Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MZHETS rishikon koncesionet pas ankesave te biznesit

Pas kërkesave dhe ankimimeve të përfaqësuesve të bizneseve të fushave të ndryshme, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është duke ndërmarrë një hulumtim të të gjitha koncesioneve që janë dhënë vitet e fundit. Sipas sinjalizimeve të disa prej grupeve të interesit në sektorë të ndryshëm, në vitet e fundit janë dhënë një numër koncesionesh me parime të padrejta kundrejt konkurrencës së lirë si edhe me kompetenca që i vendosin bizneset përfituese të koncesioneve, në kushte të pabarabarta, disa herë madje edhe në kushte dominuese ndaj aktorëve të tjerë në treg.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si institucioni përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e biznesit nga praktikat e pandershme, si dhe palë e interesuar për liberalizimin e tregut dhe përmirësimin e klimës së biznesit, thekson angazhimin e saj për reduktimin e këtyre praktikave dhe për sigurimin e konkurrueshmërisë së barabartë të biznesit në çdo sektor.

Për këtë arsye Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Z. Arben Ahmetaj, i është drejtuar të gjitha Ministrive që kanë dhënë koncesione në fusha të ndryshme, të dërgojnë pranë MZHETS listën e plotë të koncesioneve të dhëna nga to, si edhe të ndërmarrin një analizë të kontratave të koncesioneve dhe paketave të ndryshme ligjore e rregullatore që i kanë shoqëruar. Në letrën e Ministrit Ahmetaj kërkohet që Ministritë e linjës të identifikojnë edhe praktikat që mund të kenë elementë ekskluziviteti, e që kufizojnë konkurrencën në treg.

Në momentin që lista e plotë e koncesioneve, së bashku me të gjithë paketat shoqëruese, do të jenë pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, do të ndërmerret menjëherë një analizë e hollësishme e sinjalizimeve të dhëna nga Ministritë përkatëse, për të vërtetuar impaktin e klauzolave të ndryshme të kontratave mbi mirëfunksionimin e tregut dhe mbi konkurrencën e lirë. Nëse do të vërtetohen se kontratat mund të përmbajnë elementë të padrejtë ekskluziviteti, MZHETS do të paraqesë para qeverisë një paketë masash që duhen marrë për eliminuar elementët e monopolit dhe për të garantuar konkurrencën e lirë në çdo sektor.

energjia.al 23.11.2013