Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konflikti me Rusinë vonon “Rrjedhën e Jugut”

Komisioneri i Bashkimit Europian për Energjinë, Guenther Oettinger, ka njoftuar se do të vonohen bisedimet mbi projektin e gazsjellësit “Rrjedha e Jugut”, që ka për qëllim të sjellë gazin rus në Europë, nëpërmjet Detit të Zi, në përgjigje të krizës në Krime.

“Ne nuk do të përshpejtojmë bisedimet për gazsjellësit Rrjedha e Jugut, përkondrazi, do ti shtyjmë ato”, tha Oettinger, për të përditshmen gjermane Die Welt. Gjithashtu, ai shtoi se për momentin Europa nuk përballet me një mungesë të furnizmit me gaz, në një kohë që diplomatët po përpiqen të gjejnë një zgjidhje diplomatike në lidhje me krizën në Krime. Rezervat e energjisë janë të mjaftueshme dhe dimri është duke përfunduar.

Për këtë arsye nuk pritet të ketë emergjencë për ngrohje në Kontinentin e Vjetër. Rusia ka filluar të ndërtojë gazsjellësin Rrjedha e Jugut, që anashkalon Ukrainën, dhe do të plotësojë rreth 15% të kërkesës vjetore për gaz në Europë duke filluar nga viti 2018. Por plani i kompanisë të kontrolluar nga shteti, Gazprom, është vënë nën dyshim për shkak të konflikteve ligjore me Bashkimin Europian, që po përpiqet të shmangë varësinë nga gazi rus. Komisioni Europian i ka kërkuar kompanisë Gazprom të veprojë sipas ligjeve të brendshme të Bashkimit Europian dhe po heton në lidhje me rritjen e çmimit të gazit në mënyrë të padrejtë.

Oettinger shtoi gjithashtu se ai mbështet sanksionet bankare dhe ndalimin e vizave ndaj vendim-marrësve rusë dhe individëve të pasur. “Do të ishte mëkat nëse do të prishnim për pak ditë lidhjet ekonomike që kemi ndërtuar për dekada me radhë me Rusinë, që janë shumë të rëndësishme për ekonominë dhe vendet e punës në të dyja rajonet”, përfundoi Oettinger.

Scan TV, 10.03.2014