Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Irak, lufta kërcënon naftën

Rebelët sunitë në Irak, që janë një grup i ndarë nga al Qaeda, pushtuan qytetin Tikrit dhe kanë mbyllur rafineritë më të mëdha në naftës në vend.

Me zhvillimet më të fundit ata kanë bërë përparim ushtarak kundër qeverisë Shiite në Bagdad, pasi më herët pushtuan edhe qytetin e Mosulit. Tensioni është përshkallëzuar edhe më tej të Enjten, pasi forcat kurde kanë marrë kontrollin e plotë të qytetit Kirkuk, që është i pasur me naftë. Këtë lajm e konfirmoi një zëdhënës kurd, i cili shtoi se ushtria federale i ka braktisur bazat e saj. Qyteti i Kirkukut është në qendër të mosmarrëveshjeve midis qeverisë federale në Bagdad dhe Kurdëve, të cilët drejtojnë rajonin e tyre autonom dhe kanë një ushtri të armatosur, të quajtur Peshmerga.

Menjëherë, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi sulmet e militantëve islamikë. OKB-ja tha se gjendja humanitare rreth Mosulit është e tmerrshme dhe po përkeqësohet nga momenti në moment. Militantët konsoliduan pozitat e tyre në Tikrit, vendlindja e Saddam Hussein-it. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për solideratitet me Irakun në këtë sfidë serioze të sigurisë. Një kërcënim i madh vjen edhe për rafineritë e naftës në Baiji pasi militantët e Shtetit Islamik në Irak dhe grupi Levant, përparuan në qëllimin e tyre për të krijuar “Kalifatin Sunit” në kufirin midis Irakut dhe Sirisë.

Rënia e Mosulit, qytetit të dytë më të madh në Irak, është një goditje për kryeministrin Nuri al-Maliki, i cili po përpiqet të mposhtë militantët, të cilët kanë “pushtuar” territore të konsiderueshme në Irak, pas tërheqjes së trupave amerikane. Rreth 500 mijë persona kanë braktisur qytetin e Mosulit prej 2 milionë banorësh dhe shumica e tyre po kërkojnë strehim në rajonin autonom të Kurdistanit.

Të Enjten, kryengritësit morën edhe dy qytete të vogla në veri të Bagdadit dhe tashmë kontrollojnë rreth 15% të territorit të Irakut. Ministri i Jashtëm, Hoshyar Zebari deklaroi se liderët e Irakut duhet të mblidhen për tu përballur me një kërcënim “vdekjeprurës”. Maliki e përshkroi rënien e Mosulit si një “konspiracion” dhe tha se ata që kanë braktisur postet e tyre do të ndëshkohen. Ai shtoi gjithashtu se në disa qytete janë angazhuar vetë banorët dhe janë bashkuar me ushtrinë për të luftuar grupin ISIL.

Scan TV, 12.06.2014