Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

2013, u lidhën 47 kontrata për HEC-e

Në kuadër të liberalizimit të tregut të prodhimit të energjisë dhe të futjes së operatorëve privatë në tregun e prodhimit, gjatë vitit 2013 janë lidhur 47 kontrata të reja për ndërtimin e 112 HEC-ve me vlerë të përgjithshme rreth 454,1 milionë euro, sipas të dhënave zyrtar, publikuar nga Ministria e Financave. Deri tani janë nënshkruar 168 kontrata koncesioni për ndërtimin e 441 hidrocentraleve, me fuqi të instaluar në total prej 2,012 MW, me vlerë të përgjithshme të investimit në rreth 2.615 miliardë euro.

Gjithsej janë në shfrytëzim (prodhim) 74 hidrocentrale. Gjatë vitit 2014 pritet të hyjnë në prodhim rreth 17 hidrocentrale.

Me vënien në shfrytëzim të këtyre objekteve, sipas burimve qeveritare, parashikohet të garantohet siguria e furnizimit me energji elektrike të tregut të brendshëm dhe një pjesë e energjisë së prodhuar të shitet në tregun rajonal.

Ndërtimi i hidrocentraleve të mëdha, të mesme dhe të vogla: investimet pritet të përmirësojnë ndjeshëm si bilancin e prodhimit dhe të shkëmbimit të energjisë, ashtu dhe të ardhurat në buxhet. Investimet kryesore lidhen me: ndërtimin e HEC-ve në lumin Devoll (280 MW), në lumin Osum (152 MW), në lumin Vjosë (350 MW), në lumin Drin/Skavicë (200 MW). Me ndërtimin e këtyre impianteve Shqipëria plotëson kërkesat e tregut të brendshëm dhe mund të kthehet në eksportues neto të energjisë. Masat e ndërmarra për implementimin me sukses të projekteve të mësipërme lidhen me krijimin e lehtësirave fiskale dhe procedurale, përfshirë skema për lehtësimin e kreditimit të HEC-ve të vogla.

Revista Monitor, 04.03.2014