Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Beccheti la Kalivaçin pa ujë, ankohen banorët

Hidrocentrali që duhet të ishte ndërtuar para 12 vjetësh po shkatërron infrastrukturën.

Banorët e fshatit të Kalivaçit në Tepelenë vazhdojnë protestën për atë çka e cilësojnë cenim të interesave të komunitetit nga projekti për ndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Vjosë.

Një përfaqësi e banorëve të këtij fshati kanë mbërritur dje në dyert e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, për të ngritur shqetësimet e tyre. Banorët janë pritur në takim nga zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë, Ilir Bejtja. Nga pjesëmarrësit në këtë takim mësohet se ata paraqitën pretendimet e tyre për atë çka po ndodh në fshatin Kalivaç. Banorët e fshatit që ndodhet në kufirin administrativ mes Tepelenës dhe Mallakastrës, këmbëngulin se gjendja është e rënduar, pompat e ujitjes janë dëmtuar, duke e bërë rrjetin e ujitjes të dalë krejtësisht jashtë funksionit. Gjithashtu, banorët e Kalivaçit ankohen se prej një muaji nuk kanë as ujë të pijshëm në fshat, çka ua ka vështirësuar edhe më shumë jetesën.

Ndërkaq, banorët e akuzojnë sipërmarrësin Beccheti që duhet të ndërtojë Hidrocentralin e Kalivaçit, se ka abuzuar edhe me dëmtimin e rrjetit të energjisë elektrike në fshat, ashtu sikurse janë shkatërruar rrugët ndërlidhëse. Gjatë takimit me zyrtarin e lartë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, banorët e Kalivaçit vunë në dukje se gjithashtu ka probleme me shpronësimet dhe me moslikuidimin e pagesave të prapambetura nga firma koncesionare. Kjo firmë, sipas banorëve, nuk ka bërë transparente asgjë dhe ka pasur mungesë komunikimi me komunitetin e Kalivaçit. Përfaqësia e banorëve kërkoi ndërhyrjen e shtetit për të bërë të mundur zgjidhjen e kësaj situate dhe marrjen parasysh të interesave të komunitetit. Hidrocentrali i Kalivaçit ka nisur të ndërtohet në vitin në vitin 1997. Sipas kontratës, vepra me fuqi 93 mega duhet të përfundonte në vitin 2002. HEC-i duhet të prodhonte 350 milionë kilovat orë energji në vit. Projekti ka shkelur tri herë afatet ligjore. Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore në një raport mbi ecurinë e punimeve deklaron se firma nuk ka realizuar shumicën e punimeve, në një kohë kur hidrocentrali duhet të ishte në fazën e prodhimit.

Koncesioni

Historia e hidrocentralit të Kalivaçit nisi me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 222, datë 24.05.1997 “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit të formës BOT për hidrocentralin e Kalivaçit”, që jepte dritën jeshile për një projekt shumë ambicioz për kohën, që duhej të ndërtohej në harkun kohor të 5 viteve. Koncesionari, BEG S.p.A., ishte një kompani e themeluar më 1995 dhe kishte kapital themeltar të deklaruar 1 milion euro.

Gazeta Shqip, 30.04.2014