Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shoqata Egnatia kundër HEC-eve në Librazhd

Shoqata Egnatia, pjesë e rrjetit “ECIM” vazhdon takimet e saj me banorët e komunitetit të zonës së Parkut Kombëtar Shebenik-Jabllanicë për informimin e tyre mbi problemet mjedisore të shkaktuara nga HEC-et dhe Konventën e Aarhusit.

Takimi i radhës ishte më nxënësit e shkollës së Mesme Dorëz,dhe banorë të zonës ku u trajtuan dëmet në mjedis nga ndërtimi pa kriter i HEC-eve dhe “Zbatimi i Konventes se Aarhusit. Të drejtat që Konventa siguron janë kthyer tashmë në mjete praktike për publikun, shoqërinë civile për të siguruar informacion dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse për mjedisin.

Me banorët e komunitetit u diskutua gjerësisht mbi problematikat që janë shkaktuar në komunitete, ku i gjithë uji është futur në tuba dhe mungesa e tij po fillon të ndiehet shumë.

Banorët thanë midis të tjerave së dëmtimet janë të pallogaritëshme si në infrastrukutrë ashtu dhe në florën dhe faunën e zonës. Shumë lumej janë tharë dhe trofta është zhdukur krejtësisht. Po kërcënohet mbijetesa e kafshëve të egra dhe atyre shtëpiake ku familjet nuk po mundin të mbajnë bagëtitë për mbarështrim, pasi në përrenj nuk ka më ujë. Gjithashtu një problem është dhe shkatërrimi i ekosistemit duke shkatërrruar florën e çmueshme të zonës. Në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë janë një numër i madh i bimëve, kafshëve dhe gjallesave ujore që janë në Librin e Kuq, që po zhduken. Në takimin me banorët rezultoi se ata asnjëherë nuk janë pyetur dhe nuk është marrë mendimi i tyre, vetëm kur ju kanë mbirë HEC-et si kërpudha në zonën e tyre duke paralizuar gjithcka. Shumë herë banorët janë konfrontuar dhe me punonjës të firmave koncesionare që kanë filluar të ndërtojnë në zonën e tyre.

Vitet e fundit, mjedisi në Rrethin e Librazhdit po bëhet një shqetësim i përhershëm. Në takim u fol për problemet gjithnjë e më të prekshme për njerëzit, të shkaktuara nga shkatërrimi i mjedisit, dëmtimi i zemrës së Parkut Kombëtar, shkatërrimi i zonës kreative.

Valbona Faqolli Zv.Drejtoreshë e shkollës tha se është vërtetë një katastrofë dëmtimi i parkut. Ajo vlerësoi punën e mirë që po bëhet nga rrjeti “Ecim” dhe Shoqata “Egnatia” në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, për trajtimin e çështjeve mjedisore në të gjitha aspektet, nga të gjithë aktorët e interesuar, strukturat vendimmarrëse, shoqëria civile, publiku, etj.

Shoqata Egnatia në takim trajtoi dhe Konventën e Aarhusit, zbatimin e saj në Shqipëri. Që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e Konventës së Aarhusit, Shqipëria ka bërë përpjekje për t’u përgatitur për ratifikimin dhe zbatimin e Konventës në praktikë. Gjatë viteve është bërë progres në përafrimin e legjislacionit mjedisor me Konventën e Aarhusit dhe direktivat përkatëse të BE-së lidhur me të. Megjithatë, ka ende shumë për të bërë, sidomos në plotësimin e boshllëqeve në legjislacion dhe në fushën e zbatimit praktik. Në takim u fol se si komuniteti mundet ti drejtohet gjykatës për problemet mjedisore. Dashamir Hysa përshëndeti dhe vlerësoi të dyja temat e zgjedhura, ku midis të tjerave tha: Sidoqoftë sfida mbetet përfshirja praktike dhe efektive e të gjithë aktorëve në menaxhimin e mjedisit. Konventa e Aarhusit dhe të drejtat që ajo siguron janë kthyer tashmë në mjete praktike për publikun, shoqërinë civile për të siguruar informacion dhe përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse për mjedisin. Konventa e Aarhusit siguron dhe mekanizmat mbrojtës të këtyre të drejtave: ajo sanksionon të drejtën e publikut për t’iu drejtuar gjykatës. Megjithatë zbatimi praktik i të drejtës për t’iu drejtuar gjykatës për çështje mjedisore ka rezultuar i vështirë në praktikë.

Maja Zero lektore, tha se: “Konventa e Aarhusit, qytetarin e thjeshtë, nga një bartës detyrimesh e bën një partner aktiv në vendimmarrjen për çështjet mjedisore duke ia siguruar atij kështu të drejtën për të qënë i informuar për situatën mjedisore ku jeton, të drejtën jo vetëm për të marrë pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrje për çështje mjedisore, por të ketë edhe të drejtën e qasjes në mbrojtjen ligjore në rast të shkeljes të së drejtës së tij për një mjedis të pastër”. Pjesmarrësve ju fol për qëllimin kryesor të Konventës, i cili është të kontribuojë në mbrojtjen e të drejtës së secilit për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm.

Ekolëvizja, 03.06.2014