Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rumania përgatitet për rritje të gazit

Në Rumani, çmimet e gazit do të kenë rritje të jashtëzakonshme prej 24% duke filluar nga muaji i ardhshëm, shprehen ekspertët.

Kjo lëvizje është pjesë e një skeme liberalizimi të rënë dakord me kreditorët ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, FMN dhe Bankën Botërore.

Sipas skemës, çmimet e gazit do të rriten edhe më tej në një total prej 72% deri në tetor 2014.

Çmimi i gazit natyror që përdoret për konsum shtëpiak do të liberalizohet plotësisht deri në fund të vitit 2018.

Analistët thonë se rritja e çmimeve të gazit për konsumatorët industrialë, të tillë si prodhuesit e energjisë elektrike dhe kimike dhe të fabrikave të çelikut, do të godasë ekonominë rumune.

“Vendi rrezikon një tkurrje prej 6 përqindësh në ekonomi dhe mbi gjysmë milion vende pune të humbura në qoftë se çmimet e gazit për industrinë do të shkojnë në të njëjtën linjë me mesataren e BE-së, deri në fund të këtij viti”, sipas një raporti të “Deloitte”.

Përfaqësuesit e industrisë i kërkuan qeverisë që të anulojë rritjen e çmimeve dhe të rishikojë liberalizimin e tyre.

“I ashtuquajturi liberalizimi i tregut të gazit natyror do të çojë në mbylljen e kompanive dhe zhvendosjen e tyre në vende të tjera”, tha Mihai Ivascu, nga organizata CONPIROM.

Qeveria njoftoi se do të paraqesë një plan në mbështetje të konsumatorëve industrialë. Megjithatë, detaje të mëtejshme nuk u dhanë.

Rumania prodhon rreth 13 miliardë metra kub gaz në vit, që përfaqësojnë rreth 70 për qind të nevojave të saj vjetore. Ajo importon pjesën tjetër kryesisht nga Rusia.

Rumania po kërkon të reduktojë varësinë nga energjia ruse, kryesisht duke zgjeruar rrugët e furnizimit me gaz.

Në vitin 2009, kur mosmarrëveshja Rusi-Ukrainë çoi në reduktime të gazit të transportuar nëpërmjet tubacioneve ukrainase, Rumania iu përgjigj me një ulje prej 39 për qind të importeve të saj të gazit.

Revista Monitor, 06.04.2014