashkuara në aksionet e tyre për mbrojtjen e mjedisit, çka do të shtonte dhe mbështetjen e tyre tek njerëzit e thjeshtë.

Denisa Shehu e Qendrës për Drejtësi e Solidaritet, shprehu shqetësimin mbi ndërtimin e HEC-eve në kanionin e Langaricës. Kjo shoqatë tashmë ka nisur proçesin e ankimimit zyrtar ndaj një HEC-i në kanion. Ajo ka bërë ekspertimin në vend me ekspertë, ka nisur proçesin e një peticioni për tu firmosur nga 10000 persona e kërkon nga shoqëria civile të mbështetet, përpara se HEC-i të ndërtohet.

Filmin mund ta shikoni në YouTube.

Ekolëvizja, 04.09.2014