Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Spahiu: Disiplinim tregut të hidrokarbureve

Ligji i ri i hidrokarbureve i miratuar nga qeveria dhe që shumë shpejt pritet të shkojë në parlament pritet të disiplinojë këtë treg, të shmangë abuzimet si dhe të garantojë konkurencën mes bizneseve që operojnë në këtë fushë.

Dritan Spahiu, drejtor i Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjitikës, në një intervistë në “Ora News” tha se ligji përcakton rregulla të forta për licencimin. Sipas tij përmes një kontrolli të rregullt dokumentacioni tekniko-ligjor dhe duke ndaluar ndërtimet joligjore, shumë shpejt ky treg do të mund te stabilizohet.

“Ministria e Energjisë dhe Industrisë,me porosi të veçantë të Ministrit Gjiknuri, tashmë ka hartuar një ligj i cili ka kaluar në qeveri dhe pritet të shkojë në parlament. Për amendimet janë mbi 17 nene, të ligjit aktual për tregëtimin, transportimin dhe përpunimin e hidrokarbureve. Tashmë do të bëhet shumë e qartë se kush i shet kujt, që nga zinxhiri që është nga rafinëria, impiantet, tregëtimi me shumicë dhe tregtimi me pakicë. Është bërë e mundur liçencimi për herë të parë i impianteve , duke marrë parasysh që ato kanë qënë jashtë kontrollit të shtetit, vetëm me një leje mjedisore ishte e bërë e mundur riciklimi i karburanteve, e cila është tërësisht antiligjore. Duke bërë të mundur gjithë zinxhirin , duke përcaktuar që do të ketë dhe një kampion produkti i cili do të shoqërojë shitjen, pra nga rafineria duke kapur pikën e karburantit ne do ta kemi të qartë se ku është furnizuar.Inspektoriati Qëndror Teknik ka bërë të mundur dhe publikimin e emrave të kompanive të cilët abuzojnë në treg , dhe ky është një publikim i përmuajshëm dhe do të përcaktohet dhe me ligj. Konsumatorët do ta kenë shumë të qartë se ku nuk duhet të blejnë karburant. Kjo do të bëjë të mundur edhe vetë rregullimin e tregut. Nga Ministria e Transportit ëshë marrë një nisëm shumë e mirë për disiplinimin e ndërtimit të pikave të karburantit, do fillohet kryesisht me zonat e shërbimit të cilat do të kenë një distancë nga njëra-tjetra. Tek ky projektligj që është miratuar, është bërë e mundur që nuk do të jetë vetëm pushteti vendor ai që do japë liçencën për ndërtimin e një pike karburanti, por do të jetë edhe institucioni qendror, duke shmangur tashmë të gjitha praktikat abuzive që kanë ndodhur në të kaluarën. Tregu i karburanteve ka mbi një mijë pika karburanti, duke pasur parasysh se numri optimal i tyre është rreth 500, pra me një kontroll shumë të rregullt të dokumentacionit tekniko-ligjor, dhe duke ndaluar ndërtime joligjore, do të bëjmë të mundur shumë shpejt që tregu të jetë i stabilizuar”.

Spahiu foli dhe për projektin më madhor për ekonominë shqiptare, gazësjellësin TAP, ku vetëm një ditë më parë Instrumenti i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, miratoi grantin prej 1.1 milion eurosh për qeverinë shqiptare me synim hartimin e masterplanit të gazit.

Duke e përcaktuar si një nga projektet kryesore të qeverisë Rama, Spahiu tha se ardhja në Shqipëri e gazit do të vërë në funksion menjëherë TEC-in e Vlorës.

“Ky është një nga një nga projektet më kryesore të qeverisë Rama. Duhet të kemi parasysh se Shqipëria me Kosovën janë dy vendet e vetme të cilat nuk janë të lidhura me ndonjë gazsjellës rajonal, nuk janë të gazifikuara. Kjo mund të jetë dhe një sfidë për qeverinë. Synimi i qeverisë është që konsumatori i parë të jetë ai i energjisë elektrike, pra prodhimi i energjisë nëpërmjet gazit, siç e dimë që është TEC-i i Vlorës i cili është tashmë gati për të prodhuar energji nëpërmjet gazit natyror dhe sapo të vijë ky gaz, ne do të bëjmë të mundur vënien në punë të tij. Klientët e dytë në rradhë janë klientët industrialë , të cilët tashmë kanë shprehur dhe interes për ta përdorur këtë produkt. Ndërkohë që konsumatori familjar është ai i fundit , i cili kërkon edhe investime më të mëdha, pra duhet shtrirë i gjithë rrjeti i gazit në çdo banesë. Ne jemi duke parë ende leverdishmërinë e këtij projekti.Kërkon kohë sepse është një projekt shumë kompleks, mund të themi që brenda vitit 2015 ne presim të përfundojë hartimi i masterplanit, kërkohet hartimi i termave të referencës, përzgjedhja e konsulencës ndërkombëtare, vazhdimi i kontratës dhe zhvillimi i gjithë procesit. Brenda viti 2015 ne do të kemi një dokument të qartë, i cili do të tregojë se cilat do të jenë investimet që do të bëjë ky treg”tha ai.

Projekti i ndarë në katër faza nis punimet në 2015, tha më tej Spahiu, dhe pritet të përfundojë brenda viteve 2019-2020.

“Me datë 8 prill Këshilli Kombëtar i Territorit i akordoi lejen zhvillimore komplekse, që quhet leja e ndërtimit, tashmë i është hapur rruga projektit. Ky projekt ka katër faza. Në fazë e parë është ndërtimi i rrugëve ndihmëse dhe urave, faza e dytë ndërtimi i vetë tubacionit, faza e tretë është ndërtimi i stacionit të kompresorëve dhe pjesa e fundit që është projekti në det. Shumë shpejt Ministria do të fillojë punën, dhënien e lejes së fazës së parë. Projekti TAP është duke paraqitur dokumentacionin , dhe brenda vitit 2015 pritet të fillojnë punimet për fazën e parë. Dhe ky projekt pritet të përfundojë brenda viteve 2019-2020”.

Ora News, 14.06.2014