Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Braçe: Të hetohen konçesionet e Fazlliç

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, i kërkon publikisht qeverisë, Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, që të hetojnë mbi transaksionet e kryera dhe koncesionet e dhëna nga qeveria “Berisha” për biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, kërkoi që të hetohen të gjitha transaksionet e familjes së ish-kryeministrit Sali Berisha. Teksa po diskutohej projektligji për koncesionet, gjatë fjalës së tij Braçe u shpreh se këto transaksione në Serbi dhe Rusi që janë publikuar nga mediat, duhet të kontrollohen. “Kam një pyetje për të dyja autoritetet shtetërore, përfshi Kryeministrin dhe ministrin e Financave: Kur do të vihen nën kontroll transaksionet shumëvjeçare të kryera nga Damir Fazlliç dhe Argita Malltezi në territorin e Republikës së Shqipërisë? Kur organet tatimore do të trokasin në dyert e këtyre dy personave me aktivitet deri në vitin 2013 brenda territorit të Shqipërisë për të verifikuar një më një çdo transaksion financiar të kryer në këtë vend dhe natyrisht për të llogaritur mbi to të gjitha detyrimet ligjore? Kanë kaluar 300 ditë të mjaftueshme për të vënë nën kontroll këto transaksione, por edhe transaksione të tjera ende të pazbardhura, ende të pazbuluara në këtë vend”, u shpreh Braçe. Duke iu referuar kauzës së ngritur nga Partia Demokratike lidhur me vjedhjen e serverit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim-Taksave, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë u shpreh se problemi i vjedhjes së të dhënave në serverin e tatimeve është krijuar për të mbajtur larg organet fiskale, që të auditoni pikërisht transaksionet e familjes Berisha. “Duhet të kuptoni fare qartë zoti ministër, se e gjithë historia e serverit të tatimeve u shpik, u sajua thjesht dhe vetëm për të mbajtur larg organet fiskale pikërisht nga këto transaksione të paligjshme, nga këto transaksione të pakontrolluara, nga këto transaksione të patatuara. Për ditë të tëra me radhë, media solli në vëmendje pikërisht atë skandalin e serverit të tatimeve. Edhe pse ka kaluar 10 ditë nga publikimi i kësaj çështjeje, të gjithë duan të dinë se kush është Eltoni, kodi i të cilit u regjistrua në serverin e tatimeve dhe që, sipas atij raporti auditimi, qoftë të ministrisë qoftë edhe të prokurorisë, rezulton se ka shuar rekorde në serverin tatimeve. A ka të bëjë ky veprim pikërisht me këto transaksione, të cilat kanë qenë jashtë kontrollit me vetëdije të plotë të qeverisë së Sali Berishës për vite e vite të tëra”, u shpreh Erjon Braçe. Pak ditë më parë, rrjeti investigativ BIRN, publikoi fakte që, sipas tij, dëshmojnë se Argita Malltezi dhe njerëz të afërt me ish-kryeministrin kanë përfituar 1,75 milionë euro nga shitblerja e tokave në zonën e Porto Romanos, pasi kishin informacion paraprak se zona do të shndërrohej në park energjetik.

Konçesionet

Deputeti socialist i kërkoi gjithashtu qeverisë që të ndërhyjë për të ndryshuar edhe kontratat monopol të koncesioneve të lidhura nga qeveria e mëparshme. “Autoriteti i konkurrencës, në zbatimin e detyrave të dhëna nga Kuvendi, e ka analizuar këtë çështje dhe të paktën për dy koncesione. Ka marrë një vendim të qartë dhe ka arritur në konkluzione shumë solide dhe në propozime qoftë për qeverinë, qoftë dhe për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Më takon sot dhe në rolin e kryetarit të Komisionit të Ekonomisë, të deputetit të Kuvendit, por edhe të qytetarit të Republikës së Shqipërisë që paguan për këta monopolistë, t’i kërkojë sot qeverisë të zbatojë këtë detyrim të kësaj direktive në rishikimin jo vetëm të projektligjit, por edhe të katër kontratave koncesionare, të cilat në kushte monopoli ngarkojnë për shkak të shërbimeve ekskluzive që kanë marrë nën kontroll, qytetarët e Republikë së Shqipërisë me 45 milionë euro”, tha Braçe. Në mungesë të opozitës, seanca parlamentare ka kaluar pa debate, ku deputetët janë mjaftuar vetëm me prezantimin e projektligjeve dhe miratimin e tyre.

Gazeta Shqip, 18.07.2014