Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Mini-Superfuqia Energjitike” në mëshirë të 3 gjigandëve

Hidrocentralet e ngritura përpara viteve 1990, do të vazhdojnë që të furnizojnë konsumatorët shqiptarë edhe gjatë shekullit të ri. Ndër Hec-et, të cilat do të mbajnë peshën kryesore të sistemit energjitik shqiptarë edhe gjatë viteve të ardhshme janë kryesisht Hidrocentralet e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës, ndërsa më pas vijnë HEC-et e Ulzës, Hidrocentrali i Shkopetit si dhe Bistrica 1 e Bistrica 2, të cilat janë shitur përfshirë këtu edhe HEC-in e Lanabregasit.

Elton SEVRANI Drejtor i Divizionit të Furnizimit Publik me Shumicë në KESH thotë “prodhimi për vitin 2013 i KESH sha në tre HEC në pronësi të tij (Fierze, Koman, Vau i Dejes) është 5.800.0000 Mwh.

Prodhimi për vitin 2013 i 4 HEC-ve të tjera të mëdha (Bistrica 1, Bistrica2, Ulëz, Shkopeti) është 30.000 Mwh (prodhim i cili hidhet ne sistemin e shperndarjes se CEZ shperndarjes). Prodhimi për vitin 2013 i HEC Ashta 1 dhe Ashta 2 është 210.000 Mwh. Prodhimi për vitin 2013 nga HEC UKT (Lanabregasi) është 34.000 Mwh . Prodhimi për vitin 2013 nga 90 HEC të vegjël me koncension në sistemin e shpërndarjes dhe të transmetimit është 550.000 Mwh” citon Drejtor i Divizionit të Furnizimit Publik me Shumicë në KESH.

“Duhet të theksohet” thotë Sevrani, se “edhe për 2-3 vitet në vazhdim sasia që do të prodhojnë Ashta, HEC UKT Lanabregasi si dhe HEC-et e vegjël në sistemin e transmetimit dhe të shpërndarjes, do të jetë më e vogël se sasia e energjisë që importon CEZ shpërndarja për të mbuluar humbjet në rrjet”

Si u trumbetuan nga ish kryeministri nisja e ndërtimit të 300 HEC-ve.

Shtator 2012, deklaratat e ish Kryeministrit Berisha: “Shqipëria ka burime kolosale jo vetëm ujore, por ajo është një prej vendeve me më shumë ditë me diell në rajon e më gjerë. Shqipëria ka disa platforma mitike ere. Shqipëria, superfuqi energjetike në rajon”.

Cili është profili i Kompanisë KESH ndër vite

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) sh.a. është një shoqëri tregtare aksionere shtetërore e integruar vertikalisht dhe është prodhuesi kryesor dhe më i rëndësishëm i energjisë elektrike në Shqipëri. Themelet e saj nisin në vitin 1957, me krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Centraleve Elektrike (DPCE) si entiteti i vetëm që realizonte prodhimin, transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike tek konsumatori si edhe shkëmbimin me vendet fqinj. Në vitin 1992, DPCE u shndërrua në ndërmarrjen shtetërore Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, ndërsa në vitin 1995 mori statusin e shoqërisë anonime me aksione të zotëruara 100% nga shteti.

Në vitin 2001, hyri në fuqi Statuti aktual i KESH sh.a, i cili parashikonte ndryshime të thella organizative në zbatim të legjislacionit komunitar për privatizimin e monopoleve jonatyrale – si kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në BE – duke bërë fillimisht ndarjen e funksioneve bazë në : Prodhim, Transmetim, Shpërndarje. Me zhvillimet e mëvonshme, në vitin 2004 u bë ndarja nga KESH sh.a. e veprimtarisë të transmetimit nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) sh.a. si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore.

Në vitin 2007, u nda nga KESH sh.a. edhe veprimtaria e shpërndarjes dhe furnizimit me pakicë nëpërmjet krijimit dhe funksionimit më vete në treg të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) sh.a. fillimisht si shoqëri anonime me aksione 100% shtetërore dhe nga viti 2009, pas privatizimit të suksesshëm të paketës 76% të aksioneve, pjesë e grupit të kompanisë çeke CEZ A.s.Aktualisht, KESH sh.a. vepron si shoqëri anonime me kapital tërësisht shtetëror në bazë të aktit të themelimit datë 17.10.1995. Korporata do të vijojë të luajë një rol të rëndësishëm në sektorin energjetik.

Shqiptarja.com 24.01.2014