Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et mbi Radika: 77,900 firma kundër!

Në 24 qershor, përfaqësues të shoqatës mjedisore Riverwatch kanë depozituar pranë zyrave të Bankës Botërore në Vienë një peticion të nënshkruar nga 77,930 persona, kundër financimit të HEC-eve mbi lumin Radika. “Larg duart nga Mavrovo” lexon peticioni (Mavrovo është parku kombëtar ku do të ndërtohen HEC-et). Prej kohësh opinioni shqiptar është sensibilizuar mbi ndërtimin e këtyre HEC-eve, mbi faktin se njëri prej tyre do të pakësojë me 2 m3 ujë/sekondë prurjet e lumit të Drinit të Zi. Shoqëria civile në Maqedoni ka protestuar ashpër kundër ndërtimit të HEC-eve.

Parku Kombëtar i Mavrovos është i pasur në pyje ku jetojnë arinj, vidra dhe një ndër kafshët më të rralla në Europë: linksi ballkanik, një nënspecie e rrezikuar e linksit euroaziatik. Parku kombëtar i Mavrovos është i vetmi park ku kjo racë e rrallë maceje jeton ende në gjendje të egër. Projekti i HEC-eve në Parkun Mavrov mund të çojë në zhdukjen e linksit, por do të ketë pasoja dhe për biodiversitetin rreth lumit të Drinit të Zi sepse do të pakësojë ndjeshëm prurjet e tij.

Banka Botërore synon të investojë 70 milion euro në projektin “Lukovo Pole”. Ajo ende është duke e shqyrtuar si projekt.

Drejtuesi karizmatik i Riverwatch, i cili ka qenë në Shqipëri dhe për të organizuar mbrojtjen e lumit Vjosa nga ndërtimi i HEC-eve, kritikon ashpër Bankën Botërore. “Kredibiteti i standarteve mjedisore të bankës vihet shumë në dyshim, nëse banka financon HEC-e që ndërtohen brenda parqeve kombëtare, duke rrezikuar zhdukjen e linksit ballkanik. Drejtore Goldstein, stop financimit” kërkon ai nga Banka Botërore.

Peticioni elektronik u organizua nga OJF-të Riverwatch dhe EuroNatur, përpara rreth tri muajsh. Ai gjeti mbështetjen dhe të aktivistëve shqitparë. Peticioni u drejtohet dy financuesve-Bankës Botërore dhe BERZH-it, si dhe kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski. Përpara aprovimit të ndërtimit të projektit “Lukovo Pole” Maqedonia do të duhet të kërkojë dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis nga pala shqiptare.

Ekolëvizja, 21.08.2014