Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri inspektoi HEC-et e Vaut të Dejës dhe Komanit

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri inspektoi të shtunën dy hidrocentrale, atë të Vaut të Dejës dhe të Komanit, për të parë nga afër situatën pas reshjeve të ditëve të fundit.

Gjatë një prononcimi të dhënë për mediat, Ministri theksoi se reshjet e fundit kanë shtuar prurjet në hidrocentrale, duke përmirësuar situatën hidroenergjitike, si edhe duke garantuar furnizimin me energji në vend.

Z.Gjiknuri tha se kuotat deri tashti janë të menaxhueshme, por duke ju referuar shkarkimeve të mundshme, u shpreh se janë marrë të gjitha masat, në bazë të rregulloreve të parashikuara, si dhe duke njoftuar banorët në kohë. Ministrit ka siguruar që ky dimër s’do të ketë asnjë problem me furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike.

Prononcimi i Ministrit Gjiknuri pas inspektimi në hidrocentralin e Vaut të Dejës:

Ardhja këtu, ishte për të parë situatën e përgjithshme në lidhje me gatishmërinë në të cilën janë hidrocentralet, në të gjithë kaskadën e Drinit. Më pas do të shkoj edhe në Koman. Kemi një situatë me reshje, masat janë marrë të gjitha. Sipas rregulloreve, kuotat deri tani janë të menaxhueshme. Në qoftë se do të ketë prurje të mëdha, dhe nëse do të ketë ndonjë problem në lidhje me shkarkimet e mundshme, janë marrë masat për ta përballuar situatën, dhe për t’i koordinuar me të gjithë strukturat e tjera. Çka është më e rëndësishme, ka të bëjë me faktin se situata hidrologjike po përmirësohet. Rezerva energjetike është rritur pas një periudhe të thatë të dhjetorit dhe të janarit, gjë që garanton edhe furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike të konsumatorëve.

Korporata faktikisht është në një gjendje të vështirë financiare për shkak të situatës me shpërndarjen, duke akumuluar borxhe të mëdha, qindra milionë dollarë. Është e pafalshme që korporata në këtë situatë të menaxhohet keq, siç ka ndodhur më parë, duke pasur edhe raste skandaloze abuzimi që janë bërë publike në media. Unë dua të përgëzoj stafin drejtues për denoncimet dhe auditimet që ka bërë, ku ka konstatuar se është blerë skafi sikur të ishte blerë një jaht. Pra, vjedhje në kurriz të pasurisë publike, të një kompanie publike, e cila nuk duhet të trajtohet nga këtej e tutje si një mall pa zot, por do të konsiderohet si një aset i çmuar dhe duhet menaxhuar financiarisht shumë mirë. Situata financiare në sektorin energjetik nuk e lejon luksin e shpenzimeve të tepruara, njëkohësisht në asnjë rast nuk duhet të lejohen abuzime, si këto rastet që po zbulojmë kohët e fundit. Gjithsesi dua të siguroj publikun që gjendja energjetike po përmirësohet, strukturat janë të gjitha në veprim dhe jam shumë i sigurtë që ky dimër s’do të ketë asnjë problem me furnizimin e energjisë elektrike dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.

Parashikohet të ketë shkarkime?

Varet, nuk mund të parashikojmë dot sesi do të jetë moti. Nëse do ketë prurje të tilla uji, të papërballueshme, në bazë të rregullores, gjë që është parashikuar që kur janë ndërtuar këto vepra energjetike, dhe në koordinim të plotë me të gjithë strukturat e emergjencës, do të merren masat dhe do të lajmërohen njerëzit në kohë. Ajo që është më e rëndësishme për ne, që është një lajm i mirë, është që po bie shi. Është gjëja më e mirë për këtë vend që koha e lagësht është kthyer. Qeveria shqiptare përgatiti edhe një paketë financiare për të blerë energji për këtë çështje, por me ndryshimet e reja atmosferike, ne po e shikojmë me kujdes në mënyrë që t’i administrojmë siç duhet ato para. Lajm që duhet të na gëzojë, është që edhe në ditët që vijnë pritet të jenë kohë me reshje. Është lajm i mirë nga pikëpamja e rezervës energjetike që krijohet.

Si është situata në Fierzë dhe në Koman?

Fierza duke qenë një basen më i madh është akoma nën nivelin që pritet, por shpresojmë me prurjet që do të vijnë të ujërave, kuota do të përmirësohet. Unë më vonë do të bëj edhe një inspektim në hidrocentralin e Komanit. Jemi duke e ndjekur situatën. Mbi të gjitha gjithçka po menaxhohet sipas rregullores. Edhe në ministri, edhe në korporatën elektroenergjetike funksionojnë strukturat e posaçme për të ndjekur këtë situatë të dimrit, gjë që gjithmonë ka të papriturat e saj.

energjia.al 26.01.2014