Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Saybolt fitoi 2.6 milionë euro nga monopoli

Kompania kroate “Saybolt pan Adriatika” përfitoi milionat nga tregu i naftës në Kosovë. Për 19 muaj sa veproi e vetme si trup inspektuese e favorizuar nga ish-ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari – Lila, kjo kompani që ishte autorizuar me një mori shkeljesh ka përfituar hiç më pak se 2 milionë e 622 mijë e 550 euro.

Vetëm gjatë kësaj periudhe, që i bie 635 ditë, në Kosovë gjatë ditës janë futur rreth 70 cisterna me derivate të lëngshme, ku për secilën cisternë “Saybolt pan Adriatika” vetëm se i ka shikuar dokumentet ka marrë nga 59 euro. Sipas një kalkulimi të thjeshtë i bie se “Saybolt pan Adriatika” gjatë kësaj periudhe 19 mujore ka përfituar mbi 2 milionë e 622 mijë e 550 euro, vetëm nga shikimi i dokumenteve. Pa përfshirë në këtë kalkulim përfitimet gjatë monitorimit të brendshëm të tregut. “Saybolt pan Adriatika” si trup inspektues këtë punë e kryen po ashtu pa akreditim për njohjen dhe pranimin e dokumenteve të huaja.

“Saybolt pan Adriatika” dhe Dogana e kryejnë të njëjtën punë

Dogana e Kosovës bazuar në ligjin e konformitetit, 04/ L-039, neni 31, është ai institucion i cili e bën pranimin dhe shikimin dokumenteve të huaja përfshi deklaratat e konformitetit. Pika 1 këtij neni thotë se para se të miratohet hyrja e produktit në qarkullim të lirë, shërbimi doganor apo zyra kompetente doganore është e autorizuar për të kryer verifikimin adekuat të karakteristikave të produktit që hyjnë në territorin doganor të Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 28 paragrafët 1., 2. dhe 3. të këtij ligji.

Adriatik Stavileci, zyrtarë për informim nga Dogana e Kosovës, ka sqaruar se Dogana kontrollin e konformietetit e kryen me qëllim të tarifimit dhe vlerësimit të mallit.

“Secili Dud që hyn në doganë i shikohen edhe dokumentet” ka thënë Stavileci.

Kjo procedurë që kryhet nga dogana nuk ka kosto për bizneset, kurse e njëjta punë që kryhet nga “Saybolt pan Adriatika” paguhet me 59 euro. Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, instalimin e kësaj trupe nga ana e MTI-së e sheh vetëm si haraç institucional ndaj naftëtarëve. Ai ka thënë se trupa inspektuese nga MTI-ja duhet të hiqet ngase është vetëm barrë për naftëtarët.“Kjo është plaçkë, këtë punë e kryen edhe Dogana e Kosovës, pa kosto për biznesin, kurse ‘Saybolt pan Adriatika’ për të njëjtën punë merr nga 59 euro”ka thënë Berjani. Ai gjithashtu ka thënë se edhe monitorimin e brendshëm nuk kanë nevojë ta kryej trupa inspektuese.

Hesht Ambasada e Amerikës

Për të arsyetuar të gjitha shkeljet para të cilave kishte mbyllur sytë Kusari – Lila, në shkrimin e botuar më 4 janar 2014, “I dyshuar në Kroaci, i privilegjuar në Kosovë”, kishte deklaruar se kompania kroate erdhi në treg me referencë të Ambasadës së Amerikës. Këta të fundit zgjodhën heshtjen para kësaj deklarate.

“Tani nuk kemi asgjë për ju lidhur me këtë”, është përgjigjur Ambasada Amerikane.

Por se ish –ministrja Kusari – Lila kishte insistuar me çdo kusht që “Saybolt pan Adriatika” të kishte monopolin e tregut për 19 muaj rresht tregon edhe fakti se kompanisë konkurruesi nuk ia kishte vazhduar autorizimin si trup inspektues.

“KPU inspekti” kjo trupë inspektuese iu vazhdua autorizimi vetëm mbas 2 muaj kur Kusari – Lila dha dorëheqje nga posti i ministres. Konfirmimi i dorëheqjes së Kusari – Lila kishte ardhur më 2 tetor 2013, kurse “KPU inspekti”-të i ishte vazhduar autorizimi më 19 dhjetor 2013.

U.d. të ministrit në MTI, Bernard Nikaj, vendimin e arsyeton me zbatimin e ligjit nga “KPU Inspekti”. “Autorizimi i trupës inspektuese “KPU Inspekt” nuk ka lidhje me postin e Kusari Lila, por është rezultat i zbatimit të ligjit, udhëzimit administrativ, dhe procedurave ligjore të përcaktuara për autorizimin e trupave inspektuese”, ka sqaruar Nikaj, edhe pse datat tregojnë se “KPU Inspekt”-it, autorizimi iu vazhdua vetëm kur nga posti i ministres u largua Kusari-Lila.

Gazeta Zëri, 16.01.2014