Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et me tuba po shkatërojnë natyrën dhe ekonominë

Një ndër takimet e rrjetit “ECIM” u zhvillua në Librazhd, me fokus problematikën e dhënies së 43 lejeve për HEC-e brenda Parkut Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë, ku fatkeqësisht në një pjesë të madhe të tyre kanë filluar punimet. Ky park është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2008 dhe ka një sipërfaqe prej 33.927.7 Ha. Zona shquhet për një larmishmëri të florës dhe faunës, ndaj dhe ndërhyrja njerëzore e një niveli të tillë, e izolimit të ujit që në burim nga tubat, është dhe për më tepër do të jetë një katastrofë e vërtetë. Në këtë park gjenden bimë endemike dhe kafshë mjaft të rralla si rrëqebulli, ujku, ariu i murrmë, dhia e egër etj. Në të gjenden së paku 14 liqene akullnajore.

Sipas kryetarit të shoqatës Dores z. Mandi Kurti, biodiversiteti në këtë zonë do të jetë një përrallë nga e kaluara. Ndërsa inxhinieri elektroenergjitik z. Mustafa Malo u shpreh “Peshku është mbi gurë, kafshët s’kanë ku të pijnë ujë, ka ndodhur dhe po ndodh një betonizim i shtratit të lumenjve”.

Publiku është i njohur vetëm me njërën anë të medaljes zhvillimin ekonomik, nga HEC-et. Por nga ana tjetër një zhvillim i tillë sjell pasoja për mjedisin. Madje impakton dhe zhvillimin ekonomik, nga turizmi. E ndaj nuk duhen trumbetuarvetëm si zhvillim HEC-et! E për më tepër HEC-et në Zona të Mbrojtura, që janë në shkelje me ligjin. Mos harrojmë që qytetërimet e para u krijuan pikërisht pranë lumenjve,pasi aty gjendej ushqimi. Peshqit janë një mundësi e mirë për t’u ushqyer por edhe për të zhvilluar tregti, janë një burim jetik që do të shterrojë. Ky nuk është një zhvillim i qëndrueshëm. Pasojat në ekonomi do të ndihen jo vetëm nga humbja në biznesin e peshkimit por edhe nga ulja e potencialeve për zhvillimin e turizmit. Mungesa e infrastrukturës e ka bërë këtë zonë jo atraktive për investitorët e huaj. Nëse shteti do investonte për infrastrukturën, do ishte një kosto që jo vetëm do t’i kthehej shumë shpejt, por do të gjeneronte dhe të ardhura nga turizmi. Por mesa duket shteti i trembur drejt arritjes së targetit 38% në energjitë e rinovueshme deri në 2018, bën hapa të përshpejtuar dhe të gabuar, me pasoja fatale për natyrën dhe ekonominë. Ndërkohë që është kushtuar shumë pak vëmendje në format e tjera të energjive të rinovueshme nga dielli dhe era.

Z. Kurti, kryetar i shoqatës Dorez i shqetësuar nga problematika e HECeve me tuba, u shpreh për gazetën Ekolëvizja: “Imagjinoni çfarë do shohi turisti këtu, vjen për një Park Kombëtar dhe do prezantohet me një zonë industriale”.

Aktiviteti për të ndërgjegjësuar bashkinë, komunat, komu- nitetin mbi dëmet mjedisore dhe ekonomike-sociale që do të sjellin HEC-e të tilla, për banorët por edhe për gjithë shqiptarët u zhvillua në dy pjesë.

Në pjesën e parë takimi u zhvillua në Bashkinë Librazhd, me pjesëmarrës nga komunat, ekspertë, rrjeti “ECIM”, rrjete të tjera mjedisore të formuar në kuadër të Programit SENiOR-A, shoqata mjedisore lokale, mësues, gjimnazistë etj. “Etja për të fituar e ka shkatërruar natyrën, fryma e etjes për fitim është tepruar”, u shpreh në takim drejtuesi i Qendrës “Grupimi Ekolëvizja” dhe njëkohësisht i rrjetit “ECIM”, z. Xhemal Mato.

Në këtë takim morri pjesë dhe kryetari i bashkisë Librazhd, z. Shefki Cota i cili shprehu gadishmërinë e tij për të ndihmuar në këtë proçes, duke e mbështetur rrjetin tonë në këtë nismë. Në këtë takim, ndonëse ishin ftuar të merrnin pjesë, mungonin kryetarët e komunave që përfshihen në Parkun Kombëtar Shebenikë-Jabllanicë. Komunat që përfshihen në këtë park janë: Steblevë, Lunik, Qendër, Hotolisht, Qukës, Rrajcë. Duke qenë se “Nisma fillon nga komuna”- siç u shpreh dhe kryetari i Bashkisë Librazhd z. Cota, është menduar të realizohet një tjetër takim vetëm me kryetarët e komunave.

Në pjesën e dytë të aktivitetit, u zhvillua vizitë studimore në Parkun Kombëtar “Shebenikë-Jabllanicë”, për të prekur nga afër këtë problematikë. Të gjithë pjesëmarrësit, që erdhën në park hipën mbi tubat e vendosura për HEC-e, me gishtin e ok për poshtë, duke shprehur kështu në mënyrë simbolike shpirtin e tyre demostrativ.

Ekolëvizja, 16.12.2013