Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Termocentrali i Korçës, kompania në gjyq me Ministrinë e Mjedisit

Termocentrali i Korçës, i cili në vitin 2018 mori statusin e investimit strategjik, duket se është përfshirë në një luftë ligjore me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për shkak të një vendimi të kësaj të fundit. Në një çështje të depozituar pranë Gjykatës Administrative të Apelit kompania GPP Korça sh.p.k ka kundërshtuar dhe kërkuar anulimin e refuzimit të  deklaratës mjedisore dhe aplikimit për vlerësim të thelluar të ndikimit në mjedis të projektit nga ana e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

Në objekt të padisë është saktësuar “Kundërshtim dhe anulim i akteve administrative: a. Vendimi 2Nr. Identifikimi 205, Refuzim Deklaratë Mjedisore identifikimi 205, nr.2484 prot, datë 11.03.2019, lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit; b.Shkresa me lënde: ?Mbi aplikimin për procedurë të thelluar të VNM-së për subjektin “GPP Korca” Sh.p.k?, nr. 1323/2 prot datë 09.04.2019, lëshuar nga Agjencia Kombëtarë e Mjedisit; 2.Miratimin e Raportit të thelluar të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM e thelluar) dhe lëshimin e Deklaratës Mjedisore”

Projekti parashikon realizimin në zonën e Korçës të një termocentrali me cikël të kombinuar me rendiment të shndërrimit të energjisë termike në energji elektrike me 60% ose 5990 kj/kwh me kapacitet 480.9 MW.

Sipas dokumenteve të projektit impianti synon të furnizohet me gaz nga projekti i gazsjellësit TAP në sasi 6.36 x 108 m3/vit (distanca 2 km në veri) sipas një kontrate që vetë subjekti propozues do të negociojë me kompaninë TAP ag dhe furnizuesit e gazit. Energjia elektrike e prodhuar synohet të transmetohet tek nënstacioni elektrik Zëmblak duke dalë në treg të lirë me një qasje treg rajonal pa parashikuar si kusht nënshkrimin e një marrëveshjeje (PPA) me qeverinë shqiptare. Uji për kondensim (në sasinë 460 m3/orë) (128 l/s) parashikohet të merren nga impianti i pastrimit të ujerave të qytetit të Korçës ashtu sikundër parashikohet edhe hapja e dy puseve me kapacitet 20-30 litra/s secili.

Projekti në një fazë të dytë zhvillon konceptin e ngrohjes qendrore të qytetit të Korçës deri në 80 megavat energji termike për ngrohje dhe 6 MË për ujë sanitar. Zhvillimi i rrjetit të ujit të nxehtë në të gjithë qytetin synohet të bëhet nga Partneriteti Publik Privat që do të vendoset ndërmjet subjektit GPP Korçë dhe Bashkisë së Korçës”, thuhet në dokumentet zyrtare.

Sipas projektit, synimi është që të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 909 182 metër në Korçë, Pojan, Kuç i Zi, Belorta, Dishnicë, Barç, Zëmblak, Malavec, Nevicisht për realizmin e termocentralit, lidhjes me TAP, lidhjes me sistemin e ujit, ndërtimin e shtyllave të linjës së transmetimit dhe ndërtimin e shtresës së nënstacionit Zëmblak.

Termocentrali vlerësohet se ka një kosto totale investimi prej 350 milionë eurosh.

Që në momentin që u prezantua, projekti ka hasur në shumë debate për shkak të ndikimit që do të kishte në mjedis.

Monitor,  07.02.2020