Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kukan: Çekët u treguan të ashpër për CEZ

Europarlamentari shprehet për negociatat e Tiranës me euroskeptikët

Shqipëria mori statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian të premten e kaluar, pasi rekomandimet nga Komisioni Europian dhe Këshilli i Ministrave të Jashtëm u miratua nga samiti i krerëve të shteteve të BE-së në Bruksel. Gjithsesi, Tiranës iu desh të kapërcente skepticizmin e disa vendeve anëtare të BE-së, kundërshtimet e të cilave ndaj statusit kandidat për Shqipërinë nuk qenë ngushtësisht të lidhura me kriteret e anëtarësimit në BE, i thanë “Balkan Insight” zyrtarë në Bruksel. Sipas një anëtari të Parlamentit Europian dhe zyrtarëve nga Komisioni Europian, leksioni i fituar nga bisedimet është që nevoja për të kënaqur interesat afatshkurtra politike dhe ekonomike të vendeve të ndryshme anëtare do të luajë një rol më të madh në procesin e integrimit. Eduard Kukan, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Vendet e Europës Juglindore, i tha “Balkan Insight” se “gjashtë vende anëtare të BE-së, mes të cilave Britania e Madhe, Franca, Republika e Çekisë dhe Spanja qenë ngurruese për dhënien e statusin kandidat”. Mes këtyre shteteve, Çekia kishte kundërshtimet më të ashpra si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes Tiranës dhe gjigantit energjetik të Çekisë CEZ mbi pronësinë e kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. “Shqipëria kishte të drejtë mbi këtë çështje, por çekët u treguan të ashpër”, vërejti Kukan. Në janar 2013, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri i hoqi licencën CEZ duke e rimarrë kompaninë e shpërndarjes nën kontrollin e shtetit. Vendimi, i cili në praktikë e shtetëzoi CEZ Shpërndarje, qe zhvillimi i fundit në një mosmarrëveshje të gjatë mes Tiranës dhe kompanisë çeke mbi borxhet e papaguara. Pak orë para se Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së të takohej më 23 qershor, Ministria e Ekonomisë dhe Energjisë së Shqipërisë njoftoi se kishte arritur një marrëveshje me CEZ për t’i paguar kompanisë çeke 95 milionë euro dëmshpërblim. Pas marrëveshjes, Praga hoqi dorë nga kundërshtimi për statusin kandidat për Shqipërinë dhe votoi pro. Kukan, një diplomat me eksperiencë, tha se përveç retorikës, Tirana nuk ka zgjidhje tjetër veçse të përshtatet me klimën e politikës së brendshme në vendet anëtare të Bashkimit Europian, në mënyrë që të përparojë në aspiratën e vet për anëtarësim. “Komisioni Europian mund të rekomandojë dhe Parlamenti Europian mund të votojë në mbështetje, por në fund janë krerët e shteteve anëtare, të cilët vendosin mbi anëtarësimin e Shqipërisë”, tha Kukan. Sipas tij, “Shqipëria ka nevojë të ketë marrëdhënie të mira me secilin prej këtyre vendeve”.

Gazeta Shqip, 02.07.2014