Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tragjedia në HEC, firma respekton kushtet

Inspektoriati i Punës në Lezhë reagoi sot në lidhje me tragjedinë e ndodhur mbrëmjen e djeshme ne hidrocentralin e Qafë Mollës, ku si pasojë e shembjes së një pjese të tunelit të HEC-it humbën jetën 3 punëtorë. Sipas kreut të këtij Inspektoriati, Valentin Gjetja, firma turke që po ndërton HEC-in respekton të gjitha kushtet e sigurisë.

“Në firmën turke janë bërë disa herë kontrolle. Firma është serioze, respekton kushtet e sigurisë. Tre punëtorët ishin pajisur me veshjet përkatëse.”- deklaroi Gjetja.

Sipas Inspektoriatit të Punës në Lezhë, konkluzionet për ngjarjen e rëndë pritet të publikohen pas dy ditësh.

Ngjarja

Shembja e një pjese të tunelit të hidrocentralit që po ndërtohet në Qafë-Mollë të Mirditës, u ka marrë jetën tre punëtorëve. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë rreth 20:20 në fshatin Rret i Epërm të këtij rrethi. Tre punonjësit, dy shqiptarë dhe një turk ishin duke punuar në një thellësi prej 2000 metrash, kur brenda pak minutash janë shembur dy masive shkëmbore dhe i kanë zënë poshtë. Viktimat janë Pjetër Doda nga Fani, Ndue Legisi nga fshati Shebe i Mirditës, si dhe një shtetas turk me emrin Hasan.

Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, e cila pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake deklaroi se tre punëtorët, të cilët kishin filluar punë në HEC vetëm para pak ditësh, ishin duke hapur vrima në tunel për vendosjen e dinamitit. Sipas hetuesve të çështjes, shpërthimet e përditshme të kryera nga firma turke që po ndërton HEC-in kanë ndikuar në prishjen e strukturës së tunelit dhe për rrjedhojë është shembur mali në një distancë prej 20 metrash.

Puna për ndërtimin e hidrocentralit në Qafë-Mollë të Mirditës ka nisur dy vite më parë, pasi ishte dhënë me koncesion nga qeveria e mëparshme. Por, prej asaj kohe firma turke që po ndërton HEC-in ka hasur në rezistencën e banorëve të zonës.

Herë pas here, banorët janë hedhur në protesta kundër punimeve të firmës turke për ndërtimin e këtij HEC-i. Krahas kërkesave për dëmshpërblim për pronat e tyre, ata kanë denoncuar dhe kushtet e këqija në të cilat punohet në galerinë e hapur për ndërtimin e HEC-it.

Koha Jonë, 31.07.2014