Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Patos, 232 milionë fuçi rezerva nafte

Bankers Petroleum Ltd. ka publikuar rezultatin e vlerësimit të pavarur të rezervave të naftës deri në fund të Dhjetorit 2013. Vlerësimet u kryen nga RPS Energy Canada Ltd. për vendburimin e Patos-Marinzës dhe nga DeGoyler and MNaughton Canada Ltd. për vendburimin e Kuçovës. Vlerësimet u kryen në përputhje me Standartet e Instrumenteve Kanadeze 51-101, Standartet për Aktivitetet në Fushën e Naftës dhe të Gazit.

Kompania Bankers Petroleum ka rritur rezervat në krahasim me vitin 2012 prej më shumë se 20%. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e rezervave të nxjerrëshme janë përmirësimet operacionale, program i përshpejtuar i shpimit të puseve të reja dhe ulja e kostove të zhvillimit në të ardhmen. Kostot operacionale për njësi kanë rënë si pasojë e reduktimit të përdorimit të solarit, përmirësimin e sistemit të trajtimit të naftës, uljen e konsumit të energjisë si edhe përmirësimin e performancës së pompave me burmë.

Treguesi i jetëgjatësisë së rezervave të nxjerrëshme dhe të provuara është përkatësisht 22 dhe 35 vjet.

Sipas Bankers 232 Milionë Fuçi Rezerva të Nxjerrëshme plus Rezervat e Mundëshme (2P) rrisin vlerën e Kompanisë në 2.24 miliardë dollarë. Prodhimi Mesatar për 3-mujorin e Parë të 2014 deri tani është 19,700 fuçi në ditë!

Çmimi i Naftës së Vendburimit të Patos-Marinzës

Çmimi aktual mesatar për shitjet në eksport është rreth 81% të BRENT-it (një rritje prej afro 2% në krahasim me çmimin mesatar të realizuar në vitin 2013 që ishte 79% të BRENT-it).

Ndryshimet në Paketën e re Fiskale në Shqipëri

Në vijueshmërinë e ndryshimeve fiskale në Shqipëri për vitin 2014, këto raporte rezervash janë bazuar mbi supozimet që Kompania Bankers dhe Qeveria Shqiptare do të arrijnë një marrëveshje e cila do të garantonte stabilitetin e treguesve ekonomikë siç parashikohet në marrëveshjen hidrokarbure nëpërmjet kompensimit të përshtatshëm të efekteve fiskale, si edhe rimbursimi në kohë i TVSH-së brenda afateve të përcaktuara në legjislacion. Një gjë e tillë u bë e mundur edhe në vitin 2008 kur Qeveria Shqiptare zbatoi ligjin për rentën minerare.

David French, Presidenti dhe Shefi Ekzekutiv i kompanise Bankers Petroleum Ltd. deklaroi: “ Kompania është shumë e kënaqur për njoftimin mbi rritjen e rezervave brenda një viti në të cilin u realizua edhe një rekord i ri në prodhimin e naftës. Raporti i rezervave për vitin 2013 reflekton strategjinë tonë inxhinierike për të bërë shpime të reja efiçente, parashikimet e sakta të zonave ku do të shpohen puset e reja horizontale si edhe në rritjen e fitimit operativ për çdo fuçi të prodhuar. Këto rezerva të reja përbëjnë një rritje prej 20% në vlerën aktuale neto të kompanisë dhe përforcojnë bazën e fuqisë së biznesit tone, që është optimizimi i performancës në këtë asset me naftë të rëndë të klasit botëror.”

Revista Monitor, 21.02.2014