Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kemi ndërtuar HEC-e me siguri absolute

Akademia e Shkencave i jep medaljen “Nderi i Akademisë” dr. Emin Musliut. Njeriu simbol, i cili që nga viti 1948 e deri në vitin 1980 dha kontributin e tij në ndërtimin e veprave që i dhanë Shqipërisë dritën.

Inxhinieri i njohur në fushën e ndërtimit të veprave të mëdha energjetike, Emin Musliu është nderuar këtë të mërkurë me medaljen “Nderi i Akademisë”. Në një ceremoni të posaçme, akademikët kanë sjellë copëza ndër vite nga veprimtaria e kësaj figure të njohur që ka hedhur bazat në projektimin dhe më pas në ndërtimin e hidrocentraleve më të njohura në vend. Një kronologji e gjithë punës së tij, është prezantuar nga akademiku, Salvator Bushati, i cili e ka vlerësuar inxhinierin e njohur si një mësues të denjë, për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin e veprave energjetike. Ndërkaq kreu i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti u shpreh se figura të tilla janë harruar, e për këtë arsye e gjithë veprimtaria e tyre duhet të shkruhet që të shërbejë për brezat e ardhshëm. Gjatë ceremonisë, inxhinieri i njohur Emin Musliu ka përcjellë për të pranishmit, disa momente të fillimit të karrierës së tij, dhe ndihmën e çmuar të kolegeve të tij ndërkombëtarë, ku së bashku krijuan hidrocentralet më të njohura në vend.

Duke falënderuar Akademinë e Shkencave inxhinieri 83-vjeçar u ndal në përvojën e gjatë që ka pasur inxhinieria shqiptare në ndërtimin e veprave më të mëdha hidroenergjetike. “Ne kemi qenë poth uajse analfabetë, duke mos ditur asgjë për mënyrën sesi funksiononte hidrocentrali. Nuk dinim se çfarë ishte dinamiti dhe nuk njihnim kontrollet dhe masat që duhet të ndërmerrnim për ndërtimin e një hidrocentrali. Ka qenë një ndihmë e jashtëzakonshme e specialistëve sovjetikë. Me përfundimin e Selitës u bë një vepër shumë e madhe, hidrocentrali i Ulzës. U bë një digë me një ndërtesë centrali brenda tubit të digës ku dhe llogaritë matematikore ishin shumë të vështira për të bërë qëndrueshmërinë e sallës së makinerisë. Ishte institucioni i vetëm që bënte projektime hidroteknike dhe gjithçka që kemi kërkuar atëherë na e kanë dhënë dhe mes të tjerave na treguan një gjë shumë të madhe që e ngulitëm në mendje, se në qoftë se do të ndërtonim vepra të mëdha hidroteknike, duhet të kishim parasysh dy gjëra, prurjet dhe sizmicitetin. Në qoftë se poshtë hidrocentralit ka qytete, atëherë prurjet duhen marrë një herë në 10 000 vjet dhe tërmetet duhet të shikohen si më ekstremet në forcën e tyre.

Tre hidrocentralet e Drinit, Vau i Dejës, Fierza dhe Komani i kanë këto karakteristika. Vetëm nëse shkatërrohet gjithë Europa mund të shkatërrohen dhe këta hidrocentrale. Pra, ka një siguri absolute. Njeriu i ndërtoi, njeriu mund t’i prishë, por natyra nuk mundet”, – u shpreh Musliu. Veç tyre ai u ndal edhe në një pjesë të përvojës, e cila ndihmoi në projektimin e dhe ndërtimin e hidrocentraleve. “Prishja e marrëdhënieve me sovjetikët ishte një gjë shumë e rëndë sepse kemi mbetur si jetimë, pasi nuk kishim se ku të mbështeteshim. Në vitin 1961, së bashku me profesor Radovickën këtë fakt ia bëmë të ditur dhe kryeministrit asokohe. Na duhej eksperiencë për këtë detyrë, pasi në këtë periudhë na u dha detyra për hartimin e skemës së shfrytëzimit të lumit Drin, në të cilën parashikoheshin dy diga të larta, Fierza (167 metra) dhe Skavica (220 metra). Ishte diçka shumë e habitshme për nivelin tonë të asaj kohe dhe jo vetëm kaq, por në vitin 1963 janë ndërtuar 4 diga të tilla në Europë, 2 në Zvicër, 1 në Francë dhe 1 në Itali”, – tha dr. Musliu.

Karriera

Emri i Musliut qëndron në veprat e mëdha energjetike, në drejtimet e sektorëve të vështirë, madje edhe në qeverisje e paralelisht në drejtimin e veprave të mëdha. Musliu ka një aktivitet shumë të gjerë si drejtor teknik në kantieret e HEC-it të Selitës, drejtor i kantierit të ndërtimit të digës së HEC-it në Ulzë, kryeinxhinier gjatë viteve 1958-1960, drejtor i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve të Hidrocentraleve dhe linjave të tensionit të lartë, të stacioneve dhe portave detare. Është projektues i HEC-it të Shkopetit, Bistricës 1, Bistricës 2. Ka kryer detyrën e zëvendësministrit të Ndërtimit, njëkohësisht duke e ruajtur këtë detyrë, i emëruar dhe drejtor i përgjithshëm i ndërtimit të HEC-it të Vaut të Dejës, drejtor i përgjithshëm i punimeve të HEC-it të Fierzës, deputet dhe ministër i Ndërtimit.

Gazeta Shekulli, 19.06.2014