Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ERE: Unifikim çmimit dhe faturim në kohë

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Entin Rregullator të Energjisë për veprimtarinë e këtij institucioni gjatë vitit 2013.

I pranishëm në Komision për të paraqitur raportin ishte kryetari i Bordit Drejtues të ERE-s, z. Petrit Ahmeti, i cili bëri një ekspoze të përmbledhur të punës së Entit gjatë vitit 2013, si dhe të objektivave që synohet të përmbushen gjatë vitit në vazhdim.

Veprimtaria e Entit Rregullator të Energjisë gjatë vitit 2013, sipas kreut të bordit drejtues të ERE, u lidh kryesisht me statusin juridik te kompanisë CEZ Shpërndarje sh.a dhe u intensifikua me shume angazhimi i rregullatorit ne pregatitjen dhe perditesimin e bazes legjislative rregullatore të tregut të gazit natyror në vendin tonë.

“Zhvillimet ne sektorin e energjisë elektrike janë shoqëruar me hapa dhe procese të rëndësishme nga pikëpamja e organizimit, menaxhimit dhe administrimit të tij. ERE në zbatim të autoritetit ligjor ka ushtruar kontroll dhe ka monitoruar punën e kompanisë CEZ Shpërndarje për aktivtetin që ajo ushtronte në sektorin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Nga këto kontrolle dhe monitorime rezultonin problematika të shumta dhe të ndryshme në lidhje me performancën e kompanisë dhe shërbimet që ajo duhej t’i kryente në sasi dhe cilësi te konsumatorët e energjisë elektrike. U vu re një perkeqesim i rrezultateve financiare të kompanisë, reduktim i ndjeshëm i investimeve për fuqizimin e rrjetit të energjisë elektrike. Në veçanti u vu re një përkeqësim i ndjeshëm i njërit prej treguesve më sinjifikativ të aktivitetit të kompanisë që është treguesi i humbjeve të energjisë. Rrezultatet e kompanisë filluan të bien ndesh me kërkesat dhe kondicionet e paracaktuara gjatë procesit të privatizimit, të shprehura këto dhe në dokumentacionet përkatese mbi bazën e të cilave u formalizua ky privatizim. Në këto kushte, në ushtrim të autoritet ligjor të saj ERE mbasi analizoi situatën në të cilën ndodhej sektori i shpërndarjes në datën 12 Janar 2013 mori vendimin për heqjen e licencës kompanisë CEZ në aktivitetin e shpërndarjes dhe furnizuesit publik me pakicë. Nisur nga ky fakt kompania u vendos në administrim të përkohshëm, status ky, në të cilin vazhdon të qëndrojë edhe sot,” tha z. Ahmeti.

Në sektorin e gazit natyror, gjatë vitit 2013 ERE, sipas z. Ahmetaj, ka realizuar procedurat që lidheshin me zhvillimin më tej të gazsjellësit TAP duke u bazuar në një bashkëpunim dhe harmonizim të procedurave me autoritetet rregullatore në sektorin e energjisë në Itali dhe Greqi.

“Në analizë të karakteristikave, zhvillimeve dhe problematikave që shfaq sektori elektroenergjitik dhe ai i gazit natyror në vendin tonë, forcimi i kapaciteteve profesionale të ERE-s është një sfidë e rëndësishme e këtij institucioni më qëllim përmbushjen e detyrimeve sipas legjislacionit në fuqi dhe në mënyrë të veçantë në kuadër të implementimit të Paketës se Tretë të Energjisë miratuar nga Komisioni Europian. Kujtojme se kjo e fundit behet e detyrueshme për zbatim duke filluar nga data 1 Janar 2015. Implementimi i Paketës së Tretë të Energjisë kërkon një angazhim të gjithë institucioneve politikëbërese në vend dhe natyrisht një angazhim shumë të madh të Entit Rregullator të Energjisë i cili në këtë kuadër kërkohet të implementojë këtë paketë përmes miratimit apo përmirësimit të një sërë aktesh nënligjore të tillë si: Rregullat e tregut, Rregullat e Alokimit të Kapaciteve, kërkesat për përjashtim nga aksesi, metodologjite e përcaktimit të tarifave dhe çmimeve të energjisë dhe adoptimit të Kodeve të Rrjetit,” tha kreu i bordit të ERE.

Në vijim, z. Ahmetaj iu përgjigj pyetjeve të deputetëve që kishin të bënin me objektivat e ERE-s për liberalizimin e tregut të energjisë për tensionin e mesëm dhe të ulët, forcimin e kapaciteteve të autoriteteve në sektorin e energjisë, strategjinë e ERE-s lidhur me çmimin e energjisë për konsumatorin, kontrollet që ky Ent planifikon të ndërmarrë për cilësinë dhe sasinë e shërbimeve që lidhen me furnizimin e qytetarëve me energji elektrike, etj.

energjia.al, 01.04.2014