Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, HIB Petrol: nuk kemi importuar naftë industriale

Nuk qëndrojnë pretendimet e sotme në media se HIB Petrol ka bërë furnizim me naftë industriale për institucionet shkollore në vend të naftës që përdoret për automjete, duke përfituar kështu në dallim të çmimit që e lejon akciza fikse në vlerën prej 0.36 eurocent për litër.

E para, HIB Petrol konfirmon se në 7 vjetët e fundit nuk ka importuar asnjë litër naftë industriale.

E dyta, këto të dhëna mund të konfirmohen nga Doganat e Kosovës. Inkurajojmë mediat, si dhe secilën palë tjetër të interesuar, që të bëjë kërkesë në mënyrë të pavarur nga Doganat e Kosovës për të vërtetuar zyrtarisht importet e HIB Petrolit në 7 vjetët e fundit. Po ashtu, këto dokumente mund të merren edhe nga HIB Petrol.

E treta, në kontratën në fuqi, e lidhur me 8 shkurt 2012, ndërmjet të HIB Petrol dhe Komunës së Prishtinës, malli referohet si “naftë për ngrohje dhe gjeneratorë”, pa asnjë specifikacion tjetër. Duke respektuar këtë, ne kemi bërë furnizimin me naftë për ngrohje të tipit “Eurodiesel 10ppm”, e cila nuk është naftë industriale, por është naftë standarde, konform Udhëzimit Administrativ të MTI-së Nr 07/2012.

E katërta, faktet e mësipërme hedhin krejtësisht poshtë pohimet se HIB Petrol ka përfituar në ndonjë mënyrë në akcizë për naftë industriale, pasi që naftë e këtillë nuk është importuar fare, dhe rrjedhimisht as nuk ka pasur asnjë mundësi që të realizohet një fitim i pretenduar prej 1.5 milionë euro nga ky dallim.

HIB Petrol edhe një herë u bën thirrje të gjitha institucioneve gjegjëse ta zgjidhin çështjen e ngrohjes në shkolla në mënyrë profesionale, por të kenë kujdes që të mos e dëmtojnë tërthorazi reputacionin e kompanisë sonë, si një ndër kompanitë për të përgjegjshme dhe ndër kontribuueset më të mëdha të buxhetit të Kosovës.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 10.02.2014