Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konferenca “Presidenca greke dhe zgjerimi”

Zëvendës Ministri i Energjisë dhe Industrisë z. Ilir Bejtja mori pjesë në konferencën “Presidenca Greke dhe Perspektiva e Integrimit në BE e Ballkanit Perëndimor” e organizuar nga Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) dhe Ambasada e Greqisë në Tiranë, në partneritet me Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme dhe Evropiane.

Në panelin me temë “Transport, Energji, Ndërlidhje dhe Edukimi/Perspektiva e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor në IPA II të ardhshme”, z. Bejtja theksoi se trupëzimi i të gjithë direktivave evropiane për energjinë dhe industrinë është një proces në vazhdim dhe se po vazhdon me një ritëm të ri. “Në fushën e integrimit evropian kontributi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë është i drejtpërdrejtë. Ky është një proces në vazhdim, me një ritëm të ri, si nga pikëpamja e reformës strukturore, i trupëzimit të të gjithë direktivave evropiane për energjinë në përgjithësi dhe industrinë, ashtu edhe në mënyrë konkrete me integrimin e Shqipërisë në mënyrë institucionale dhe me projekte të aplikuara në rrjetin e energjisë dhe komunitetin e saj evropian”, u shpreh Zëvendës Ministri.

Zëvendës Ministri Bejtja përmendi disa nga arritjet konkrete që janë bërë për evropianizimin e sistemit energjetik shqiptar. “Konkrete janë investimet për rritjen e kapaciteteve të transmetimit nëpërmjet interkonjeksionit me rrjetin rajonal dhe evropian të transmetimit; Aderimin plotësisht të OST-së në njësinë ballkanike të koordinimit dhe transmetimit të energjisë elektrike; Marrëveshjen për integrimin e tregut të Shqipërisë me atë të Kosovës për energjinë elektrike; Projektet ndërkombëtare evropiane dhe ndër rajonale për transmetimin e gazit dhe shpërndarjen e tij, TAP dhe IAP, etj.,” nënvizoi ndër të tjera Bejtja.

Z. Bejtja tha se me rëndësi në këtë proces integrimi kanë edhe proceset e ndërmarra për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të ngritura në sistemin e shpërndarjes. “Aktivitetet dhe programet për uljen deri në nivel teknik të humbjeve të energjisë elektrike në shpërndarje për tek përdoruesi final. Përmirësimi i klimës së sistemit të shpërndarjes do të shoqërohet me investime në rrjet, për stabilizimin e tij dhe uljen e humbjeve deri në standardet e pranuara nga komiteti evropian i energjisë”, u shpreh z. Bejtja.

Të gjitha këto veprime, theksoi duke e mbyllur fjalën e tij Zëvendës Ministri, do të bëjnë të mundur që nga pikëpamja energjetike Shqipëria të integrohet në Evropë plotësisht. “Me rëndësi në këtë proces të evropianizimit të sistemit energjetik shqiptar janë hapat e ndërmarrë lidhur me energjitë e rinovueshme dhe efiçencën e energjisë. Të gjitha këto veprime do të bëjnë të mundur që nga pikëpamja energjetike Shqipëria do të integrohet në Evropë plotësisht, shumë më parë sesa të jetë gati për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian.”

energjia.al 19.06.2014