Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri urdhëron revokimin e 121 lejeve minerare

Në zbatim të urdhërit të Ministrit Z.Damian Gjiknuri, strukturat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë kanë ushtruar kontroll për subjektet të cilat janë pajisur me leje për zhvillimin e aktivitetit minerar.

Gjatë këtij auditimi, krahas subjekteve të cilat zhvillojnë aktivitet minerar në zbatim të kërkesave ligjore, janë evidentuar edhe disa subjekte të tjera, të cilat megjithëse janë pajisur me leje minerare të rregullta, nuk zbatojnë me korrektësi kërkesat për lejet minerare që kanë në zotërim dhe detyrimet financiare ndaj shtetit.

Në zbatim të ligjit, Ministri Gjiknuri ka firmosur fillimin e procedurave për revokimin e 121 lejeve minerare, që përbëjnë rreth 16% të totalit të lejeve të lëshuara.

Disa prej këtyre subjekteve u ka përfunduar afati fillestar i lejes minerare dhe nuk kanë bërë në kohë kërkesë për zgjatjen e tij. Në përgjithësi, këto subjekte rezulton ta kenë ndërprerë aktivitetin minerar ndërsa AKBN dhe MEI u ka kërkuar rehabilitimin e mjedisit të dëmtuar nga zhvillimi i këtij aktiviteti.

Një pjesë tjetër e subjekteve rezultojnë të zhvillojnë aktivitet të rregullt minerar por nuk janë korrekt me pagesat e garancive për zhvillimin e këtij aktiviteti. Këto subjekte nuk kanë paguar garancinë për rehabilitimin e mjedisit për vitet 2011-2012, duke mos zbatuar kërkesat e ligjit nr.10304, datë 15.07.2010 dhe të V.K.M nr.440, datë 16.06.2011, “Për miratimin e formës të kushteve të rikthimit dhe mënyrës së llogaritjes së garancive financiare për rehabilitimin e mjedisit”.

Një tjetër kategori subjektesh janë konstatuar se zhvillojnë aktivitet minerar në zona të mbrojtura mjedisore dhe që u ka mbaruar afati fillestar i lejes. Këto subjekte, megjithëse kanë kërkuar zgjatjen e afatit të lejes, kjo nuk u është pranuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, pasi në zonën e licencuar nuk lejohet aktiviteti minerar.

Përveç këtyre 121 lejeve për të cilat ka nisur procedura e revokimit, për disa subjekte të tjera janë vendosur penalizime me gjoba.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë deklaron se është në mbështetje të plotë të investitorëve duke i garantuar për mbështetjen maksimale në realizimin e detyrimeve kontraktuale me shtetin shqiptar. Gjithësesi, në asnjë rast, shteti nuk do të mbyllë sytë përpara rasteve kur investitorët shkelin detyrimet ligjore dhe nuk respektojnë marrëveshjet që kanë firmosur.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë do të vazhdojë procesin e auditimit edhe për subjektet që veprojnë në minierat e bitumit dhe bakrit.

energjia.al 07.03.2014